Ukraina në NATO në këmbim të territoreve, propozimi i çuditshëm i aleancës trondit Perëndimin

Bota

Ukraina në NATO në këmbim të territoreve, propozimi i çuditshëm i aleancës trondit Perëndimin

Më: 17 gusht 2023 Në ora: 11:25
Volodymyr Zelensky

Një deklaratë për Ukrainën nga Stian Jenssen, drejtor i zyrës private të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, ka trazuar ujërat e marrëdhënieve midis Perëndimit dhe Ukrainës. Në një takim me disa gazetarë, zyrtari i lartë i Aleancës Atlantike sugjeroi një zgjidhje të mundshme për të ardhmen e Kievit: atë të heqjes dorë nga një pjesë e territorit të saj të pushtuar nga Rusia për të marrë anëtarësimin në NATO. Për Jenssen, në këtë pikë është "joreale" që rusët mund të pushtojnë territore të reja, duke pasur parasysh angazhimin e madh ushtarak të Moskës dhe ngërçin e ofensivës.

Megjithatë, në të njëjtën kohë, NATO është e vetëdijshme se përpjekjet e Ukrainës mund të mos çojnë në çlirimin total të territoreve të pushtuara nga forcat kundërshtare. Dhe kjo është një çështje prioritare edhe për të kuptuar se cila mund të jetë zgjidhja e luftës dhe mbi të gjitha për të kuptuar mundësinë reale që Ukraina mund të anëtarësohet në NATO. “Për sa kohë që konflikti është në vazhdim dhe për sa kohë që një pjesë e territorit është e pushtuar, NATO nuk do të jetë në gjendje të mirëpresë vendin e pushtuar në aleancën e saj”, ky ishte përfundimi i Jenssen. Fjalët e tij kanë ngritur në mënyrë të pashmangshme një polemikë që ka përfshirë si Kievin ashtu edhe komandat e NATO-s.

Zemërimi i Ukrainës

Zemërimi i qeverisë ukrainase u përmblodh në një postim në "X" nga këshilltari presidencial ukrainas Mykhailo Podolyak, i cili e përshkroi shkëmbimin e territoreve për anëtarësimin në Aleancën Atlantike si "qesharake". "Kjo do të thotë të zgjedhësh qëllimisht të mundësh demokracinë, të trimërosh një kriminel global, të ruash regjimin rus, të shkatërrosh ligjin ndërkombëtar dhe t'ua kalosh luftën gjeneratave të tjera," tha këshilltari i Volodymyr Zelensky, i konsideruar gjithmonë si një “skifter” i stafit të presidentit ukrainas. Të njëjtin mendim ndan edhe zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Oleg Nikolenko, për të cilin “debatet për anëtarësimin e Ukrainës në NATO në këmbim të braktisjes së disa territoreve të Ukrainës janë totalisht të papranueshme”.

“Sikleti” i NATO-s

Në Bruksel, fjalët e Jenssen mbi të gjitha shkaktuan “siklet”. Një zëdhënës i NATO-s përsëriti se pozicioni i bllokut euro-amerikan mbi integritetin e Ukrainës "nuk ka ndryshuar " dhe se ai do të vazhdojë "të mbështesë Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme" duke u angazhuar "për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme". Një paqe e drejtë nënkupton edhe respektimin e plotë të së drejtës ndërkombëtare dhe kufijve të përcaktuar.

Megjithatë, pyetja që po bëjnë shumë ekspertë është se përse Jenssen, i cili është padyshim një nga njerëzit më të afërt me Stoltenberg, donte të shprehte një mendim të tillë në një moment kaq delikat të kundërsulmimit ukrainas. Fjalë, që mund të përfaqësonin një “dush të ftohtë” ndaj aspiratave të qeverisë Zelensky për ripushtim dhe që dihej se do të shkaktonin polemika, duke nxitur për më tepër idenë e ndarjes midis objektivave të NATO dhe Ukrainës. Ashtu siç rusët vazhdojnë të bombardojnë territorin ukrainas dhe ashtu si dyshimet fillojnë të “gërryejnë” mbështetjen për Kievin.

Mesazhi i Perëndimit

Një pakujdesi nga ana e Jenssen? Me gjasë. Edhe pse nuk mund të përjashtohet fakti që zyrtari i Atlantikut ka dashur të përsërisë një qëndrim dhe ide që qarkullon prej disa kohësh brenda Aleancës, atë të dyshimit për mundësitë reale të kundërsulmimit ukrainas. Në fund të fundit, kudo është folur për një paqe të drejtë, por në këtë pikë shumë politikanë dhe analistë kanë shprehur se lufta mund të zgjasë shumë kohë. Dhe nuk është sekret se në Evropë, si në pjesë të tjera të botës, ka shumë që dëshirojnë ndërprerjen e armiqësive.

Nga ana tjetër, edhe në Uashington, pak para zgjedhjeve presidenciale kundërshtarët e Biden-it do të përdorin levën e "luftës së pafund" në Evropën Lindore për të nënvizuar një dështim të mundshëm të administrates. Ndoshta fjalët e Jenssen ishin thjesht “gafë”. Por nuk mund të përjashtohet edhe që Atlantiku mund të ketë dashur t’i dërgojë një sinjal Kievit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat