SHBA, marrëveshje sigurie me ishujt e Paqësorit për të frenuar zgjerimin e Kinës

Bota

SHBA, marrëveshje sigurie me ishujt e Paqësorit për të frenuar zgjerimin e Kinës

Më: 1 tetor 2023 Në ora: 19:33
Foto nga vendi i ngjarjes

Shtetet e Bashkuara arritën marrëveshje sigurie me vendet në ishujt e Paqësorit që shihen si një pjesë kyçe e planeve të Shteteve të Bashkuara për të frenuar zgjerimin territorial të Kinës. Por pas tre vjet negociatash, njëri nga këto vende, Ishujt Marshall, ende nuk ka arritur një marrëveshje me Uashingtonin. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Jessica Stone, arsyeja për këtë vonesë ka të bëjë me një marrëveshje për kompensimin e këtyre ishujve për provat bërthamore të Shteteve të Bashkuara atje rreth 60 vjet më parë.

Vetëm disa ditë pasi siguroi njohjen diplomatike për dy vende të tjera në ishujt e Paqësorit, Shtetet e Bashkuara nuk kanë arritur të zgjerojnë ndihmën ekonomike për tre vende të tjera të rajonit.

Ndihma është pjesë e Marrëveshjeve të Shoqatës së Lirë që i japin Uashingtonit qasje ekskluzive në pjesë të mëdha të Oqeanit Paqësor që rrethon Mikronezinë, Palaun dhe Ishujt Marshall. Financimi përfundoi më 30 shtator.

“Mund të thuhet se ka patur dështim të misionit."

Howard Hills ka drejtuar negociatat për arritjen e marrëveshjeve me ishujt e Paqësorit, së bashku me të dërguarin presidencial, ambasadorin Joseph Yun. Zoti Hills u largua nga posti më 7 shtator.

Marrëveshjet me Mikronezinë dhe Palau-n janë arritur, ndërsa bisedimet me Ishujt Marshall kanë ngecur.

Presidenti David Kabua thotë se Republika e Ishujve Marshall ka ende një kërkesë të pazgjidhur.

"Shtetet e Bashkuara duhet të kuptojnë se njerëzit e Ishujve Marshall kërkojnë që çështja bërthamore të merret parasysh", thotë ai.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ish-negociatori Hills thotë se Departamenti i Shtetit nuk do ta lejojë ambasadorin Yun të caktojë zyrtarisht fondet si kompensim për pasojat e provave bërthamore amerikane në Ishujt Marshalls 60 vjet më parë.

“Nëse Departamenti i Shtetit do të kishte hequr dorë nga pozicioni i tij ligjor, kjo çështje mund të ishte zgjidhur në vitin 2020, 2021 ose 2022.”

Departamenti i Shtetit nuk pranoi të komentonte mbi këtë pohim, por tha për Zërin e Amerikës se Mikronezia dhe Ishujt Marshall "mund të përdorin fondet e pashpenzuara" ose "fondet e tyre të mirëbesimit" për të përmbushur nevojat e tyre buxhetore. Palau ka fonde edhe për një vit tjetër.

Ligjvënësja Aumua Amata Radewagen thotë se ajo ka parë nga afër ndikimin shkatërrues të provave bërthamore mbi banorët e Ishujve Marshall.

Ajo kaloi një pjesë të fëmijërisë së saj në Ishujt Marshall kur babai i saj ishte kreu i qeverisë

“Më kujtohet një herë kur babai duhej ta dërgonte një djalë të ri me lloje të ndryshme kanceri tek fanilja e tij. Këto rrëfime mbeten në mendjen time. Unë atëherë isha adoleshente”.

Ambasadori Yun ka thënë publikisht se Uashingtoni mban një përgjegjësi morale dhe politike për të trajtuar ndikimin e provave bërthamore tek banorët e ishullit dhe Memorandumi i Mirëkuptimit i nënshkruar me Ishujt Marshall në pranverë të këtij viti ofron 700 milionë dollarë për një fond që mund të përdoret për këtë qëllim.

Por ish-negociatori Hills thotë se ekipi ligjor i Departamentit të Shtetit ka refuzuar të caktojë zyrtarisht fonde për kompensimin bërthamor për shkak të shqetësimeve rreth pasojave të tjera ligjore që kjo do të mund të kishte./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat