Bosi famëkeq i drogës arratiset nga burgu, presidenti i Ekuadorit shpall gjendjen e jashtëzakonshme

Bota

Bosi famëkeq i drogës arratiset nga burgu, presidenti i Ekuadorit shpall gjendjen e jashtëzakonshme

Më: 9 janar 2024 Në ora: 20:18
Foto ilustrim

Ekuadori ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme pasi një nga kriminelët më të rrezikshëm të vendit u zhduk nga qelia e tij, ndërsa trazirat shpërthyen në burgjet në të gjithë vendin, ku rojet e burgut u mposhtën dhe u morën peng.

Mijëra ushtarë dhe policë janë në kërkim të Adolfo Macías, i njohur si Fito, lideri i dënuar i bandës së fuqishme të drogës Los Choneros.

44-vjeçari bosi i drogës u zhduk të dielën nga një burg në qytetin port të Guayaquil ku po vuante dënimin. Së shpejti ai do të duhej të transferohej në një burg të sigurisë së lartë në të njëjtin qytet.

Presidenti ekuadorian Daniel Noboa shpalli dje gjendjen e jashtëzakonshme 60-ditore, shkruan The Guardian.

“Ka kaluar koha kur të dënuarit për trafik droge, atentate dhe krim të organizuar i thoshin qeverisë se çfarë të bënte”, tha ai.

Noboa, 35 vjeç, i cili u zgjodh në nëntor me një premtim për të goditur krimin, tha se qeveria e tij kishte urdhëruar ushtrinë dhe policinë të ndërmarrin veprime.

“Nuk do të negociojmë me terroristët dhe nuk do të ndalemi derisa të rivendosim paqen tek ekuadorianët”, tha ai.

Vitet e fundit, vendi i Amerikës së Jugut është përballur me një valë dhune, dhe qeveritë e njëpasnjëshme kanë qenë të pafuqishme në përpjekjen për të frenuar krimin e organizuar.

Autoritetet e burgut në Ekuador konfirmuan se gardianët ishin marrë peng në pesë burgje në të gjithë vendin, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Pamjet e paverifikuara nga mediat sociale supozohet se tregojnë anëtarë të bandës të maskuar dhe me thika, që mbajnë peng gardianët e burgut teksa lexojnë deklarata që i luten presidentit Nobo që “të kujdeset për jetën dhe sigurinë e tyre”.

Macías ka vuajtur një dënim me 34 vjet burgim që nga viti 2011, i dënuar për trafik droge, vrasje dhe krim të organizuar. Ai ishte në burgun Guayas 4, i njohur si La Regional, në Guayaquil, një qytet port. Los Choneros është një nga bandat ekuadoriane që autoritetet e konsiderojnë përgjegjëse për valën e dhunës. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat