LIVE: Zhvillohet betejë e ashpër në Detin e Kuq, SHBA paralajmëron rebelët e Huthit – reagon edhe Erdogan

Bota

LIVE: Zhvillohet betejë e ashpër në Detin e Kuq, SHBA paralajmëron rebelët e Huthit – reagon edhe Erdogan

Nga: Bota sot Më: 12 janar 2024 Në ora: 06:38 Përditësuar në ora: 23:40 më 12.01.2024
Pamje nga vendi i ngjarjes

Rebelët Houthi zotohen për hakmarrje; SHBA paralajmëron anijet: Qëndroni larg Detit të Kuq

Të premten marina amerikane paralajmëroi anijet me flamur amerikan, që në 72 orët e ardhshme, të largohen nga zonat përreth Jemenit në Detin e Kuq, si dhe në Gjirin e Adenit, ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Britania, nisën sulme të shumta ajrore në shënjestër të të cilave ishin rebelët Houthi.

Paralajmërimi erdhi pasi këta të fundit (rebelët Houthi) u zotuan për hakmarrje të fortë ndaj sulmeve të udhëhequra nga Uashingtoni, duke rritur më tej mundësinë e një konflikti më të gjerë në një rajonin e përfshirë tashmë nga lufta mes Izraelit dhe Hamasit në Gazë.

Ushtria amerikane dhe zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thanë se prisnin që Houthi të kundërpërgjigjej. Po kështu Presidenti Joe Biden paralajmëroi të premten se grupi mund të përballet me sulme të mëtejshme.

Sulmet e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, që nisën si përgjigje ndaj një fushate sulmesh me dronë dhe raketa ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq, vranë të paktën pesë persona dhe plagosën gjashtë të tjerë, sipas grupit rebel. Shtetet e Bashkuara thanë se sulmet, që u zhvilluan në dy faza, goditën objektiva në 28 vendndodhje të ndryshme, në zona që kontrollohet nga rebelet Houthi në Jemen.

"Ne do të sigurohemi që së bashku me aleatët tanë t'i përgjigjemi grupit Houthi nëse ata vazhdojnë me këtë sjellje të egër", u tha Presidenti Biden gazetarëve gjatë një ndalese në Emmaus, të shtetit të Pensilvanisë.

I pyetur nëse ai beson se grupi Houthi, është një grup terrorist, zoti Biden tha po.

Në nëntor Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se po shqyrtonte mundësinë për ripërcaktimin e grupit të rebelëve Houthi si një organizatë terroriste, ndërsa ata filluan të godasin anijet civile. Administrata Biden e hoqi zyrtarisht këtë grup nga lista e "organizatave terroriste të huaja" apo "terroristë të përcaktuar globalisht" në vitin 2021, duke zhbërë një masë të Presidentit Donald Trump.

Gjenerallejtënant Douglas Sims, tha se sulmet e reja amerikane ishin kryer përgjithësisht në zona me popullsi të vogël dhe se numri i të vrarëve sipas tij nuk do të ishte i lartë. Ai tha se sulmet goditën armatimet, radarët dhe vendndodhjet e grupit, përfshirë zonat e thella malore./VOA

SHBA: Nuk duam konflikt me Iranin

Shtëpia e Bardhë nuk dëshiron konflikt me Iranin, pavarësisht se kreu sulme në Jemen ndaj rebelëve Huthi, që mbështeten nga Teherani si masë për të ndaluar sulmet e rebelëve ndaj anijeve në Detin e Kuq, tha Shtëpia e Bardhë më 12 janar.

“Ne nuk dëshirojmë konflikt me Iranin. Nuk dëshirojmë të përshkallëzojmë situatën dhe nuk ka asnjë arsye për përshkallëzim përtej asaj që ka ndodhur gjatë ditëve të fundit”, tha zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby.

“Ne e dimë që Irani mbështet [rebelët] Huthi. Ne e dimë se ata po i furnizojnë me raketa dhe dronë dhe armët e njëjta po përdoren për të sulmuar anijet. Ne e kemi bërë shumë të qartë se Irani duhet të ndalë këtë mbështetje”, tha Kirby për MSNBC.

Rebelët Huthi të premten thanë se interesat amerikane dhe britanike tani janë “caqe legjitime”, pas sulmeve ajrore dhe detare të SHBA-së dhe Britanisë ndaj rebelëve në Jemen një ditë më parë. Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se sulmet ndaj rebelëve jemenas synonin që t’i jepnin fund aftësisë së tyre për të sulmuar anijet tregtare në Detin e Kuq.

Por, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë paralajmëroi rebelët kundër përgjigjes.

“Dua të përsëris fjalinë e fundit të deklaratës që presidenti dha natën e kaluar, që është se ai rezervon të drejtën, dhe nuk do të hezitojë, që në të ardhmen të ndërmarrë veprime të mëtejme”, tha Kirby.

Rebelët Huthi kanë sulmuar anijet që kalojnë përmes Detit të Kuq, duke thënë se sulmet janë në mbështetje të popullit palestinez.

Izraeli dhe Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – po luftojnë që nga 7 tetori, kur radikalët palestinezë sulmuan jugun e izraelit, duke vrarë 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 240 të tjerë.

Si pasojë e kundërpërgjigjes izraelite nga toka, ajri dhe deti, në Rripin e Gazës janë vrarë mbi 23.000 persona.

SHBA, Britania: Sulmet ndaj rebelëve Houthi, të nevojshme

Shtetet e Bashkuara dhe Britania thonë se sulmet ndaj rebelëve Houthi në Jemen ishin të nevojshme, ndërsa ky grup u zotua për hakmarrje, duke shtuar shqetësimet për një zgjerim të konfliktit në rajon. Bombardimet ishin në kundërpërgjigje të sulmeve nga rebelët e mbështetur nga Irani ndaj anijeve tregëtare ndërkombëtare në Detin e Kuq.

Bombardimet që sipas rebelëve Houthi shkaktuan vdekjen e të paktën pesë vetëve dhe plagosjen e gjashtë të tjerëve, u konfirmuan të enjten në mbrëmje, në orët e para të mëngjesit në Jemen, nga Presidenti amerikan Joe Biden dhe kryeministri britanik Rishi Sunak.

Me anë të një deklarate, presidenti Biden tha se sulmet ishin “në përgjigje të drejtpërdrejtë ndaj sulmeve të paprecedenta nga (grupi) Houthi kundër anijeve ndërkombëtare në Detin e Kuq, përfshirë përdorimin e raketave balistike kundër anijeve për herë të parë në histori”.

Pamjet e publikuara nga Komanda Qendrore e SHBA-së tregonin avionë amerikanë që niseshin nga një anije luftarake për të ndërmarrë sulmet.

Kryeministri Sunak tha të premten se sulmet ishin "të nevojshme" dhe "proporcionale". Ai foli gjatë një vizite në Kiev, ku njoftoi një paketë të re të mbështetjes ushtarake britanike për Ukrainën.

“Ne do të vazhdojmë të monitorojmë situatën, por është e qartë se sjellje të tilla nuk mund të mbeten pa përgjigje. Ne duhet të dërgojmë një sinjal të fortë se shkelja e ligjit ndërkombëtar është e gabuar. Askush nuk mund të veprojë kështu pa u ndëshkuar dhe kjo është arsyeja pse, së bashku me aleatët, vendosëm ta ndërmarrim këtë veprim”, tha ai..

​Goditjet e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara u kryen edhe me mbështetjen e Australisë, Bahreinit, Kanadasë dhe Holandës.

“Veprimet e ndërmarra sot, të mbështetura nga Australia, synojnë mbrojtjen e lirisë së lundrimit në det të hapur dhe atë tregtisë globale. Një gjë e tillë është në qendër të interesave kombëtare të Australisë. Ky vendim nuk u mor lehtësisht”, tha Ministri australian i mbrojtjes, Richard Marles.

Disa vende evropiane mbështetën gjithashtu sulmet duke thënë se ishin të nevojshme për të mbrojtur rrugët jetike ujore në Detin e Kuq. Por zotimi i grupit Houthi për hakmarrje, shton shqetësimet për një zgjerim të konfliktit në rajonin e tensionuar për shkak të luftës në Gazë.

“Armiqtë amerikanë dhe britanikë mbajnë përgjegjësi të plotë për agresionin kriminal kundër popullit tonë jemenas dhe ai nuk do të mbetet pa përgjigje dhe pa u ndëshkuar”, tha zëdhënësi usharak i grupit, Yahyaa Saree.

Ndërkohë Rusia i quajti sulmet “të papërgjegjshme”. Ndërsa NATO-ja me një deklaratë mbrojti sulmet duke thënë se ishin për vetëmbrojtje, reagimi i ashpër i presidentit turk Tayyp Erdogan, nxorri në pah ndasitë në mes të vendeve anëtare të aleancës.

“Ishte një përdorim joproporcional i forcës... Kjo është një përpjekje për ta kthyer Detin e Kuq në një det gjaku”, tha ai.

Analistët perëndimorë thonë se është e arsyeshme që veprimet e grupit Houthi të merrnin kundërpërgjigje, por se situata në rajon tashmë ndërlikohet edhe më tej.

“Duhet të shohim se cila do të jetë shkalla e përgjigjes së (grupit) Houthi. Dhe ata nga njëra anë, po fitojnë më shumë besueshmëri dhe mbështetje brenda Jemenit si dhe në botën më të gjerë arabe, sepse në këndvështrimi e tyre, ata po ngrihen kundër Izraelit dhe mbështetësve të tij në perëndim. Nga ana tjetër, interesi kryesor i Houthi-ve është ruajtja dhe konsolidimi i pozicionit të tyre brenda Jemenit", thotë zëvendës drejtori i përgjithshëm i Institutit Mbretëror britanik të Shërbimeve të Bashkuara.

Mbështetja për grupin në Jemen u duk tek turmat që u mblodhën për të protestuar në rrugët e Sanaas ndaj sulmeve.

Pasojat e acarimeve po ndjehen përtej tensioneve rajonale. Çmimi i naftës u ngrit me 4 për qind pas sulmeve. Dhe kompanitë mund të hezitojnë të kthehen në Detin e Kuq në këto kushte. Analisti i tregut të naftës, Tamas Varga thotë se zhvillimet gjatë natës nuk ishin të papritura.

“Pse ndodhi? Ndodhi si kundërpërgjigje ndaj sulmeve të vazhdueshme ndaj anijeve tregtare në zonën e Detit të Kuq, të cilat ndërprenë tregtinë ndërkombëtare”, tha ai.

Sulmi i koordinuar ushtarak erdhi një javë pasi Shtëpia e Bardhë dhe një numër vendesh partnere paralajmëruan rebelët Houthi se do të përballeshin me kundërpërgjigje ushtarake nëse nuk ndalonin sulmet.

Më shumë se 50 vende janë prekur nga 27 sulme ndaj anijeve tregtare ndërkombëtare dhe ekuipazhet nga më shumë se 20 vende janë kërcënuar ose janë marrë peng./VOA

Erdogan: SHBA-ja dhe Britania po e shndërrojnë Detin e Kuq në “det gjaku”

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se sulmet amerikane dhe britanike ndaj rebelëve Huthi në Jemen përbënin përdorim joproporcional të forcës, duke i akuzuar këto dy shtete se po tentojnë ta shndërrojnë Detin e Kuq në “det gjaku”.

Turqia, shtet anëtar i NATO-s, ka kritikuar ashpër Izraelin për luftën në Gazë, që sipas Izraelit synon të shkatërrojë Hamasin – grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – dhe udhëheqësi turk vazhdimisht ka kritikuar shtetet perëndimore se po mbështesin fushatën e Izraelit.

I pyetur nga gazetarët lidhur me sulmet ajrore dhe detare gjatë natës që u kryen nga forcat amerikane dhe britanike në mbarë Jemenin, në kundërpërgjigje ndaj sulmeve të rebelëve Huthi – që mbështeten nga Irani – ndaj anijeve në Detin e Kuq, Erdogan tha se këto sulme nuk ishin proporcionale.

Ajo çfarë është bërë ka qenë përdorim joproporcional i forcës”, tha Erdogan pas lutjeve të së premtes në Stamboll.

“Për momentin ata po tentojnë ta shndërrojnë Detin e Kuq në det gjaku dhe Jemenin për shkak të Huthive, dhe duke përdorur të gjithë forcën e tyre, duke thënë se po bëjnë përgjigjen e duhur në rajon”, shtoi ai, duke përmendur SHBA-në dhe Britaninë.

Turqia në përgjithësi mbështet Qeverinë e njohur ndërkombëtarisht të Jemenit dhe mbështet procesin e udhëhequr nga Kombet e Bashkuara që synon paqen midis ekzekutivit dhe rebelëve Huthi të cilët kontrollojnë shumicën e shtetit.

Në të kaluarën, Ankaraja ka dënuar sulmet me raketa të kryera nga rebelët Huthi në Arabinë Saudite.

Rebelët Huthi kanë sulmuar anijet që transportojnë mallra përmes Detit të Zi, duke thënë se sulmet janë në mbështetje të palestinezëve./REL

​NATO: Irani ka përgjegjësi të veçantë në përfundimin e sulmeve Houthi

NATO tha të premten se Irani ka një përgjegjësi të veçantë në përfundimin e sulmeve Houthi, duke i quajtur sulmet e kryera nga SHBA dhe Britania e Madhe mbrojtëse.

"Gjatë muajve të fundit, ne kemi parë forcat Houthi të tentojnë dhjetëra sulme ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq.

Këto sulme janë një kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë detare dhe tregtinë ndërkombëtare," tha zëdhënësi Dylan White në një deklaratë për Anadolu.

Duke vënë në dukje se sulme të tilla tashmë ishin dënuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, White tha se komuniteti ndërkombëtar "e bëri të qartë se do të kishte pasoja nëse këto sulme nuk përfundonin".

"Këto sulme ishin mbrojtëse dhe të dizajnuara për të ruajtur lirinë e lundrimit në një nga rrugët ujore më vitale në botë," tha ai në lidhje me sulmet e kryera nga SHBA dhe Britania e Madhe të enjten vonë kundër një numri objektivash Houthi në Jemen, me mbështetjen e Kanadasë, Holandës, Australisë dhe Bahrejnit.

"Sulmet Houthi duhet të marrin fund. Forcat Houthi mbështeten, furnizohen dhe pajisen nga Irani. Kështu që Teherani ka një përgjegjësi të veçantë për të mbretëruar në përfaqësuesit e tij," shtoi White.

Sulmi vjen si përgjigje ndaj goditjeve të vazhdueshme me dronë dhe raketa nga grupi jemenas, i cili mbështetet nga Irani, në linjat ndërkombëtare të anijeve në Detin e Kuq që filluan në nëntor në përgjigje të luftës së Izraelit në Gaza.

Deti i Kuq është një rrugë ujore kritike për tregtinë ndërkombëtare, veçanërisht për dërgesat e naftës dhe karburantit, duke lidhur kanalin e Suezit në Egjipt me Gjirin e Adenit nëpërmjet ngushticës Bab al-Mandab.

Sipas ushtrisë amerikane, Houthi-t kanë kryer 27 sulme në Detin e Kuq qe nga 19 nëntori. 

Çfarë dimë deri më tani për sulmet ndaj grupit Houthi?

SHBA-ja dhe Britania e Madhe kanë kryer sulme ajrore ndaj objektivave Houthi në Jemen me qëllim të frenimit të sulmeve ndaj anijeve që kalojnë nëpër Detin e Kuq.

Sulmet janë mbështetur gjithashtu nga një numër aleatësh të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe, raporton BBC.

Raketat u lëshuan gjatë në orët e para të së premtes, duke goditur disa lokacione – me disa viktima të raportuara.

Houthi-t thonë se nuk janë ndikuar nga sulmet, por SHBA-ja sugjeron se sulmet kanë dëmtuar aftësinë ushtarake të grupit të tyre.

Çfarë dimë deri më tani për situatën dhe cilat objektiva u goditën?

SHBA-ja thotë se kreu sulme në mbi 60 objektiva në 16 lokacione militante të grupit Houthi i cili mbështetet nga Irani”.

Sulmet u raportuan në kryeqytetin e Jemenit, Sanaa – i cili kontrollohet nga rebelët – si dhe në portin e Hodeidah të Houthit në Detin e Kuq, në Dhamar si dhe në bastionin veriperëndimor të grupit, Saada.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar sulmet britanike ishin në Bani në veri-perëndim – për të cilin Ministria e Mbrojtjes tha se ishte një vend operacional me dron – dhe tek aeroporti Abbs, për të cilin inteligjenca tha se ishte një vend lëshimi për raketa dhe dronë.

Gjithsej 72 sulme u kryen ndaj caqeve të grupit Houthi, sipas zëdhënësit ushtarak.

A ka viktima?

Zëdhënësi i grupit Houthit deklaroi gjithashtu se pesë nga anëtarët e saj ishin vrarë dhe gjashtë të tjerë u plagosën.

Pentagoni tha se sulmet ishin në objektiva ushtarake, jo civile duke përdorur “armë precize”.

Heappey: S’ka misione të Mbretërisë së Bashkuar të planifikuara pas sulmeve ndaj Houthit

Ministri i Forcave të Armatosura britanike, James Heappey është shprehur se nuk ka më misione të Mbretërisë së Bashkuar “të planifikuara menjëherë” pasi forcat britanike dhe të Shteteve të Bashkuara kryen sulme të përbashkëta kundër objektivave Houthit.

“Nata e kaluar ishte një përgjigje e kufizuar, proporcionale, e nevojshme në vetëmbrojtje të anijeve tona luftarake në rajon”, është shprehur Heappey.

Të 14 objektivat u goditën me sukses, tha ai, duke përfshirë 12 sulme të ShBA-së dhe dy sulme britanike kundër objektivave të shumta, shkruan CNN.

Duke detajuar misionin e Mbretërisë së Bashkuar, Heappey tha se katër avionë “Royal Aircraft Typhoon” u nisën nga “RAF Akrotiri”, një bazë e madhe ajrore e Mbretërisë së Bashkuar në Qipro.

Pesë të vrarë në sulmet ndaj Houthit, grupi rebel paralajmëron hakmarrje

Houthi ka thënë se sulmet kundër lëvizjes nga ShBA dhe Britania nuk do të shkojnë pa “ndëshkim apo hakmarrje”.

Zëdhënësi ushtarak i grupit tha se sulmet vranë pesë luftëtarë dhe u plagosën gjashtë të tjerë, shkruan Sky News.

Më herët, Ministri i Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar, James Heappey, tha se sulmet ishin një përgjigje proporcionale.

Ai tha se qeveria ishte e vetëdijshme për nevojën për të shmangur përshkallëzimin në rajon.

Del harta, ja cilat vende të Jemenit u goditën nga sulmet amerikane dhe britanike

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe kanë bombarduar disa objektiva të grupit të rebelëve Houthi në Jemen.

Këto bombardime vijnë si kundërpërgjigje ndaj Houthit të cilët kanë sulmuar që nga nëntori anijet në Detin e Kuq.

Agjencia e lajmeve në Jemen, SABA, raportoi se sulmet ndodhën në kryeqytetin Sana’a dhe në qeveritë e Sa’dah, Hodeidah, Taiz dhe Dhamar, shkruan Sky News.

Zyrtarët amerikanë thanë se sulmet ishin kryer nga raketat Tomahawk të lëshuara nga anijet luftarake, si dhe avionë luftarakë e një nëndetëse.

Reagon Franca: Houthi duhet të mbajë përgjegjësi serioze për përshkallëzimin në Detin e Kuq

Franca ka thënë se Houthi duhet të mbajnë përgjegjësi jashtëzakonisht serioze për përshkallëzimin në Detin e Kuq.

Në një deklaratë të lëshuar nga Ministria e Jashtme e Francës thuhet se ata e ripërsërisin qëndrimin për sulmet e kryera nga Huthi në Detin e Kuq, shkruan CNN.

“Franca ripërsërit dënimin e saj për sulmet e kryera nga Huthi në Detin e Kuq kundër anijeve tregtare që shkelin të drejtat dhe liritë e lundrimit.

Franca kërkon që Houthi t’u japin fund atyre menjëherë”, thuhet tutje në deklaratë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat