Guterres: Gaza po shndërrohet në varrezë për fëmijët

Bota

Guterres: Gaza po shndërrohet në varrezë për fëmijët

Më: 6 nëntor 2023 Në ora: 23:10
Antonio Guterres

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres ka deklaruar se mbrojtja e civilëve do të duhej të ishte çështja më e rëndësishme në konfliktin mes Izraelit dhe militantëve palestinezë të Hamasit, duke paralajmëruar që Gaza është duke u shndërruar në një varrezë për fëmijë.

“Duhet të veprojmë tani dhe të gjejmë një dalje nga kjo rrugë e tmerrshme që deri më tani duket se nuk po ka dalje”, tha Guterres sot para gazetarëve duke bërë thirrje sërish për armëpushim humanitar.

Izraeli është zotuar se do ta heqë nga faqja e dheut Hamasit, që qeverisë me Rripin e Gazës, pasi që militantët e Hamasit vranë 1.400 persona dhe morën peng 240 tjerë në sulmin e 7 tetorit në Izrael.

“Gaza po shndërrohet në varrezë për fëmijë. Qindra vajza dhe djem po vriten apo plagosen çdo ditë”, tha Guterres.

Ai theksoi se po ndodhin shkelje të ligjeve ndërkombëtare humanitare. Tha se Kombeve të Bashkuara i duhen 1.2 miliard dollarë që të ndihmojë në shpërndarjen e ndihmave për 2.7 milionë njerëz në Gazë dhe Bregun Perëndimor.

“Operacionet tokësore të forcave izraelite dhe bombardimet e vazhdueshme shënjestrojnë civilët, spitalet dhe kampet e refugjatëve, xhamitë, kishat dhe vendbanimet e punonjësve të Kombeve të Bashkuara. Askush nuk është i sigurtë. Në të njëjtën kohë, Hamasi dhe militantët e tjerë po shfrytëzojnë civilët si mburojë dhe po vazhdojnë në mënyrë jo selektive të gjuajnë raketa drejt Izraelit”, tha për fund Guterres. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat