SHBA paralajmëron pezullimin e ndihmës për Nigerin, kërkon lirimin e presidentit

Bota

SHBA paralajmëron pezullimin e ndihmës për Nigerin, kërkon lirimin e presidentit

Më: 29 korrik 2023 Në ora: 16:25
Antony Blinken

Shtetet e Bashkuara paralajmëruan kryengritësit që kanë marrë kontrollin e Nigerit se mbështetja e Uashingtonit për këtë vend të Afrikës Perëndimore do të ndërpritet, nëse Presidenti Mohamed Bazoum nuk lirohet dhe nuk kthehet në pushtet.

Paralajmërimi që erdhi të shtunën nga Sekretari i Shtetit, Antony Blinken për pezullimin e qindra miliona dollarëve ndihmë pasoi njoftimin e së premtes nga gjenerali Abdourahamane Tchiani, kreu i gardës presidenciale, se ai është udhëheqësi i ri i Nigerit.

"Më lejoni të jem shumë, shumë i qartë," tha zoti Blinken në një konferencë shtypi në Brisbane, Australi, pas bisedimeve me homologun e tij australian.

“Partneriteti ynë ekonomik dhe i sigurisë me Nigerin, i cili është domethënës, qindra miliona dollarë, varet nga vazhdimësia e qeverisjes demokratike dhe rendit kushtetues që është goditur,” tha ai.

Në mars, gjatë një vizite në Niger, zoti Blinken njoftoi se vendi do të merrte një pjesë të një pakete ndihmash humanitare prej 150 milionë dollarësh.

Nigeri ka përfituar gjithashtu nga ndihma ushtarake amerikane me vlerë qindra milionë dollarë dhe stërvitja kundër terrorizmit dhe rreth 1,100 trupa amerikane ndodhen në këtë vend.

Zëdhënësi Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, John Kirby, tha të premten se kontrolli ushtarak në Niger "mund të bëjë që Shtetet e Bashkuara të ndërpresin sigurinë dhe bashkëpunimin me qeverinë e Nigerit".

Zoti Kirby tha se SHBA vazhdon të shpresojë për një zgjidhje paqësore.

Megjithatë kryengritësit nigerianë kanë shpallur shpërbërjen e qeverisë dhe kanë shfuqizuar kushtetutën e vendit.

Udhëheqësit e ushtrisë së Nigerit deklaruan të mërkurën mbështetjen për rrëzimin e presidentit Bazoum, i cili u zgjodh në mënyrë demokratike dy vjet më parë, duke sfiduar thirrjet ndërkombëtare për lirimin e tij të menjëhershëm.

Gjenerali Tchiani paralajmëroi qeveritë e huaja që të mos ndërhyjnë në Niger dhe as të mos përpiqen të nxjerrin nga vendi zotin Bazoum dhe familjen e tij, duke thënë se kjo do të rezultonte në "masakrimin e popullsisë së Nigerit dhe kaos./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat