SHBA-ja bën gati për Ukrainën raketat me rreze të gjatë

Bota

SHBA-ja bën gati për Ukrainën raketat me rreze të gjatë

Më: 24 shtator 2023 Në ora: 20:43
Foto ilustrim

Presidenti amerikan, Joe Biden, po planifikon ta armatosë Ukrainën me raketat e avancuara për ta ndihmuar Kievin në kundërofensivën e saj. Disa zyrtarë amerikanë në kushte anonimiteti kanë thënë për mediat amerikane, se Ukraina do të marrë disa raketa ATACMS me rreze të gjatë veprimi deri në 300 kilometra.

Këto raketa do t’ia mundësonin Kievit që të godasë caqet ruse shumë thellë prapa vijës së frontit. Të premten dy raketa ukrainase kanë goditur bazat detare të Rusisë në Krimenë e aneksuar që ka dalje në Detin e Zi.

Ushtria ukrainase ka thënë se sulmi në portin e Sevastopolit është kryer me raketat Storm Shadow, të cilat Ukraina i ka marrë nga Britania dhe Franca. Këto raketa kanë rreze veprimi deri në 300 kilometra. Wall Street Journal me dy burime brenda administratës amerikane ka raportuar se Bideni ia ka konfirmuar homologut ukrainas, Volodymyr Zelenskyy se Kievi do të marrë një numër të vogël të raketave ATACMS. Dy liderët janë takuar të enjten në Shtëpinë e Bardhë.

Gazeta e njohur ka raportuar se raketat do të nisen drejt Ukrainës gjatë javës së ardhshme. Ndërkaq, Washington Post ka raportuar se Ukraina do të marrë ATACMS-të me bomba thërrmuese dhe jo me një kokë të vetme shpërthyese. As SHBA dhe as Ukraina nuk i kanë konfirmuar zyrtarisht raportet.

Pas bisedimeve Biden-Zelensky, Washingtoni njoftoi pakon e re të armatimit prej 325 milionë dollarëve – duke përfshirë artileri dhe municione – për Ukrainën. Tanket amerikane Abrams do të dorëzohen në Kiev javën e ardhshme.

Megjithatë, të dy presidentët nuk kanë folur për raketat ATACMS.

“Unë besoj se pas krejt asaj që kemi diskutuar të enjten me presidentin Biden… do të jemi në gjendje ta kthejmë në marrëveshje”, ka thënë Zelenskyy të premten gjatë vizitës në Kanada.

“Po, [kjo është] çështje kohe. Jo gjithçka varet nga Ukraina”, ka shtuar presidenti ukrainas.

Kievi në muajt e fundit ka bërë presion që të armatoset me ATACMS me qëllim të të forcojë kundërsulmin e madh në jugun e Ukrainës.

Linjat kyçe ruse të furnizimit, pozicionet e komandës dhe qendrat e tjera logjistike thellë pas vijës së frontit do të jenë në rrezen e raketave ATACMS, duke e detyruar Moskën t’i largojë ato dhe duke e bërë kështu më të vështirë rifurnizimin e ushtrisë.

Pozicionet ruse në rajonet e pushtuara të Ukrainës në jug – duke përfshirë Krimenë – do të ishin veçanërisht të cenueshme, është arsyetuar Ukraina.

Presidenti Vladimir Putin filloi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022 dhe administrata e Bidenit fillimisht hezitoi t’i siguronte Ukrainës armatim modern. Por qëndrimi i saj ka ndryshuar që atëherë në mënyrë dramatike, me Kievin duke marrë sisteme raketash me rreze të gjatë Himars dhe raketa të mbrojtjes ajrore Patriot.

Presidenti Biden ka hezituar për t’i dhuruar Ukrainës raketat ATACMS shkaku i frikës se raketat e tilla mund të nxisin përplasjen e drejtpërdrejtë të SHBA-së me Rusinë e armatosur me armë bërthamore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat