Lufta në Izrael/ Turqia në bisedime me Hamasin për pengjet

Bota

Lufta në Izrael/ Turqia në bisedime me Hamasin për pengjet

Më: 17 tetor 2023 Në ora: 13:18
Foto ilustrim

Turqia është në bisedime me Hamasin për lirimin e të huajve, qytetarëve dhe fëmijëve të mbajtur peng nga kjo organizatë, tha sot ministri i Jashtëm Hakan Fidan.

Kreu i diplomacisë turke ndodhet në Bejrut me ftesë të homologut të tij libanez Abdullah Rashid Bouhabib.

Gjatë një konference për shtyp në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Bejrut, Hakan Fidan deklaroi së bashku me homologun e tij libanez se “shumë vende” i kanë kërkuar Turqisë që të sigurojë lirimin e shtetasve të tyre të mbajtur nga Hamasi. “Prandaj, ne kemi filluar të bisedojmë, veçanërisht me krahun politik të Hamasit”.

Ditën e djeshme, Fidan diskutoi këtë çështje me liderin e Hamasit, Ismail Haniyeh, sipas një burimi të Ministrisë së Jashtme turke.

“Ne po bëjmë gjithçka që mundemi për të parandaluar zhvillimin e luftës në një mënyrë që do të destabilizonte vendet në rajon, veçanërisht Libanin, Egjiptin dhe Jordaninë, tha ai.

Ka ardhur koha që komuniteti ndërkombëtar të ndërmarrë një hap serioz drejt krijimit të një shteti palestinez brenda kufijve të vitit 1967, me Jerusalemin si kryeqytet, tha ministri i Jashtëm turk.

Presidenca turke njoftoi javën e kaluar fillimin e negociatave me Hamasin ppër lirimin e pengjeve. Presidenti turk Tajip Erdogan ofroi ndërmjetësimin e tij dhe shtoi kontaktet e tij me liderët arabë dhe perëndimorë, ashtu si edhe ministri i tij i jashtëm.

Hakan Fidan njoftoi sot pjesëmarrjen e tij në takimin e ministrave të jashtëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, i cili do të mbahet nesër në Jeddah të Arabisë Saudite.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat