Zyrtari amerikan: Përpjekje intensive nga Uashingtoni për të nxjerrë pengjet nga Rripi i Gazës

Bota

Zyrtari amerikan: Përpjekje intensive nga Uashingtoni për të nxjerrë pengjet nga Rripi i Gazës

Më: 4 nëntor 2023 Në ora: 08:08
Foto nga vendi i ngjarjes

Zyrtarët amerikanë po bëjnë përpjekje intensive për të siguruar lirimin e personave që mbahen peng nga militantët e Hamasit në Gazë, tha të premten një zyrtar i lartë i administratës Biden. Por ai shtoi se nuk ka asnjë garanci për sukses apo ndonjë afat kohor se kur mund të ndodhë një gjë e tillë.

Zyrtari, i cili foli për gazetarët në kushte anonimiteti, tha se falë një "angazhimi jo të drejtpërdrejtë", po synohej gjetja e një mënyrë për të nxjerrë pengjet, por puna në këtë drejtim siç tha ai, ishte jashtëzakonisht e vështirë.

Grupi militant i Hamasit, që sundon në Rripin e Gazës, vrau 1,400 persona dhe mori peng më shumë se 240 të tjerë, në një sulm të 7 tetorit në pjesën jugore të Izraelit.

Shumë nga pengjet mbahen ende në Gazë, një rajon që po përballet me sulme ajrore dhe një sulm tokësor izraelit.

Zyrtari amerikan tha se do të nevojitej një "pauzë e konfliktit" për të nxjerrë pengjet.

"Është diçka për të cilën po zhvillohet një diskutim shumë serioz dhe aktiv... Nuk ka ende një marrëveshje për ta realizuar një gjë të tillë, por është diçka për të cilën po punojmë jashtëzakonisht shumë", tha ai.

"Ne shpresojmë të bëjmë gjithçka që mundemi për të nxjerrë pengjet, por nuk ka absolutisht asnjë garanci, e para; nëse do të ndodhë dhe e dyta; se kur do të ndodhë", shtoi zyrtari amerikan.

"Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për të siguruar që të gjithë pengjet, e të gjitha kombësive, të dalin nga rripi i Gazës. Po zhvillohet një proces aktiv, me shumë linja përpjekjesh, duke përfshirë angazhimin jo të drejtpërdrejtë për të gjetur një mënyrë për t’i nxjerrë pengjet nga Rripi i Gazës”, tha zyrtari.

Ai shtoi se administrata po negocionte gjithashtu me Hamasin për lejimin e shtetasve të huaj të bllokuar në Gazë, që të largoheshin të sigurt nga rajoni. Ai tha se bisedimet ishin të vështira dhe se kishte patur edhe një kërkesë nga Hamasi për të nxjerrë nga rajoni edhe disa nga luftëtarët e tyre.

Zyrtari tha se kërkesa ishte konsideruar e papranueshme nga zyrtarët amerikanë dhe izraelitë dhe ishte refuzuar./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat