Vladimir Putin: Pushtimi i Hungarisë dhe Çekosllovakisë nga Bashkimi Sovjetik ishte gabim

Bota

Vladimir Putin: Pushtimi i Hungarisë dhe Çekosllovakisë nga Bashkimi Sovjetik ishte gabim

Më: 12 shtator 2023 Në ora: 18:26
Foto ilustrim

Presidenti rus Vladimir Putin ka thënë se pushtimi i Hungarisë dhe Çekosllovakisë nga Bashkimi Sovjetik ishte gabim, shkruan BBC. Duke folur në një forum në Rusinë lindore, ai ka thënë se nuk është e drejtë të bëhet diçka në politikën e jashtme që dëmton interesat e njerëzve të tjerë.

Vërejtjet e tij vijnë ndërsa trupat ruse vazhdojnë luftimet në Ukrainë.

Bashkimi Sovjetik pushtoi Hungarinë më 1956 dhe Çekosllovakinë më 1968 pas protestave masive dhe kërkesave për liri më të mëdha. Moderatori i forumit e pyeti se si do t’u përgjigjej atyre që thonë se Bashkimi Sovjetik u soll si një fuqi koloniale kur dërgoi tanke në Pragë më 1968 dhe në Budapest më 1956.

“Ne e kemi pranuar shumë kohë më parë se ajo pjesë e politikës sovjetike ishte e gabuar dhe vetëm çoi në tensione në marrëdhënie. Nuk duhet bërë asgjë në politikën e jashtme që vjen në kundërshtim të drejtpërdrejtë me interesat e popujve të tjerë”, ka thënë Putin. Sipas Putinit, vendet në Perëndim, kryesisht SHBA-ja, tani po bëjnë të njëjtin gabim si sovjetikët atëherë.

“Ata ushtrojnë presion mbi aleatët e tyre, të ashtuquajturit partnerë. Ata nuk kanë miq. Ata kanë vetëm interesa. Kjo është një vazhdimësi e një formule të njohur britanike”, ka shtuar ai.

Komentet e Putinit për veprimet e Bashkimit Sovjetik në Hungari dhe Çekosllovaki duket se janë në kundërshtim me pikëpamjet e disave brenda rrethit të tij të ngushtë.

Në gusht, një libër historie i shkruar nga një nga këshilltarët e Putinit, Vladimir Medinsky, pretendonte se Revolucioni Hungarez i vitit 1956 ishte kryengritje fashiste e organizuar nga Perëndimi dhe thoshte se tërheqja e trupave sovjetike nga Hungaria në vitin 1990 kishte qenë gabim.

Bashkimi Sovjetik përbëhej nga 15 vende, por numëronte disa shtete të tjera satelitore, duke përfshirë Hungarinë dhe Çekosllovakinë, brenda sferës së tij të ndikimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat