Rusia po kërkon të bëhet kontinent me vete, “truri i Putinit” shpalos planet e fundit të Kremlini

Bota

Rusia po kërkon të bëhet kontinent me vete, “truri i Putinit” shpalos planet e fundit të Kremlini

Më: 26 tetor 2023 Në ora: 19:05
Vladimir Putin dhe Aleksandër Dugin

Pushtimi i plotë i Rusisë në Ukrainë ka arritur të bashkojë botën demokratike në një shkallë që nuk është parë në dekada, por përgjigja perëndimore ndaj luftës vazhdon të pengohet nga frika e tepruar për të provokuar Putinin.

Diktatori rus e ka shfrytëzuar me mjeshtëri këtë prirje drejt vetë-parandalimit dhe ka përdorur një sërë kërcënimesh bërthamore të fshehura hollë për të ngadalësuar furnizimin me ndihmë ushtarake për Ukrainën.

Çdo raund i ri i dërgesave të armëve paraprihet nga debate dhe vonesa të pafundme në kryeqytetet perëndimore, duke çuar në humbje më të mëdha të jetëve në Ukrainë, duke e inkurajuar më tej Kremlinin. Moska duket e lumtur që po luan një lojë të tillë dhe po përgatitet për një luftë të gjatë.

Paralelisht nuk e fsheh aspak urrejtjen për Perëndimin, për të cilin sa vjen dhe ashpërson retorikën.

Bota ruse

Së fundmi ka qenë ideologu rus ultra i djathtë i "botës ruse" Aleksandër Dugin, ose siç quhet ndryshe “truri i Putinit”, që ka bërë disa deklarata befasuese, në Asamblenë Botërore të Popullit Rus, në fillim të javës në Shën Petersburg.

Asambleja dha udhëzimet kryesore doktrinale dhe demagogjike të Rusisë së Putinit dhe mblodhi ideologë të shquar të nacionalizmit të ri imperial rus, si biznesmeni Konstantin Malofeev, i cili është gjithashtu një financues i partive dhe lëvizjeve evropiane radikale të djathta dhe të majta, kreun e Kishës Ortodokse Rusedhe përfaqësues të qeverisë ruse dhe institucioneve të tjera shtetërore arsimore dhe kulturore.

Aleksandër Dugin njoftoi zgjerimin e ideologjisë së "botës ruse" në diçka që ai e quajti "ideja ruse". Në këtë koncept të ri, "e kaluara dhe e ardhmja, e majta dhe e djathta" duhet të përshtaten ose të bashkohen, dhe Rusia dhe rusët duhet të jenë "bërthama, qendra dhe baza" e kësaj ideje.

Ai beson se, në fillim, rusët duhet të "eksorciojnë dhe të dëbojnë nga vetja çdo ndikim të Perëndimit" dhe "të heqin qafe atë farë të keqe", sipas portalit Meduza.

Dugin thotë se qytetërimi perëndimor është armiku më i madh i Rusisë, ndërsa "5 qytetërimet" e tjera, kineze, indiane, islamike, afrikane dhe latino-amerikane, nuk janë armiqësore. Kohët e fundit ideja e Rusisë si një kontinent më vete dhe plotësisht i ndarë nga rrethi socio-kulturor evropian ka qarkulluar shpesh.

Lufta me Perëndimin

Konstantin Malofeyev deklaroi se duhet parë nëse Rusia ka nevojë për një Kushtetutë, e cila është një sajesë masonike dhe mbështetet shumë në normat evropiane për vlerat e të drejtave të njeriut.

“Kushtetuta nuk parasheh ideologji shtetërore dhe kjo është problem për një shtet sovran”, thotë Malofejev.

Portali i tij Cargrad citon fjalët e tij: "Deklarata për të drejtat dhe lirinë e njeriut dhe qytetarit është afër idealeve të masonerisë - lirisë, vëllazërisë, barazisë. Problemet ideologjike të Kushtetutës sonë janë një tragjedi për sovranitetin tonë".

Emisari i Patriarkut Kirill, Mitropoliti Varsonofius i Petersburgut tha se "narrativa perëndimore: liria, vëllazëria, barazia, shkatërron kulturën dhe Rusia duhet t'i rezistojë kësaj me "triadën" e saj: Ortodoksinë, autokracinë perandorake, popullin".

Për qasjen dhe edukimin e rinisë ruse në takim foli edhe ministri rus i arsimit dhe shkencës Valerij Faljkov.

“Truri i Putinit”

Sakaq, Aleksandër Dugin, është një filozof dhe nacionalist ekstremist që mbron krijimin e një perandorie të re ruse dhe është gjithashtu një mbështetës i sulmit ushtarak në Ukrainë. Me flokë të gjatë dhe një mjekër gri-të bardhë, Dugin është padyshim një nga ideologët më të njohur të Rusisë dhe është përshkruar në mënyra të ndryshme si "truri i Putinit".

Megjithatë, ndikimi i tij aktual mbi presidentin rus mbetet një temë e diskutimit të nxehtë.

Disa thonë se ai është një figurë e parëndësishme e etur për t'u shfaqur në Kremlin për përfitime personale. Dugin thuhet se ka kërkuar deri në 500 euro (425 £) për intervista me mediat perëndimore.

Vrasja e vajzës së Duginit, Daryas, një gazetare pro-Kremlinit e lidhur ideologjikisht me babain e saj, tronditi shoqërinë ruse vitin e kaluar, pasi “shënjestra” e vërtetë ishte filozofi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat