Ndalimi i diskriminimit për shkak të kastave

Bota

Ndalimi i diskriminimit për shkak të kastave

Më: 23 korrik 2023 Në ora: 19:04
Foto ilustrim

Siatëlli është bërë qyteti i parë amerikan që ndalon me ligj diskriminimin bazuar tek kasta. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Natasha Mozgovaya, kjo është struktura kryesore e hierarkisë sociale indiane, që bazohet tek origjina e familjes.

Programuesi i kompanisë Microsoft, Alok Kumbhare, i lindur në një kastë të shtypur në Indi, thotë se kur ishte adoleshent i bëheshin shpesh komente të shëmtuara apo i drejtoheshin pyetje për aftësitë e tij për t’u bërë inxhinier.

Më thuhej nga mësuesit se ‘Ndoshta nuk duhet të synosh për këtë gjë, pasi është përtej aftësive të tua. Ndoshta duhet të përqëndrohesh tek diçka tjetër’. Dhe kjo bazohej thjesht tek prezumimi i kapaciteteve të mia”, thotë Alok Kumbhare, tashmë aktivist kundër diskriminimit sipas kastave.

Zoti Kumbhare thotë se u befasua kur diskriminimi e shoqëroi edhe në Shtetet e Bashkuara, ku një profesor nga një kastë më e lartë e akuzoi se kishte kopjuar gjatë doktoraturës. Kur qyteti Siatëll filloi të shqyrtojë ndalimin me ligj të diskriminimit sipas kastave, zoti Kumbhare ishte ndër qindra personat që dhanë dëshmitë e tyre.

“Ishte shumë e dhimbshme. Pothuajse qava kur dëgjoja kaq shumë dëshmi për raste diskriminimi, edhe këtu në Shtetet e Bashkuara”, thotë ai.

Që nga viti 1950, kushtetuta indiane ka ndaluar diskriminimin për shkak të kastave, dhe gjatë dekadave të fundit janë bërë përpjekje për të favorizuar kastat e shtypura. Megjithatë, sistemi i hierarkisë shoqërore që prej 2 mijë vitesh i klasifikon njerëzit që në lindje, vazhdon të influencojë komunitetet në Azinë Jugore dhe në Shtetet e Bashkuara.

Kshama Sawant është anëtare e këshillit të qytetit në Siatëll.

Kam përjetuar personalisht natyrën e rrënjosur të sistemit të kastave, madje edhe në kontekstin social, si p.sh. thjesht të ulesh për darkë me një grup njerëzish nga Azia Jugore, zbulon se sa i rrënjosur është sistemi i kastave në ndërgjegjen e të gjithëve dhe se njerëzit as nuk e kuptojnë që jetojnë dhe marrin frymë me çështjen e kastave”, thotë zonja Sawant.

Ajo propozoi ndalimin e diskriminimit për shkak të kastave sepse ligjet ekzistuese nuk ofronin mbrojtjet e duhura.

Kur anëtarët e komunitetit nga Azia Jugore, kur punëtorët përballen me diskriminim për shkak të kastës, kjo nuk vjen prej punëtorëve të bardhë amerikanë. Është nga punëtorët e tjerë, nga shefat, që vijnë gjithashtu nga Azia Jugore, por që janë nga një kastë mbizotëruese. Pra, ky aspekt i diskriminimit nuk përkufizohet në ligjet e tjera”, thotë zonja Sawant.

Duke reaguar ndaj kritikave se diskutimi publikisht i çështjes së kastave paraqet një imazh jo të mirë të komuniteteve nga Azia Jugore, zoti Kumbahre thotë se këto janë debate jo të lehta, por të domosdoshme.

“Mendoj se nuk duhet t’iu largohemi sfidave me të cilat përballemi brenda komunitetit, vetëm sepse duam të paraqesim një imazh të caktuar në publik. Duhet të përballemi me të shkuarën. Duhet të sfidosh ato që prezumon në mënyrë që t’i përmirësosh gjërat për të gjithë”, thotë ai.

Këshilltarja Sawant thotë se shpreson që legjislacioni të shërbejë si një model edhe për juridiksionet e tjera. Ligjvënësit në Kaliforni po shqyrtojnë tashmë një projektligj të ngjashëm./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat