LIVE: Humbjet e mëdha në Ukrainë, Putin merr vendimin e papritur - preket edhe Shqipëria

Bota

LIVE: Humbjet e mëdha në Ukrainë, Putin merr vendimin e papritur - preket edhe Shqipëria

Nga: BOTA SOT Më: 9 gusht 2023 Në ora: 06:29 Përditësuar në ora: 13:33 më 09.08.2023
Pamje nga lufta në Ukrainë

Rusia rinis luftën ekonomike me Perëndimin, dekreti i ri “fundos” gjigantët evropianë

Ndërsa lufta në Ukrainë zvarritet, kostoja e drejtpërdrejtë ekonomike për Evropën dhe vendet e tjera vetëm rritet. Kompanitë më të mëdha evropiane pësuan të paktën 100 miliardë euro humbje direkte për shkak të pushtimit rus të Ukrainës. Raportet financiare të 600 grupeve evropiane për vitin 2023 tregojnë se 176 kompani regjistruan zhvlerësim të aktiveve, kosto më të larta të lidhura me këmbimin valutor dhe kosto të tjera të njëhershme që rezultojnë nga shitja dhe mbyllja ose zvogëlimi i kompanive ruse, raporton “The Financial Times”.

“Kur Moska vendosi në prill të merrte kontrollin e biznesit të importuesve të gazit Fortum dhe Uniper, u pasua nga shpronësimi i Danone dhe Carlsberg, që ndodhi muajin e kaluar, dhe e gjithë kjo tregon se ne në fakt po përballemi edhe me më shumë probleme”, paralajmërojnë analistët. Më shumë se 50 përqind e 1,871 njësive ruse në pronësi evropiane ende operojnë në atë vend, sipas të dhënave nga Shkolla e Ekonomisë e Kievit. Ndër kompanitë evropiane që janë ende të pranishme në Rusi janë UniCredit italiane, Raiffeisen austriake, Nestle zvicerane dhe Unilever britanike. “Ata që qëndrojnë rrezikojnë humbje shumë më të mëdha sesa kompanitë që tashmë humbën shumë para kur u larguan nga Rusia... Doli që strategjia “merr dhe ik”, ishte më e mira, sepse sa më shpejt të largoheshin, aq më e vogël ishte humbja”, thotë Nabi Abdullaev, një partner në kompaninë e konsulencës strategjike Control Risks.

Humbje 100 miliardë euro

Kostot më të mëdha të tërheqjes u regjistruan nga grupet e naftës dhe gazit, në sektorin e të cilëve vetëm tre kompani, BP, Shell si dhe TotalEnergies, raportuan së bashku kosto prej 40.6 miliardë euro. Por këto humbje janë tejkaluar shumë nga çmimet më të larta të naftës dhe gazit, të cilat ndihmuan grupet e sipërpërmendura të raportonin një fitim të madh total prej rreth 95 miliardë euro vitin e kaluar. Për shkak të konfliktit, kompanitë që lidhen me industrinë ushtarake po përfitojnë gjithashtu. Por kompanitë e shërbimeve morën një goditje të drejtpërdrejtë prej 14.7 miliardë euro dhe kompanitë industriale, duke përfshirë prodhuesit e makinave, humbën 13.6 miliardë euro. BP, kompania shumëkombëshe britanike e naftës dhe gazit, kishte një kosto prej 23.3 miliardë dollarësh dhe tre ditë pas pushtimit rus të Ukrainës, ajo njoftoi se do të shiste 19.75 për qind të aksioneve të saj në grupin shtetëror të naftës Rosneft.

Marrëveshja e re

Sakaq, Presidenti rus Vladimir Putin ka nënshkruar një dekret presidencial në lidhje me ndalimin e marrëveshjeve kundër taksimit të dyfishtë me vendet e shënuara në listën zyrtare të shteteve armiqësore nga Kremlini, përfshirë Italinë. Nga 49 vende të klasifikuara si armiq nga Kremlini, Rusia kishte marrëveshje për taksimin e dyfishtë me 38 prej tyre: të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, anëtarët evropianë të NATO-s, SHBA, Kanada, Singapori, Japonia, Australia dhe Zelanda e Re. Tani të gjitha këto marrëveshje do të dështojnë dhe i vetmi vend në kampin perëndimor që do të mbajë marrëveshje të këtij lloji me Moskën do të jetë Turqia, e cila pavarësisht se është në NATO nuk është përfshirë asnjëherë në listën e kombeve armiqësore.

Kompanitë e mbetura

Por vetëm disa nga 45 bankat perëndimore me degë ruse janë larguar nga vendi, pjesërisht për shkak të kufizimeve të vendosura nga regjimi rus. Kështu, banka më e madhe perëndimore në Rusi, Raiffeisen, thotë se po konsideron të shesë njësinë e saj ruse, e cila aktualisht vlerëson të jetë rreth një miliard euro. UniCredit, e cila ka premtuar të gjejë një blerës për operacionet e saj lokale, shënoi një humbje prej 1.3 miliardë euro, ndërsa Intesa Sanpaolo e Italisë humbi 1.4 miliardë euro. “Grupet që ende veprojnë në Rusi po luajnë seriozisht kumar. Rregullat më të rrepta të daljes, të vendosura nga Moska që nga fillimi i luftës, kanë bërë të mundshme shpronësimet dhe nxjerrjen e çdo dividenti nga këto marrëveshje pothuajse të pamundur. Kompanitë që janë ende atje do të ishte më mirë që thjesht të anulonin operacionet e tyre. Sepse askush nuk është i sigurt”, thotë Anna Vlasyuk, studiuese në KSE.

Ukraina më në vështirësi se kurrë, “qeni” besnik i Putinit sfidon haptazi Amerikën

"Armiqtë tanë do të shtypen!”. Ky ishte mesazhi ose më saktë kërcënimi i “qenit besnik” të presidentit rus Vladimir Putin, Dmitry Medvedev, mesa duket drejtuar Perëndimit. Ish-presidenti i Rusisë dhe krahu i djathtë i Putinit tha se Moska tashmë po "luftonte hapur" NATO-n dhe paralajmëroi se Rusia ishte mjaft e fortë për të përballuar aleancën mbrojtëse. "I gjithë sistemi i NATO-s po lufton pothuajse hapur kundër nesh. Ne jemi mjaft të fortë për të arritur të gjitha qëllimet e operacionit special ushtarak," shkroi Medvedev në Telegram. "Shtetet e Bashkuara dhe vasalët e tyre atëherë nuk kishin përvojë të mjaftueshme", vazhdoi Medvedev, duke kujtuar pushtimin e Gjeorgjisë 15 vjet më parë. "Sot ata përsëri po bëjnë një luftë kriminale me duart e të tjerëve, duke u përpjekur të fshijnë Rusinë nga faqja e dheut”, tha ish-presidenti, mesa duket referuar ndihmave që ka dërguar SHBA në Ukrainë. "Ashtu si në gusht 2008, armiqtë tanë do të mposhten dhe Rusia do të sigurojë paqen sipas kushteve të saj. Fitorja do të jetë e jona!”, përmbylli Medvedev, duke ngritur sërish alarmin për një luftë botërore, që do të fuste NATO-n në lojë dhe nuk do të kursente askënd dhe asgjë.

Kërcënimet e Medvedev

Medvedev, i parë dikur në Perëndim si një modernizues liberal, është shfaqur si një nga “skifterët” më të hapur të Rusisë që kur Moska nisi atë që e quajti një "operacion special ushtarak" në Ukrainë vitin e kaluar. Tani si nënkryetari i Këshillit të Sigurimit, me pikëpamjet e tij ai duket se pasqyron dhe artikulon mendimet e Kremlinit, sipas zyrtarëve rusë. Në gusht 2008, ndërsa Medvedev ishte President i Rusisë, Moska sulmoi Gjeorgjinë fqinje në mbështetje të rajoneve separatiste të Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë. Moska e quajti luftën e shkurtër një operacion "paqeruajtës", ndërsa së fundmi Medvedev e quajti atë një "luftë ndërmjetëse" me NATO-n. Ai tha se lufta në Ukrainë ishte gjithashtu një luftë ndërmjetëse midis Rusisë dhe NATO-s, në të cilën aleanca "po përpiqej të fshinte Rusinë nga faqja e dheut". Ish-presidenti rus dhe aleati prej kohësh i Putinit është i njohur për retorikën e tij të zjarrtë, madje ka bërë thirrje që të përdoren armë bërthamore.

Sfidat e Ukrainës

Disa javë pas kundërsulmimit të shumëpritur të Ukrainës, zyrtarët perëndimorë duket se nuk janë edhe aq optimist, bazuar në rezultatet e deritanishme. Megjithatë, ata bien dakord, se kjo është periudha më e vështirë për Ukrainën. “Ata ende do të shohin, për dy javët e ardhshme, nëse ka një shans për të bërë ndonjë përparim. Por mendoj se është jashtëzakonisht, shumë e pamundur,” tha një diplomat i lartë perëndimor për CNN. Një demokrat nga Illinois i cili kohët e fundit u kthye nga takimet në Evropë me komandantët amerikanë që trajnojnë forcat e blinduara ukrainase tha se “Kjo është koha më e vështirë e luftës”. “Edhe nëse do të vazhdonin të luftonin për disa javët e ardhshme, nëse nuk kanë qenë në gjendje të bëjnë më shumë përparime gjatë këtyre shtatë, tetë javëve të fundit, sa janë gjasat që ata të bëjnë papritur, me më shumë forca të varfëruara? Sepse kushtet janë shumë të vështira.” Zyrtarë të shumtë thanë se afrimi i vjeshtës, kur moti dhe kushtet e luftimit pritet të përkeqësohen, u jep forcave ukrainase një “dritare për të përparuar”.

Dërgesa e tankeve vdekjeprurës

Rastësi apo jo, deklaratat e Medvedev erdhën në të njëjtën ditë kur Shtetet e Bashkuara njoftuan se kanë miratuar dërgesën e parë të tankeve kryesore të betejës Abrams për Ukrainën, që pritet të mbërrijnë në fillim të vjeshtës dhe të angazhohen menjëherë në fushë-betejë. Administrata Biden po i jep përparësi dërgesave të shpejta të armëve për Kievin dhe me tanket e fundit po i shton arsenalit të Ukrainës, një dimension të fuqishëm dhe vdekjeprurës në inventarin e saj ushtarak. Veç tankeve amerikane, Ukraina ka përdorur tashmë Challenger dhe tanke Leopard 2, së bashku me Bradley Fighting Vehicles. Kështu, pas mbërritjes së tankeve amerikane në Ukrainë ato do t’i shtohen një koleksioni të gjerë të armaturës së rëndë të frikshme, të cilin Kievi e ka marrë nga Perëndimi në muajt e fundit.

Wagner në Bjellorusi, Polonia në alarm nga kalimet e paligjshme, merr menjëherë masat

Polonia do të dërgojë 2,000 trupa në kufirin e saj me Bjellorusinë, i tha sot agjencisë shtetërore të lajmeve PAP zëvendësministri i brendshëm, dyfishi i numrit të kërkuar nga rojet kufitare, për të ndaluar kalimet e paligjshme dhe për të ruajtur stabilitetin.

Polonia ka qenë gjithnjë e më e shqetësuar për zonën kufitare që kur qindra mercenarë të ashpërsuar nga beteja e Wagner mbërritën në Bjellorusi muajin e kaluar me ftesë të Presidentit Alexander Lukashenko.

Bjellorusia filloi stërvitjet ushtarake pranë kufirit këtë javë dhe Lukashenko ka thënë disa herë se po frenon luftëtarët Wagner që duan të sulmojnë Poloninë. Polonia ka parë gjithashtu një rritje të numrit të emigrantëve, kryesisht nga Lindja e Mesme dhe Afrika, që përpiqen të kalojnë kufirin muajt e fundit.

Në dy vitet e fundit, ai ka akuzuar Bjellorusinë për rekrutimin e emigrantëve në vendet e varfra dhe dërgimin e tyre ilegalisht përtej kufirit për të nxitur paqëndrueshmërinë.

“Ky përforcim nuk do të jetë me 1000, por me 2000 ushtarë. Ky vendim është marrë nga Komiteti i Sigurisë, gjegjësisht ministri (i Mbrojtjes) Mariusz Blasak”, tha Maciej Wasik për PAP.

Ai tha të hënën se Roja Kufitare po kërkon që të vendosen 1,000 trupa shtesë.

Wasik shtoi se të gjitha përpjekjet për emigrantët për të hyrë ilegalisht në Poloni po organizohen tani nga autoritetet bjelloruse.

“Nëse do të kishim roje të vërteta kufitare në anën tjetër dhe jo shërbime kontrabande, ato vendkalime nuk do të ekzistonin fare”, tha ai.

Humbjet e mëdha në Ukrainë, Putin nxjerr në betejë tanket e ndryshkura

Humbjet e mëdha gjatë luftës në Ukrainë, duket se po e detyrojnë ushtrinë e Putin të nxjerrë në fushëbetejë të gjithë potencialin e mundshëm që disponon, duke përfshirë dhe këtu armë tepër të vjetra, që nga koha e Luftës së Dytë Botërore.

Burime nga inteligjenca perëndimore bëjnë me dije se Vladimir Putin është detyruar të nxjerrë nga një bazë ushtarake në Siberi qindra tanke të vjetra, të ndryshkura të cilat tashmë po modifikohen, pastrohen dhe po zhvendosen drejt frontit ukrainas.

Pamjet satelitore tregojnë mjete tepër të vjetëruara duke u dislokuar në zonën e luftës me tren ushtarak.

Sipas ekspertëve, përdorimi i këtyre armëve të vjetra të periudhës sovjetike është një shenjë e dëshpërimit të Putinit, por edhe e llogaritjes së gabuar se burimet ekzistuese do të plotësonin nevojat e tij të luftës.

Rusia pezullon marrëveshjet me vendet jomiqësore, mes tyre edhe Shqipëria

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, nënshkroi një dekret për pezullimin e disa dispozitave të traktateve ndërkombëtare të taksave me 38 shtete, të cilësuar nga Moska si armiqësore, mes të cilave është edhe Shqipëria.

“Bazuar në nevojën për të marrë masa urgjente në lidhje me kryerjen e veprimeve armiqësore nga shtete të ndryshme të huaja kundër Rusisë, shtetasve dhe personave juridikë të saj, vendos të pezulloj dispozitat e mëposhtme të traktateve ndërkombëtare” thuhet në deklaratën zyrtare të Kremlinit.

Deri më tani janë anuluar marrëveshjet për shmangien e taksimit të dyfishtë me pothuajse të gjitha vendet e Bashkimit Evropian. Po ashtu, anulimi prek Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar, Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut si dhe vende te tjera.

Konkretisht, dekreti presidencial pezullon ligjet që lehtësojnë taksimin e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, interesat, të ardhurat ngashërbimet dhe të drejtat e autorit, tarifat dhe të ardhurat nga puna, si dhe taksat mbi kapitalin.

Traktatet e taksimit të dyfishtë lejojnë personat juridikë dhe individët që janë rezidentë tatimorë të një vendi, por marrin të ardhura në një tjetër, të paguajnë tatimin vetëm në një shtet.

Në mars 2022, Putin po ashtu firmosi një dokument të listës së vendeve “jomiqësore” të Rusisë. Në listën e shpallur, renditen shtetet që vendosën ose iu bashkuan sanksioneve kundër Rusisë pas fillimit të pushtimit në Ukrainë.

Rritet numri i viktimave pas sulmeve ruse në lindje të Ukrainës

Ka shkuar në shtatë numri i viktimave si pasojë e sulmeve me raketa që Rusia kreu ndaj një sërë objektesh banimi në lindje të Ukrainës, njoftuan zyrtarët ukrainës. Sipas tyre, 67 persona mbetën të plagosur.

Autoritetet lokale thane se dy raketa ruse goditën të hënën në mbrëmje, qendrën e qytetit Pokrovsk, në lindje të rajonit të Ukrainës e cila kontrollohet pjesërisht nga Rusia.

Zyrtarët ukrainas akuzuan të martën trupat e Kremlinit se objektiv i sulmit ishin ekipet e shpëtimit ukrainas.

Guvernatori i rajonit të Doneskut, Pavlo Kyrylenko tha se raketat, që u lëshuan në një distancë kohore prej 40 minutash nga njëra tjetra dëmtuan godina, shtëpi, hotele, dyqane dhe zyra të administratës.

Që prej nisjes së sulmit ndaj Ukrainës, Rusia ka goditur me raketa, dronë dhe artileri zona civile. Kremlini thotë se sulmon vetëm objektet ushtarake dhe pretendon se dëmet e tjera janë pasojë e mbetjeve nga përdorimi i mjeteve mbrotjëse ajrore ukrainase.

Ndërkohë, si pasojë e sulmeve të hënën në mbrëmje në qytetin e Kruhliakivka në rajonin e Kharkivit mbetën të vrarë tre persona dhe u plagosën nëntë të tjerë, tha guvernatori i këtij rajoni.

Zyra presidenciale ukrainase njoftoi se Rusia kreu sulme me bombë në Kupianks në rajonin e Kharkivit, ku mbetën të vrarë dy civile dhe u plagosën dy të tjerë.

Wagner largohet nga fushëbeteja, por jo nga Ukraina, mercenarët nisin të ndërtojnë kampin pranë kufirit

Mercenarët e ushtrisë private Wagner raportohet se kanë nisur të ndërtojnë një kamp të përhershëm për të strehuar rreth 1000 ushtarë pranë kufirit ukrainas.

Mësohet se kampi po ndërtohet pranë aeroportit Zyabrovka rreth 15 milje nga kufiri i Bjellorusisë me Ukrainën.

Sipas palës ukrainase ky kamp do përdoret për të mbajtur gjallë tensionet në rajon, zonë e cila mbetet ende nën kontrollin e Ukrainës.

Instituti për Studimin e Luftës ka raportuar më herët se Wagner ka kryer stërvitje ushtarake pranë Brest, një nga qytetet më të mëdha të Bjellorusisë, brenda një kilometër nga kufiri polak.

Ukraina vijon eksportet edhe pas prishjes së marrëveshjes, Zelensky: Do t’i luftojmë sulmet ruse në Detin e Zi

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë të martën se Ukraina do të luftojë ndaj sulmeve të Rusisë në Detin e Zi, në mënyrë që të mundë të importojë dhe eksportojë drithëra dhe mallra të tjera përmes ujërave të tij.

Deklaratat e tij, të publikuara në uebsajtin e presidencës ukrainase, vijnë pak ditë pasi dronët detarë ukrainas, të mbushur me eksplozivë, e dëmtuan një anije luftarake ruse, pranë një porti rus, dhe e goditën edhe një cisternë ruse të naftës.

Nëse Rusia vazhdon ta mbizotërojë Detin e Zi, jashtë territorit të saj, duke bllokuar [mallrat dhe udhëtarët], apo duke shtënë ndaj nesh përsëri, duke goditur portet tona me raketa, Ukraina do ta bëjë të njëjtën. Kjo është një mbrojtje e drejtë e mundësive tona, e cilitdo korridor”, tha Zelensky.

Ai i bëri thirrje Rusisë të mos i sulmojë më portet ukrainase me dronë dhe raketa, si dhe ta lejojë zhvillimin e tregtisë në Detin e Zi. Ai i bëri këto komente gjatë një konference me gazetarë nga vendet e Amerikës Latine.

Nuk është e qartë se kur kishte ndodhur kjo konferencë në zyrën e tij në Kiev.

Tensionet brenda dhe përreth Detit të Zi janë përshkallëzuar që nga muaji i kaluar, kur Rusia u tërhoq nga një marrëveshje e cila mundësonte eksportin e sigurt të drithërave nga portet e Ukrainës. Rusia i ka goditur vazhdimisht me dronë dhe raketa portet dhe siloset e drithit ukrainase.

“Ne nuk kemi shumë anije. Por, ata duhet ta kuptojnë qartë se deri në fund të luftës, ata do t’i kenë zero anije, zero”, tha Zelensky.

Ukraina është përgjigjur më sulme me dronë nga deti ndaj një cisterne ruse të naftës dhe ndaj një luftë anijeje ruse në bazën e saj detare, Novorossiysk, pranë një porti të madh të drithit dhe naftës.

Rusia i bllokoi portet ukrainase në Detin e Zi në fillim të pushtimit të saj në shkurt 2022.

Kjo bllokadë po e ngufat Ukrainën ekonomikisht, pasi ekonomia e saj para luftës varej pothuajse plotësisht nga eksporti, me çelikun dhe drithërat më të eksportuarat.

“Rikthimi i akordit varet nga Perëndimi”, Erdogan për marrëveshjen e grurit: Duhet të mbahen premtimet ndaj Rusisë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë të martën vonë se ringjallja e marrëveshjes me Rusinë për lejimin e eksportimit të drithërave ukrainase, varet nga Perëndimi.

Ai u bëri thirrje vendeve të Perëndimit që t’i mbajnë “premtimet e tyre”.

“Mendoj se zgjidhja mund të gjendet”, tha Erdogani më 8 gusht, duke iu referuar një bisede të mëparshme telefonike me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, i cili nuk pranoi ta vazhdonte marrëveshjen.

Erdogani luajti rol kyç në ndërmjetësimin e marrëveshjes tashmë të prishur për eksportimin e sigurt të drithërave ukrainase përmes Detit të Zi, dhe e ka pozicionuar veten si ndërmjetësues në konflikt.

Gjatë bisedës me Putinin më 2 gusht, Erdogani e kishte theksuar rëndësinë e marrëveshjes së drithërave, të cilën ne quajti “ura për paqe”.

Marrëveshja, e ndërmjetësuar nga Turqia dhe Kombet e Bashkuara, ia mundësonte Ukrainës të eksportojë drithëra përmes porteve të saj në Detin e Zi, por përfundoi muajin e kaluar kur Moska u tërhoq nga ajo.

Sulmet brenda dhe përreth Detit të Zi janë rritur qëkur Rusia nuk pranoi ta vazhdojë atë.

Nga sulmet ruse me dronë u dëmtuan objektet e drithërave në portet e Ukrainës, Odesa dhe Izmail, gjatë natës së 2 gushtit.

Si pasojë e sulmeve ruse, një depo drithi, silose drithi dhe magazina tjera drithi u dëmtuan apo shkatërruan, thanë zyrtarët ukrainas.

SHBA përgatit paketën e re të ndihmës ushtarake për Ukrainën

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë në plan që të ndihmojnë akoma më shumë Ukrainën në konfliktin e saj me Rusinë, duke ofruar akoma më shumë suport ushtarak për qeverinë e Kievit, e cila ka që nga shkurti i vitit 2022, që po përballet me agresionin rus.

Administrata e Joe Biden do të shpallë një paketë të re ndihme ushtarake për Ukrainën javën e ardhshme, tha zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Matthew Miller.

Ne do të vazhdojmë të furnizojmë me artileri dhe sisteme të tjera, dhe kemi më shumë njoftime në ditët në vijim për sisteme të tjera shtesë që synojmë për të furnizuar Ukrainën”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat