Përballë kritikave, Shtetet e Bashkuara përdorin një mjet të njohur të politikës së jashtme

Bota

Përballë kritikave, Shtetet e Bashkuara përdorin një mjet të njohur të politikës së jashtme

Më: 17 nëntor 2023 Në ora: 20:39
Foto ilustrim

Ndërkohë që trysnia ndaj Izraelit po shtohet për shkak të numrit të shtuar të të vrarëve në Gazë dhe pamjet rreth vuajtjeve të palestinezëve po vërshojnë në rrjetet sociale, Shtetet e Bashkuara po i drejtohen një mjeti të testuar në traditën e politikës së tyre të jashtme: publikimit të informacioneve të zbulimit.

Shtëpia e Bardhë dhe Pentagoni njoftuan të martën se Shtetet e Bashkuara kanë informacion që mbështet pretendimet e Izraelit, se Hamasi, të cilin Uashingtoni e ka shpallur organizatë terroriste para shumë kohe, po shfrytëzonte spitalin Shifa në Gazë si qendër komande për organizimin e sulmeve kundër Izraelit.

“Kemi informata që konfirmojnë se Hamasi po përdor spitalin në fjalë si nyje të komandës dhe kontrollit,” zëdhënësi i Këshillit për Siguri Kombëtare John Kirby u tha gazetarëve që po udhëtonin me Presidentin Biden.

“Kanë armë të strehuara aty dhe janë të gatshëm t’i përgjigjen operacionit ushtarak izraelit në këtë kompleks ndërtesash,” tha zëdhënësja e Pentagonit Sabrina Sighn, duke shtuar se spitali Shifa ishte vetëm njëri prej spitaleve që shfrytëzohen nga Hamasi dhe grupi aleat i tij Xhihadi Islamik Palestinez “për t’u fshehur, zhvilluar operacionet e tyre ushtarake dhe për të mbajtur pengjet.”

Kjo taktikë e publikimit të informacioneve të zbulimit – që Shtëpia e Bardhë i konsideron si pjesë të komunikimit strategjik – po shndërrohet gjithnjë e më shumë në mjet që administrata e Presidentit Biden po e përdor sa herë që ka nevojë të ndikojë te opinioni publik ndërkombëtar.

Përdorimi më i njohur dhe më i hershëm i kësaj taktike u bë në prag të sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës në shkurt të vitit 2022, kur Shtëpia e Bardhë publikoi me shpejtësi dhe ndau me aleatët dhe publikun provat për shtimin e forcave ushtarake të Rusisë, duke mobilizuar përkrahjen për Ukrainën.

Shtëpia e Bardhë po ashtu përdori këtë metodë për t’iu kundërpërgjigjur pretendimeve të Kinës rreth balonës spiune që përshkoi pjesën më të madhe të Shteteve të Bashkuara në fillim të këtij viti dhe për të penguar krizën e mundshme në Mali, të nxitur nga mercenarët e grupit paramilitar rus Wagner.

Dhe tani, në rastin e Izraelit.

“Menduam se është e rëndësishme që bota ta dijë saktësisht se si Hamasi ka zgjedhur të fshihet prapa popullsisë civile dhe të përdorë civilët, përfshirë ata në spitale, si mburoja të gjalla,” një zyrtar i lartë amerikan i tha Zërit të Amerikës me kusht që të mos i përmendet emri.

Përzgjedhja e spitalit Shifa në veçanti “si një vend për të planifikuar operacionet ushtarake”, sipas zyrtarit, “është shkelje e ligjeve të luftës.”

Njoftimet nga Shtëpia e Bardhë dhe Pentagoni u panë me dyshim në platformat e rrjeteve sociale, ku u drejtuan akuza ndaj Shteteve të Bashkuara se po gënjenin në përpjekje për të mbuluar dëmet nga sulmet e Izraelit, ose se vlerësimet e tyre po i mbështesnin vetëm te pretendimet e Izraelit.

Hamasi, gjithashtu, i hodhi poshtë akuzat e Uashingtonit.

“I dënojmë fuqishëm dhe i kundërshtojmë këto pohime,” deklaroi Hamasi përmes një deklarate të lëshuar të martën në kanalin e grupit në platformën Telegram. “Këto deklarata i japin dritë jeshile pushtuesit izraelit të kryejnë masakra tjera brutale.”

Pas disa orëve, forcat izraelite filluan atë që e quajtën “operacion preciz, që ka në shënjestër” luftëtarët e Hamasit në Shifa.

Zyrtari amerikan i tha Zërit të Amerikës se përkimi i kohës së fillimit të operacionit izraelit me deklaratat e bëra nga Shtëpia e Bardhë dhe Pentagonit ishte një rastësi.

“Publikimi (i informacionit të zbulimit) nuk ka të bëjë aspak me kornizën kohore të operacionit, apo me ndonjë proces vendimmarrës nga Forcat e Armatosura Izraelite,” deklaroi një zyrtar. “Nuk duam të shohim bombardime, apo luftime nëpër spitale dhe besojmë që pacientët dhe civilët duhet të mbrohen.”

Zyrtarë të tjerë amerikanë gjithashtu i mohuan akuzat se vlerësimi i Uashingtonit ishte bazuar në informacionet e zbulimit të Izraelit, duke thënë se vlerësimi amerikan është bazuar në informacionin e mbledhur nga disa agjenci amerikane.

Gazeta “Wall Street Journal” njoftoi të mërkurën se vlerësimi amerikan se Hamasi po përdorte Shifën si bazë të operacioneve të tij erdhi pjesërisht nga përgjimi i komunikimit mes militantëve brenda kompleksit spitalor.

Ish zyrtarë të zbulimit dhe analistë me të cilët bisedoi Zëri i Amerikës thanë se zakonisht vlerësimi amerikan bazohet në përgjime të komunikimit, të njohura me emrin “SIGINT” dhe njerëz që shërbejnë si burime informacioni.

Një prej mënyrave për të ardhur te një informatë e tillë është ta kesh konfirmuar atë me një burim të besueshëm të Hamasit, që do të thotë se ke pasur një burim që të ka treguar diçka të tillë, ose për shkak se ke hasur në një përgjim që ka zbuluar një informatë të tillë”, një ish zyrtar perëndimor i kundër-terrorizmit i tha Zërit të Amerikës me kusht që të mos i përmendet emri për shkak të natyrës së ndjeshme të mbledhjes së informacionit të zbulimit.

Shtetet e Bashkuara janë në gjendje të përgjojnë komunikimin e pjesëtarëve të Hamasit. Në fillim të nëntorit, Pentagoni konfirmoi se kishte nisur dronë të paarmatosur mbi Gazë më 7 tetor për të ndihmuar në gjetjen e pengjeve të rrëmbyera gjatë sulmit terrorist të Hamasit.

Larry Pfeiffer, ish shefi i personelit të Agjencisë Qendrore të Zbulimit, CIA, dhe ish drejtor i lartë i Dhomës së Situatave të Shtëpisë së Bardhë, i tha Zërit të Amerikës se Shtetet e Bashkuara gjithashtu kanë mundësi të përdorin informacione të grumbulluara nga satelitët, si dhe kapacitete kibernetike për të përcaktuar me saktësi se si po operon Hamasi.

“Deklarata e Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe e Pentagonit ishte mjaft bindëse,” tha ai. “Kjo më bën të mendoj se ka prova të forta që kanë dalë nga informacionet e mbledhura nga pala amerikane, apo nga ato izraelite, që janë vërtetuar në mënyrë të pavarur.”

Izraeli të mërkurën në mbrëmje filloi të publikojë pamje dhe prova të tjera nga operacioni në spitalin Shifa, për të cilat tha se vërtetojnë vlerësimet izraelite dhe amerikane se Hamasi kishte përdorur spitalin si qendër komanduese. Pamjet tregojnë çanta, pushkë automatike, municion, granata dhe uniforma, si dhe armatime dhe pajisje tjera.

Sikurse deklaratat e institucioneve amerikane, pretendimet e Izraelit u pritën me dyshim në rrjetet sociale, ku disa akuzonin Izraelin se i kishte montuar provat.

Por disa nga ish zyrtarët e zbulimit i thanë Zërit të Amerikës se dëshmitë e siguruara nga Izraeli nuk duhet të injorohen.

Videot e forcave të armatosura izraelite që tregojnë armët e gjetura në Shifa janë gjithsesi me peshë, sepse dëshmojnë se si Hamasi e ka shfrytëzuar spitalin, që teknikisht përbën një krim lufte,” tha ish zyrtari i lartë i CIA-s Marc Polymeropoulos, i cili e ka kaluar një pjesë të karrierës së tij duke punuar në Lindje të Mesme.

Megjithatë, duke marr parasysh që Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli pretendojnë se brenda spitalit ekzistonte një nyje e rëndësishme e komandës së Hamasit, do të duhen dëshmi shtesë, si për shembull xhirime të tuneleve nën spital, që të mbështesë pretendimet e shërbimeve të zbulimit dhe për të lehtësuar shqetësimet ndërkombëtare,” shtoi ai.

Megjithatë, zoti Polymeropoulos dhe ish zyrtarë të tjerë besojnë se vendimi i Shteteve të Bashkuara për të publikuar informacionin e zbulimit për shfrytëzimin e spitaleve nga Hamasi do të ketë ndikim, edhe nëse do të kërkojë më shumë kohë për të pasur efekt.

“Qartazi është bërë në këtë formë për t’iu dhënë pak hapësirë izraelitëve,” tha ish zyrtari Polymeropoulos.

“Informacioni i drejtohet një audience globale, për shkak të zemërimit ndërkombëtar, por edhe vendore,” tha ai, duke theksuar se administrata e Presidentit Biden po përballet me kritika të shtuara brenda vendit për përkrahjen e palëkundur që i jep fushatës së Izraelit.

Ish zyrtari perëndimor i kundër-terrorizmit po ashtu theksoi se vendimi i Shteteve të Bashkuara për të mbështetur pretendimet e Izraelit me informacione nga zbulimi amerikan, mund t’i sigurojë edhe pak kohë Izraelit në lidhje me qeveritë arabe dhe të shteteve myslimane, ku durimi po zbehet.

“Ndoshta ky është ai moment në konflikt, kur njerëzit fillojnë të luhaten,” sipas zyrtarit. “Publikimi i informacionit të zbulimit qartazi ndihmon në hartimin e kontekstit se pse Izraeli duhet të përgjigjet në mënyrën se si është përgjigjur.”/VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat