E ardhmja e inteligjencës artificiale në industrinë e argëtimit

Bota

E ardhmja e inteligjencës artificiale në industrinë e argëtimit

Më: 6 gusht 2023 Në ora: 18:48
Aktorja dhe Presidentja e Sindikatës së aktorëve, SAG-AFTRA, Fran Drescher

Përdorimi i inteligjencës artificiale është bërë një temë e rëndësishme në grevat e aktorëve dhe skenaristëve në Hollivud. Studiot thonë se kanë ofruar mbrojtje dhe kompensim të drejtë për rastet kur përdoret inteligjenca artificiale. Nga ana tjetër, aktorët dhe skenaristët druhen se inteligjenca artificiale do të përdoret për të kopjuar imazhin dhe zërin e tyre pa i paguar ata dhe mund të shfrytëzohet pa pëlqimin e tyre.

Inteligjenca artificiale është një temë thelbësore në grevën e aktorëve dhe skenaristëve në Hollivud, të cilët kërkojnë paga më të mira dhe më shumë të drejta nga studiot. Gjatë viteve të fundit është shtuar ndjeshëm përdorimi i inteligjencës artificiale në industrinë e argëtimit.

“Ideja që dikush mund të t’i heqë të drejtat që ke mbi veten tënde është shumë e frikshme”, thotë një protestues.

“Janë të detyruar të skanohen, ose përndryshe nuk do të paguhen”, thotë një tjetër protestues.

“AI në fakt mund të prodhojë art, kjo është e frikshme”, thotë një tjetër protestuese.

Shoqata tregtare “Alliance of Motion Picture and Television Producers” AMPTP, që mbron interesin e studiove televizive dhe të filmit, thotë se ka rënë darkord për kompensimin e së drejtës kur bëhet kopja dixhitale e një interpretuesi.

Por sindikata e aktorëve, SAG-AFTRA, thotë se studiot po u ofrojnë aktorëve të sfondit pagesa për një ditë pune, në këmbim të heqjes dorë përgjithmonë nga e drejta e kopjes së tyre dixhitale.

Por përfaqësuesja e studiove, AMPTP i hedh poshtë pretendimet, duke thënë se nuk është e vërtetë që kopja dixhitale e aktorëve të sfondit mund të përdoret përgjithmonë pa pëlqim, ose kompensim.

Gjatë një takimi në San Diego të Kalifornisë, inteligjenca artificiale ishte një temë kryesore diskutimi.

Tim Friedlander, presidenti i Shoqatës Kombëtare të Aktorëve të Zërit, NAVA, tha se për shkak se AI mund të kopjojë lehtësisht zërat e njeriut, pjesëtarët e kësaj shoqate ishin prekur më herët se pjesë të tjera të industrisë.

“Një aktor zbuloi se zëri i tij ishte përdorur për një reklamë që nuk e kishte bërë kurrë. Një tjetër aktor punoi për një kompani për tre vjet dhe nuk u punësua më sepse kompania i tha se kishte regjistrime të mjaftueshme të zërit të tij dhe i thanë se do të krijonin një zë sintetik me inteligjencë artificiale”.

Aktorja e zërit Cissy Jones thotë për Zërin e Amerikës se skenari më i frikshëm për të është nëse zëri i saj do të dixhitalizohej dhe programohej për të thënë gjëra me të cilat nuk pajtohet.

“Mund të jetë përmbajtje nxitëse, raciste, homofobike, pornografike - gjëra që nuk do t'i thoja kurrë”.

Duncan Crabtree-Ireland, drejtor i sindikatës së aktorëve SAG-AFTRA, i cili po udhëheq negociatat me shoqatën tregtare AMPTP, shqetësohet se aktorët mund të manipulohen përmes dokumenteve të komplikuara, që të japin pëlqimin për të përdorur imazhet ose zërat e tyre.

“Ideja e fshehjes së një fjalie në kontratën e madhe. Një fjali që thotë se jap të drejtën e përdorimit të kopjes sime dixhitale, në përjetësi, në të gjithë universin në çdo teknologji dhe për çdo qëllim, kjo nuk është gjë e mirë, kryesisht kur krijohet një diçka e re duke përdorur identitetin e atij individi”, thotë zoti Crabtree-Ireland.

Aktori Zeke Alton, me grupin negociator të sindikatës SAG-AFTRA, thotë se duhet të ketë ligje, që të sigurojnë që interpretuesit të japin pëlqimin dhe të kompensohen.

“Ajo që do të kërkonte [një ligj], është që çdo përmbajtje e prodhuar me inteligjencë artificiale të shënohej si e tillë. Këto janë hapat e parë, në mënyrë që kur të shikojmë reklamat ose gjëra të tjera, ta kuptojmë se është prodhuar nga inteligjenca artificiale ose interpretuar nga njeriu”.

Me grevën e skenaristëve është bashkuar edhe sindikata e aktorëve duke shkaktuar ndërprerjen e prodhimit të shumë filmave dhe shfaqjeve televizive./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat