Presidenti kinez Xi bën thirrje për zgjerimin e grupit BRICS

Bota

Presidenti kinez Xi bën thirrje për zgjerimin e grupit BRICS

Më: 23 gusht 2023 Në ora: 16:38
BRICS

Presidenti kinez Xi Jinping bëri thirrje të mërkurën, për përshpejtimin e zgjerimit të grupit ekonomik BRICS, i cili përbëhet nga Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut, një objektiv që Kina, vendi me ekonominë e dytë më të madhe në botë, e ka patur për një kohë të gjatë.

Në takimin e udhëheqësve të këtyre vendeve në kryeqytetin e Afrikës së Jugut, Johanesburg, Presidenti kinez Xi tha se ishte i kënaqur të shihte entuziazmin e vendeve në zhvillim për të marrë në takim si dhe të shumë vendeve të tjera që kanë aplikuar për anëtarësim në grup.

“Duhet të lejojmë më shumë vende t’i bashkohen familjes BRICS për të zgjeruar aftësitë dhe përpjekjet për ta bërë më të drejtë dhe me të barabartë qeverisjen globale”, tha zoti Xi.

Udhëheqësit e vendeve të grupit BRICS po shqyrtojnë sot rregullat e pranimit të anëtarëve të rinj.

Afrika e Jugut tha muajin e kaluar se më shumë se 40 vende të tjera kanë shprehur interes për t’u anëtarësuar në BRICS, një organizatë që synon të balancojë dominimin e Perëndimit, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në çështjet globale. Sipas Johanesburgut, njëzet e dy prej tyre tashmë kanë aplikuar për anëtarësim.

Kina për një kohë të gjatë ka bërë thirrje për zgjerimin e grupit BRICS, duke shpresuar se zgjerimi i tij me anëtarë të rinj do t’i jepte më shumë fuqi grupit të vendeve që tashmë përbëjnë rreth 40 për qind të popullsisë së botës dhe 25 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto të ekonomisë globale.

Rusia është gjithashtu e interesuar për zgjerimin e grupit, ndërsa Presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa shprehu mbështetjen për këtë ide gjatë një takimi dypalësh me Presidentin kinez Xi të martën.

Presidenti Xi tha gjithashtu se vendet e grupit BRICS kanë rënë dakord të themelojnë një grup studimor mbi inteligjencën artificiale dhe zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në sektorin e teknologjisë së inteligjencës artificiale, duke përfshirë forcimin e shkëmbimit të informacioneve dhe bashkëpunimit teknik./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat