LIVE: Ngrihen pikëpyetje mbi përfshirjen e Hezbollahut në luftë me Izraelin – Netanyahu flet për ‘dështimin’ ndaj Hamasit

Bota

LIVE: Ngrihen pikëpyetje mbi përfshirjen e Hezbollahut në luftë me Izraelin – Netanyahu flet për ‘dështimin’ ndaj Hamasit

Nga: Bota sot Më: 2 nëntor 2023 Në ora: 06:21 Përditësuar në ora: 00:25 më 03.11.2023
Foto nga vendi i ngjarjes

Izraeli thotë se ka rrethuar qytetin e Gazës

Forcat izraelite njoftuan të enjten se kanë rrethuar Gazën, qyteti kryesor i Rripit të Gazës, në përpjekjet për eliminimin e Hamasit. Grupi militant palestinez reagoi duke ndërmarrë sulme guerile nga tunelet nëntokësore.

Qyteti që shtrihet në pjesën veriore të Rripit të Gazës është bërë epiqendra e sulmit të ushtrisë izraelite, e cila është zotuar që ta asgjësojë strukturën komanduese të grupit islamik dhe u ka thënë civilëve që të largohen drejt jugut.

“Jemi në kulmin e betejës. Kemi pasur suksese të rëndësishme dhe kemi përparuar përtej periferisë së qytetit të Gazës. Ne po avancojmë”, deklaroi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu. Ai nuk dha detaje të tjera.

Mes shpërthimeve të forta në Gaza, zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari, u tha gazetarëve se: “trupat kishin rrethuar qytetin e Gazës, pika qendrore e organizatës terroriste Hamas”, siç u shpreh ai.

Gjenerali Iddo Mizrahi, shef i inxhinierëve ushtarakë të Izraelit, tha se trupat po ndesheshin me mina dhe kurthe.

“Hamasi ka mësuar dhe e ka përgatitur veten mirë”, tha ai.

Abu Ubaida, zëdhënës i krahut të armatosur të Hamasit, tha në një dalje televizive të enjten se numri i të vdekurve nga radhët e Izraelit në Gaza ishte shumë më i lartë sesa kishte njoftuar ushtria.

“Ushtarët tuaj do të kthehen në arkivole”, tha ai.

Izraeli thotë se ka humbur 18 ushtarë dhe ka vrarë dhjetëra militantë që nga zgjerimi i operacioneve tokësore të premten.

Banorët, të cilët treguan filmime nga beteja, thanë se Hamasi dhe luftëtarët aleatë të Xhihadit Islamik dilnin nga tunelet dhe sulmonin tanket dhe pastaj zhdukeshin në labiritin e nëndheshëm.

Në një video ushtarake të Hamasit, një luftëtar del në sipërfaqe në një fushë të Gazës dhe vendos mjetin shpërthyes në një tank. Shpërthimi dëgjohet teksa luftëtari, i cili duket se ka një kamera trupore për të dokumentuar aksionin, vrapon dhe futet në tunel dhe qëllon me një raketë drejt tankut.

Ekspertët e OKB-së thanë se civilët palestinezë rrezikoheshin nga gjenocidi. Popullsia civile palestineze përballet me mungesa ushqimesh, uji, ilaçesh dhe karburanti.

“Uji po përdoret si një armë lufte”, tha Juliette Touma, zëdhënëse e agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë UNRWA.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, është nisur drejt Lindjes së Mesme ku do të diskutojë për hapa konkretë për të minimizuar dëmtimin e civilëve në Gaza.

Mbi një e treta e 35 spitaleve të Gazës nuk funksionojnë, ndërsa shumë prej tyre janë kthyer në kampe të improvizuara refugjatësh.

“Situata është përtej katastrofike”, tha shoqata bamirëse ‘Ndihma Mjekësore për Palestinezët’, duke përshkruar korridoret e tejmbushura dhe shumë mjekë të pastrehë që kishin humbuar të afërmit e tyre.

“Jemi të bindur se populli palestinez rrezikohet shumë nga gjenocidi”, thanë shtatë raportues të posaçëm të OKB-së në Gjenevë. “Ne kërkojmë një armëpushim humanitar për të siguruar që ndihma të arrijë tek ata që kanë më shumë nevojë për të”.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, John Kirby, tha të enjten se pauzat e përkohshme humanitare në zona të caktuara nuk do ta pengonin mbrojtjen e Izraelit.

“Ajo që ne po përpiqemi të bëjmë është të eksplorojmë idenë e sa më shumë pauzave që mund të jenë të nevojshme për të siguruar ndihmat humanitare, për të vazhduar evakuimin e banorëve, përfshirë pengjet”, tha për shtypin zoti Kirby.

Në takimet e tij në Izrael dhe Jordani të premten, kryediplomati Blinken tha se do të diskutonte gjithashtu mbi të ardhmen e Gazës dhe hedhjen e bazave për një shtet të ardhshëm palestinez./VOA

Netanyahu shmang përgjegjësinë për dështimin për të parandaluar sulmin e Hamasit

Pas sulmit të tmerrshëm, që shënoi ditën më të përgjakshme në historinë 75 vjeçare të shtetit të Izraelit, zoti Netanyahu vazhdimisht ka shmangur përgjegjësinë. Ai ka fajësuar të tjerët dhe kritikët thonë se kjo dëshmon se ai është një udhëheqës i preokupuar më shumë për mbijetesën e tij politike, sesa për të udhëhequr dhe ngushëlluar një popull të traumatizuar.

“Netanyahu po bën një bejetë personale për të mbijetuar dhe kjo për të ka më shumë përparësi se lufta e Izraelit kundër Hamasit”, tha gazetari dhe autori i biografisë së zotit Netanyahu, Ashnel Pfeffer. “Si pjesë të kësaj beteje, ai është i gatshëm t’i dëmtojë ata që po udhëheqin aktualisht ushtrinë dhe shërbimet e zbulimit të Izraelit”.

Kur qindra militantë të armatosur të Hamasit thyen sistemin e sigurisë të Izraelit dhe sulmuan vendbanimet izraelite, forcat e sigurisë së Izraelit u zunë në befasi. Rreth 1,400 njerëz u vranë para se ushtarët të mbërrinin në vendin e ngjarjes. Lufta ka lënë mbi 9,000 palestinezë të vrarë, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë, dhe ka shkatërruar shumë pjesë të Gazës.

Sulmi ka shembur edhe besimin e gjerë që kishte ushtria, shërbimet e zbulimit dhe udhëheqësit politik, se Hamasi nuk ishte i interesuar për një konflikt të ri dhe se fuqia ushtarake e Izraelit mund ta parandalonte grupin militant.

Udhëheqësit kryesorë të sigurisë në Izrael, përfshirë shefin e shtabit, ministrin e mbrojtjes dhe kreun e agjencisë së brendshme të zbulimit të njohur si “Shin Bet”, morën përgjegjësi për gabimin trashanik disa ditë pas sulmit.

Megjithatë, zoti Netanyahu nuk ka marrë përgjegjësi për gabimet që çuan deri tek sulmi i përgjakshëm, pavarësisht faktit se ka shërbyer si kryeministër, në 13 nga 14 vitet e fundit. Ai thotë se ka kohë për hetime – pas luftës.

“Ky dështim do të hetohet. Të gjithë do të duhet të përgjigjen, sikurse edhe unë”, deklaroi zoti Netanyahu dy javë pas sulmit. Por ai ka hedhur poshtë kritikat dhe ka kundërshtuar thirrjet për dorëheqje.

“E vetmja gjë që synoj të largoj është Hamasi. Do ta hedhim atë në koshin e historisë”, u tha ai gazetarëve javën e kaluar. “Kjo është përgjegjësia ime”, shtoi ai.

Zoti Netanyahu, një figurë polarizuese në Izrael, po kritikohet edhe për mënyrën se si po i kundërpërgjigjet krizës.

Ai akuzohet se ka dështuar të unifikojë vendin përmes ndonjë fjalimi shpresëdhënës apo ndonjë gjesti të ngjashëm. Shumë izraelitë kanë marrë si shembull qëndrimin e Presidentit amerikan Joe Biden, që vizitoi Izraelin në ditët e para pas sulmit, duke thënë se e përmbushi më mirë atë rol.

Zoti Netanyahu është kritikuar se i ka vizituar vonë familjet e mbi 240 pengjeve që besohet se janë rrëmbyer nga Hamasi, shumica e të cilëve me prirje liberale, që nuk votojnë për zotin Netanyahu. Ekonomia po del nga kontrolli dhe izraelitët po ankohen për ndërhyrjen e ngadalshme të qeverisë për t’u dalë në ndihmë 250,000 izraelitëve të zhvendosur.

Por kritika më e madhe i erdhi gjatë fundjavës nga Benny Gantz, partneri i koalicionit, pasi zoti Netanyahu fajësoi drejtuesit e sektorit të sigurisë përmes rrjeteve sociale, se nuk e kishin paralajmëruar për qëllimet e Hamasit dhe se e kishin këshilluar që grupi militant ishte parandaluar.

“Gjatë luftës, udhëheqësit duhet të veprojnë me përgjegjësi”, tha zoti Gantz në një postim në platformën X.

Kryeministri Netanyahu e tërhoqi deklaratën dhe më vonë kërkoi falje.

Por kritikët thonë se dëmi u shkaktua. Hulumtuesi Idit Shafran Gittleman në Institutin për Studime mbi Sigurinë Kombëtare tha se komenti i kryeministrit Netanyahu në rrjetet sociale erdhi në kohën kur besimi në shërbimet izraelite të sigurisë gjendet në pikën më të ulët.

“Është e dëmshme për udhëheqësit e sektorit të sigurisë dhe gjithashtu dëmton besimin e ushtarëve në terren”, të cilët e shohin kryeministrit e tyre të përqendruar në gjëra të tjera dhe jo tek fitorja.

Përplasjet e kryeministrit Netanyahu me udhëheqësit e sektorit të sigurisë nuk janë risi dhe ato datojnë që kur filluan tensionet rreth reformës së kontestuar të drejtësisë në Izrael.

Aleatët e zotit Netanyahu dhe baza e tij elektorale thonë se ai po kritikohet padrejtësisht nga të njëjtat personalitete në media dhe në publik që e kanë kundërshtuar për një kohë të gjatë.

“Ose duhet të presim një hetim që do të përcaktojë fajin dhe të përqendrohemi në fitoren ndaj Hamasit ose të fillojmë ta fajësojmë njëri-tjetrin, por edhe Netanyahu ka të drejtë të përgjigjet”, shkruante gazetari Shimon Riklin, qe njihet për afërsinë e tij me zotin Netanyahu.

Anketat tregojnë se përkrahja për partinë politike Likud të Netanyahut ka pësuar rënie, ndërkohë që publiku e konsideron atë shumë më pak të përshtatshëm për të qeverisur se kundërshtarin e tij kryesor zotin Gantz. Po të mbahen zgjedhjet sot, koalicioni i zotit Netanyahu nuk do ta kishte as për së afërmi përkrahjen që i duhet për të qeverisur.

Ish gjenerali ushtarak Noam Tibon, i cili kishte kritikuar reformën e gjyqësorit dhe që shpëtoi djalin dhe familjen e tij nga sulmi i Hamasit, tha se vendit i duhet unitet për ta fituar luftën, por akuzoi zotin Netanyahu se po mbillte ndasi.

“Çdo izraelit duhet të pyesë veten: “A beson se Netanyahu mund ta çojë Izraelin drejt fitores në këtë luftë?/VOA

Biden thotë se 74 amerikanë janë larguar nga Gaza

Shtetet e Bashkuara ia kanë dalë t’i largojnë nga Rripi i Gazës 74 amerikanë me dyshtetësi, tha të enjten presidenti amerikan, Joe Biden, një ditë pasi nisi evakuimi nga Gaza përmes pikëkalimit kufitar me Egjiptin, Rafah.

“Lajm i mirë, ne i nxorëm sot [nga Gaza] 74 amerikanë me dyshtetësi”, tha presidenti Biden para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

Biden kishte thënë se qytetarët amerikanë do të mundë të fillonin të largoheshin nga Gaza të mërkurën.

Gaza, një vend i vogël mesdhetar, po përballet me bombardime të pareshtura izraelite prej se grupi militant palestinez, Hamas, kreu sulme në qytetet e Izraelit jugor më 7 tetor, ku i vrau mbi 1.400 njerëz dhe i mori mbi 40 pengje për në Gazë.

Hollësi shtesë se kush kishte mundësi të largohej nga Gaza dhe kur nuk u bënë publike.

Bideni e përkrah fuqishëm Izraelin – të cilin e vizitoi muajin e kaluar pas sulmeve – por e ka ndryshuar reagimin në javët e fundit, duke e parë përkeqësimin e situatës humanitare në Gazë dhe rritjen e numrit të civilëve të vrarë.

Ministria e Shëndetësisë e Gazës, e cila udhëhiqet nga Hamasi, thotë se më shumë se 9.000 palestinezë janë vrarë nga bombardimet izraelite në enklavën me 2.3 milionë banorë prej 7 tetorit./ REL

A do të futej Hezbollahu në luftë me Izraelin? Analistët janë të ndarë

Analistët janë të ndarë nëse militantët e grupit Hezbollah të Libanit do të bëheshin pjesë e konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit, në një dimenson më të gjerë, përtej asaj që po ndodh aktualisht, lëshimit të raketave në kufirin izraelito-libanez.

Ky grup paraushtarak i mbështetur nga Irani, paraqet një rrezik potencialisht më të madh për Izraelin sesa Hamasi. Por nëse Hezbollahu do të hynte në luftë, ka të ngjarë të tërhiqte me vete edhe Libanin, një vend me probleme të mëdha ekonomike.

Të premten Hassan Nasrallah, udhëheqësi i Hezbollahut pritet të mbajë një fjalim, gjë që ka krijuar shqetësime tek disa njerëz në Liban dhe në mbarë Lindjen e Mesme.

Analistët thonë se në një farë mënyre mes Hezbollahut ka mëdyshje, pasi grupi e ka pozicionuar veten si lëvizja kryesore e rezistencës kundër Izraelit. Pra, si do të mund të qëndronte ai në periferi të konfliktit Izrael-Hamas në Gazë?!

Benjamin Allison i Universitetit të Teksasit vë në dukje "arsenalin e jashtëzakonshëm të municioneve me preçizion, si raketa e dronë", të Hezbollahut, ndryshe nga ato që zotëron Hamasi.

Në një artikull të botuar në faqen në internet të institutit “Lawfare”, që trajton çështje të sigurisë, ai shkruante se "armët inteligjente", të Hezbollahut, paraqesin një "rrezik serioz për infrastrukturën e Izraelit dhe madje mund ta tundojnë atë (Izraelin) të nisë një luftë për të parandaluar rrezikun”.

Ministri i Jashtëm i Libanit, Abdullah Bou Habib tha se as Libani dhe as Hezbollahu nuk duan luftë me Izraelin, sepse kjo sipas tij do të sillte katastrofë për Libanin, i cili po përballet me një krizë të gjerë ekonomike.

Analistja libaneze Dania Koleilat Khatib tha për Zërin e Amerikës se Hezbollahu po përgatitet për një “plan B” dhe për momentin po "kontrollon ritmin" e sulmeve me raketa që po lëshohen nga dy anët e kufirit Liban-Izrael.

Zonja Khatib, Presidente e Qendrës Kërkimore për Bashkëpunim dhe Ndërtimin e Paqes në Bejrut, tha se Hezbollahu ka të ngjarë të hyjë në një luftë me Izraelin vetëm në një ose dy raste. Një prej tyre, sipas saj do të ishte nëse Izraeli do të ishte i suksesshëm në eliminimin e Hamasit.

"Nëse Hamasi çrrënjoset, ata (Hezbollahu) e dinë shumë mirë se do të jetë radha e tyre", tha ajo.

Rasti tjetër sipas zonjës Khatib, do të ishte nëse Izraeli do të bombardonte Libanin.

"Ajo që Hezbollahu po bën aktualisht është t’i mbajnë të zëna Forcat izraelite të mbrojtjes në veri. Të hutojë burimet e zbulimit dhe t’i mbajë izraelitët të frikësuar. Për momentin po krijon një lloj fronti për shpërqëndrim”, tha ajo.

Rami Khoury i Universitetit Amerikan të Bejrutit, duke folur për Qendrën Arabe me bazë në Uashington, tha se Hezbollahu "gëzon respekt në Izrael për shkak të rezistencës dhe kurajos së tij".

Ai pret që bashkëpunëtori kryesor i Iranit, të ruajë trysninë në kufirin verior të Izraelit.

“Hezbollahu do të vazhdojë t'i krijojë shqetësime Izraelit. Ata po vënë në provë gjatë gjithë kohës përgjigjen izraelite, ndjenjat e tyre, sa dinamike janë trupat, apo nëse janë të frikësuar. Pra, ata sulmojnë një postbllok të vogël diku, dërgojnë një dron dikur tjetër, sulmojnë një ushtar gjetkë. Ajo që po përpiqen të bëjnë është të krijojnë terror psikologjik dhe frikë mes izraelitëve, në vend që t'i sulmojnë ata me një mijë raketa, gjë që mund të ndodhë nëse hyjnë në luftë", thotë zoti Khoury.

Por megjithatë zoti Khoury mendon se nuk ka gjasa që Hezbollahu të hyjë në luftë.

"Nuk mendoj se ata do të hyjnë në një luftë në shkallë të gjerë. Po kështu dhe iranianët. Por kjo nuk përjashtohet, sepse nëse lufta shkon mirë ose keq, ata mund t’i bashkohen asaj. Megjithatë ende mendoj se ka pak gjasa që të ndodhë”.

Maha Yahya, drejtore e Qendrës për Lindjen e Mesme ‘Carnegie’ në Bejrut, tha për gazetën ‘The New York Times’ se Irani ka të ngjarë të mos e shpërdorojë forcën e Hezbollahut gjatë kësaj periudhe, sepse rreziku është shumë i lartë me "dy aeroplanmbajtëse amerikane të dislokuara në Mesdhe, të cilat mund ta godasin këtë grup”.

​Spitalet nuk mund të jenë pjesë e asnjë luftimi, paralajmëron OKB

OKB-ja paralajmëroi të enjten se spitalet nuk mund të jenë pjesë e luftimit pas raportimeve se spitali kryesor i kancerit në Gaza doli jashtë funksionit për shkak të sulmeve ajrore izraelite dhe mungesës së karburantit.

"Spitalit të Miqësisë Turko-Palestineze në qytetin e Gazës thuhet se i mbaroi karburanti dje dhe u detyrua të ndalojë shumicën e aktiviteteve të tij për 70 pacientë me kancer dhe rreziqe serioze", u tha gazetarëve zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric.

"Mendoj se kjo vetëm nënvizon një situatë tragjike humanitare", tha ai, duke vënë në dukje nevojën për të lejuar karburantet në Gaza.

"Spitalet nuk mund të evakuohen", tha ai. "Është gjithashtu një rikujtues i faktit se spitalet nuk mund të jenë pjesë e asnjë lufte."

Vërejtjet erdhën pasi Spitali i Miqësisë Turko-Palestineze, i vetmi spital publik për pacientët me kancer në Rripin e Gazës, doli nga shërbimi të mërkurën. /AA

Gjermania ndalon çdo aktivitet të lidhur me Hamasin

Nga: A.Sh

Qeveria gjermane ka ndaluar aktivitetet e Hamasit – tashmë të cilësuar si organizatë terroriste në vend.

Ministrja e Brendshme Nancy Faeser tha: "Unë sot kam ndaluar plotësisht aktivitetet e një organizate terroriste, qëllimi i së cilës është të shkatërrojë shtetin e Izraelit".

Do të thotë se do të jetë vepër penale të bësh takime në emër të Hamasit ose të përhapësh propagandën e tyre.

Faeser njoftoi gjithashtu se rrjeti pro-palestinez, i njohur si Samidoun, do të shpërbëhej brenda Gjermanisë.

Muajin e kaluar kancelari Olaf Scholz tha se anëtarët e tij kishin festuar "terrorin" e Hamasit në Izrael në rrugët gjermane.

Numri i palestinezëve të vrarë në Gaza i kalon 9,000, thotë ministria

Nga: A.Sh

Numri i njerëzve të vrarë në Gaza nga sulmet ajrore izraelite është rritur në 9,061, sipas ministrisë së shëndetësisë të Gazës të udhëhequr nga Hamasi.

Midis të vdekurve janë 3,760 fëmijë, tha ai.

Kjo do të thotë se numri i të vdekurve është rritur me më shumë se 260 njerëz që nga përditësimi i fundit i ministrisë së shëndetësisë, dje, kur tha se 8,796 njerëz kishin vdekur - 3,648 prej tyre fëmijë.

Izraeli thotë se 242 pengje janë marrë nga Hamasi

Nga: A.Sh

Në konferencën e përditshme të IDF, zëdhënësi Daniel Hagari thotë se ushtria ka kontaktuar me familjet e 242 pengjeve që mbahen në Gaza.

Numri i fundit i raportuar ishte 239.

Hamasi thotë se i ka fshehur pengjet në të gjithë Gazën, duke përfshirë në tunele. Javën e kaluar, ata thanë se të paktën 50 pengje ishin vrarë nga sulmet ajrore izraelite - një shifër që nuk mund të verifikohet.

Dhe dje, Hamasi tha se shtatë pengje u vranë në një sulm ajror në kampin e refugjatëve Jabalia.

Rritet numri i luftëtarëve të Hezbollahut të vrarë

Nga: A.Sh

Numri i luftëtarëve të Hezbollahut të vrarë që nga 7 tetori është rritur në 50, ka thënë grupi.

Militantët e mbështetur nga Irani në Liban dhanë numrin e fundit të vdekjeve në 47, pas përleshjeve me Izraelin përtej kufirit libanez pas sulmeve të Hamasit më 7 tetor.

Shumica janë vrarë në sulme me dron, por Hezbollah zbuloi aftësinë e tij të parë raketore tokë-ajër të dielën.

Kujtojmë, se Hezbollahu humbi 263 luftëtarë në luftën e vitit 2006 me Izraelin, e shkaktuar pasi grupi nisi një bastisje në vend dhe rrëmbeu dy ushtarë izraelitë.

Që atëherë, ajo ka paralajmëruar se armatura e saj tani përfshin drone dhe raketa që mund të godasin të gjitha pjesët e Izraelit, por deri më tani është përmbajtur nga lëshimi i raketave.

Përleshjet midis Izraelit dhe Hezbollahut që nga sulmet e Hamasit janë frenuar gjerësisht në një brez të ngushtë toke prej 4 km që kalon përgjatë kufirit.

Udhëheqësi i Hezbollahut, Sayyed Hassan Nasrallah do të mbajë një fjalim nesër, në atë që do të jetë fjalimi i tij i parë që nga shpërthimi i konfliktit Izrael-Hamas.

Vazhdojnë shkëmbimet e zjarrit në kufirin Izrael-Liban

Nga: A.Sh

Ushtria izraelite konfirmon se një nga dronët e saj është rrëzuar nga një raketë tokë-ajër e lëshuar nga Libani.

Në përgjigje, ushtria tha se sulmoi skuadrën që kreu të shtënat dhe vendin nga ku u lëshua raketa.

Kjo është hera e dytë që nga fillimi i luftës që Hezbollahu godet një dron izraelit.

Për tre javët e fundit, grupi i armatosur shiit libanez dhe ushtria izraelite janë përfshirë në përleshje, relativisht të kufizuara në shtrirjen dhe gjeografinë e tyre. Por që nga java e kaluar, ne kemi parë që të dyja palët të gjuajnë më thellë në territorin e njëra-tjetrës, në një lëvizje që ekspertët thonë se shënon një nivel të ri konfrontimi.

Të premten, udhëheqësi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah është planifikuar të mbajë fjalimin e tij të parë publik që nga 7 tetori.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat