LIVE: “Humbjet janë më të mëdha”, vjen deklarata shokuese nga Ukraina, zbardhen gabimet dhe tmerret në front

Bota

LIVE: “Humbjet janë më të mëdha”, vjen deklarata shokuese nga Ukraina, zbardhen gabimet dhe tmerret në front

Nga: BOTA SOT Më: 8 nëntor 2023 Në ora: 06:24 Përditësuar në ora: 13:07 më 08.11.2023
Pamje nga lufta në Ukrainë

"Humbjet janë më të mëdha": Ish-mjeku ushtarak ukrainas tregon gabimet dhe tmerret në front

Ish-mjeku ushtarak ukrainas, Roman Zamriy, tregon tmerret dhe sfidat gjatë përkujdesjes në vijën e frontit, përfshirë gabimet fatale të bëra gjatë luftimeve.

Zamriy, i cili planifikonte rrugë evakuimi për ushtarët e plagosur, thotë se mund të duhen ditë para se ata të zhvendosen nga pozicionet në front.

Duke folur për REL-in, mjeku veteran thotë se “humbjet janë më të mëdha sesa që raportohet në TV”. 

Ukraina pret “konkluzion historik” për anëtarësim në BE, thotë Zelensky

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se Kievi është tashmë duke i planifikuar hapat që do t’i ndërmarrë pasi Komisioni Evropian (KE) ta publikojë më 8 nëntor një raport për përparimin e Ukrainës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE).

“Nesër është një ditë e rëndësishme”, tha Zelensky mbrëmjen e 7 nëntorit.

“Ne presim një konkluzion historik nga Bashkimi Evropian – një raport rreth zbatimit të rekomandimeve të Komisionit Evropian nga ana e Ukrainës”, shtoi ai.

Zelensky tha se Ukraina e ka bërë një rrugë të gjatë drejt ndërtimit të marrëdhënieve të forta me BE-në dhe se është plotësisht e vetëdijshme se vendimi për anëtarësimin e saj është politik, i cili varet edhe nga kandidati dhe puna e tij për t’u përshtatur me standardet dhe normat e BE-së.

“Ukraina do t’i bashkohet BE-së. Dhe, ne do ta arrijmë këtë falë ndryshimit të brendshëm të shtetit tonë, i cili është plotësisht në përputhje me interesat e popullit tonë”, theksoi ai.

Raporti i KE-së do të vlerësojë në hollësi se sa shumë i ka përmbushur Ukraina kriteret ekonomike, ligjore dhe të tjera, të cilat janë të nevojshme për fillimin e bisedimeve për anëtarësim.

Njëzet e shtatë vendet anëtare pritet të mblidhen në një samit në dhjetor për të vendosur se a ta lejojnë apo jo Kievin t’i nisë bisedimet për anëtarësim. Vendimi duhet ta ketë mbështetjen unanime të të gjithë anëtarëve të bllokut.

Ukraina aplikoi për t’iu bashkuar BE-së pasi Rusia e nisi pushtimin e saj të plotë në shkurt 2022. Këshilli Evropian ua dha statusin e vendit kandidat Ukrainës dhe Moldavisë në qershor të atij viti.

Rusia tërhiqet nga marrëveshja kyçe e Luftës së Ftohtë, NATO dënon vendimin: Minon sistemin e sigurisë euroatlantike

NATO dënoi të martën vendimin e Rusisë për t’u tërhequr nga Traktati për Forcat e Armatosura Konvencionale në Evropë, një marrëveshje kyçe e pas Luftës së Ftohtë. Si përgjigje ndaj këtij zhvillimi aleanca njoftoi se do të pezullonte detyrimet e saj në kuadër të traktatit.

Rusia u tërhoq zyrtarisht nga traktati i sigurisë, që përcaktonte kufizime mbi kategoritë kryesore të armëve konvencionale, duke fajësuar Shtetet e Bashkuara për minimin e sigurisë me zgjerimin e aleancës ushtarake të NATO-s.

“Aleatët dënojnë vendimin e Rusisë për t’u tërhequr nga Traktati për Forcat e Armatosura Konvencionale në Evropë (CFE) dhe agresionin e saj kundër Ukrainës, që është në kundërshtim me objektivat e Traktatit”, thuhej në një deklaratë të NATO-s.

“Vendimi i Rusisë është veprimi më i fundit i saj në drejtim të minimit sistematik të sigurisë euroatlantike”, thuhej më tej në deklaratë.

Për pasojë, vendet aleate synojnë të pezullojnë funksionimin e traktatit për aq kohë sa të jetë e nevojshme, në përputhje me të drejtat e tyre sipas ligjit ndërkombëtar. Ky është një vendim i mbështetur plotësisht nga të gjithë aleatët e NATO-s”.

Shtetet e Bashkuara thanë se do të pezullonin detyrimet në kuadër të traktatit duke filluar nga 7 dhjetori.

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës dhe tërheqja e saj prej traktatit “ndryshojnë rrënjësisht” rrethanat që lidhen me të (traktatin) dhe transformojnë detyrimet e pjesëmarrësve në të”, tha këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan.

Rusia pezulloi pjesëmarrjen në traktat në vitin 2007 dhe në vitin 2015 njoftoi synimin e saj për t’u tërhequr plotësisht prej tij.

Zoti Sullivan tha se pavarësisht mospërfilljes së vazhdueshme të Moskës për kontrollin e armëve, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj, mbeten të përkushtuar ndaj kontrollit efektiv të armëve konvencionale.

Përshkallëzohen tensionet me Rusinë, Moldavia akuzohet për shtypjen e opozitës pro-ruse

Rusia ka akuzuar partinë udhëheqëse në Moldavi se ka udhëhequr “një fushatë shtypjeje” kundër opozitës gjatë zgjedhjeve lokale që u mbajtën fundjavën që shkoi.

Partia pro-perëndimore e presidentes moldave, Maia Sandu, doli e para në zgjedhje, por nuk kori rezultate të kënaqshme në zgjedhje, përfshirë në kryeqytetin moldav, Kishiniev.

Me tensionet që janë të larta që kur Rusia ka nisur ofensivën e saj në Ukrainën fqinje, Moldavia në minutat e fundit ndaloi një parti pro-ruse që të merrte pjesë në zgjedhje, duke e akuzuar se ka përdorur fonde të paligjshme nga Moska.

Përmes një deklarate, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, tha se zgjedhjet kishin “forcuar pozicionin e forcave opozitare”.

Ajo tha se Moldavia ka ndërmarrë “një fushatë të paprecedent shtypjeje kundër opozitës” dhe e akuzoi shtetin për “diskriminim” të kandidatëve që flasin gjuhën ruse.

Vëzhguesit ndërkombëtar nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) gjatë fundjavës shprehën shqetësim lidhur me “ndërhyrjen nga jashtëm dhe pretendime për blerjen e votave” në zgjedhjet lokale në Moldavi.

Përmes një deklarate, vëzhguesit e OSBE-së po ashtu shprehën keqardhje për “përdorimin e gjerë të fuqive ekzekutive gjatë gjendjes së jashtëzakonshme që në minutat e fundit ndaluan garën e disa kandidatëve, por edhe bllokimet e shumta të mediave”.

Akuzat e Rusisë vijnë teksa pushtimi rus i Ukrainës po zhvillohet qe 20 muaj.

Moldavia, që ka qenë pjesë e Bashkimit Sovjetik, ka aplikuar për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian dhe vazhdimisht e ka akuzuar Rusinë se ndërhyn në çështjet e saj të brendshme.

Sulm me raketa në Donetsk, raportohet për 6 të vdekur dhe 11 të plagosur

Një sulm me raketa raportohet të ketë ndodhur në Donetsk, ku të paktën 6 persona kanë humbur jetën.

Kështu njoftoi kreu i rajonit ukrainas të pushtuar, Denis Pushilin. “Gjashtë persona u vranë dhe 11 u plagosën nga sulmet në qendër të Donetskut”, shkruan Pushilin në një postim në platformën Telegram. Një shërbim social, një qendër mjekësore dhe banesa u goditën në sulmin me raketa, që i atribuohen forcave të armatosura ukrainase, sipas të njëjtit burim.

Kryebashkiaku i emëruar nga Moska, Alexei Kulemzin tha se gjashtë persona u vranë kur çatia e një ndërtese të zyrës publike u shemb. Një “predhë armike” goditi gjithashtu një magazinë në një lagje tjetër të qytetit Donetsk, shtoi ai.

Donetsk është një nga katër rajonet e Ukrainës të aneksuara ilegalisht nga Rusia vitin e kaluar. Forcat e armatosura ukrainase nisën një kundërofensivë në qershor me qëllim të çlirimit të territoreve të pushtuara, pa arritur deri më tani rezultatet e pritura.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat