LIVE: Sulme të reja në Detin e Kuq, ShBA ‘godet’ sërish rebelët Houthi – këto janë zhvillimet e fundit

Bota

LIVE: Sulme të reja në Detin e Kuq, ShBA ‘godet’ sërish rebelët Houthi – këto janë zhvillimet e fundit

Nga: Bota sot Më: 13 janar 2024 Në ora: 06:14 Përditësuar në ora: 20:28 më 13.01.2024
Sulmet amerikane

Ushtria amerikane kryen edhe një sulm tjetër ndaj rebelëve huthi në Jemen

Ushtria amerikane e sulmoi edhe një fushë tjetër të kontrolluar nga grupi Huthi në Jemen, për të cilin tha se po i rrezikonte anijet tregtare në Detin e Kuq, një ditë pasi Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe i bombarduan caqet e rebelëve huthi.

Komanda Qendrore e SHBA-së tha se “veprimi pasues” të shtunën në mëngjes me kohë lokale kundër një radari të grupit rebel u krye nga shkatërruesi marinar USS Carney, duke përdorur raketa tokësore Tomahawk.

Në ditë e parë të sulmeve, të premten, u goditën më shumë se 60 caqe në 28 lokacione.

Presidenti amerikan Joe Biden paralajmëroi të premten se rebelët huthi mund të përballet me sulme shtesë.

Ky sulm vjen pasi marina amerikane i paralajmëroi anijet amerikane të qëndrojnë larg zonave rreth Jemenit në Detin e Kuq dhe rreth Gjirit të Adenit për 72 orët e ardhshme, pas sulmeve fillestare.

Huthi, një grup rebel i mbështetur nga Irani, u zotua për hakmarrje të ashpër, duke rritur mundësinë për zgjerimi e konfliktit në një rajon të goditur tashmë nga lufta e Izraelit në Rripin e Gazës.

Ushtria amerikane dhe zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thanë se presin që rebelët huthi të tentojnë të sulmojnë.

Shtëpia e Bardhë tha se më shumë se 2.000 anije janë detyruar të bëjnë devijime prej mijëra kilometrash për të shmangur Detin e Kuq për shkak të sulmeve të rebelëve huthi që prekën më shumë se 50 vende. Gjithashtu tha se ekuipazhet nga më shumë se 20 vende ose u morën peng ose u kërcënuan nga grabitësit huthi.

“Ne do të sigurohemi që bashkë me aleatët tanë të përgjigjemi ndaj huthive, nëse ata e vazhdojnë këtë sjellje mizore”, tha Biden.

I pyetur nëse beson se Huthi është grup terrorist, Biden u përgjigj: “Mendoj se është”.

Huthit kanë thënë se synimi i tyre i lundrimit në Detin e Kuq ka për qëllim t’i mbështesë palestinezët dhe Hamasin - grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Zëdhënësi i rebelëve huthi, Yahya Saree, në një fjalim të regjistruar, tha se 73 sulme goditën pesë rajone të Jemenit nën kontrollin e tyre, duke vrarë pesë persona dhe plagosur gjashtë të tjerë.

“Armiku amerikan dhe britanik mban përgjegjësi të plotë për agresionin e tij kriminal kundër popullit tonë jemenas dhe ai nuk do të mbetet pa përgjigje dhe pa u ndëshkuar”, tha Saree.

“Amerika dhe Britania padyshim do të duhet të përgatiten të paguajnë një çmim të rëndë dhe të mbajnë të gjitha pasojat e tmerrshme të këtij agresioni flagrant”, shkroi Hussein al-Ezzi, një zyrtar i grupit Huthi.

Rusia dhe Irani, mbështetësi kryesor të rebelëve huthi, i dënuan menjëherë sulmet duke thënë se ato do të sillnin turbulenca të mëtejshme në Lindjen e Mesme..REL

SHBA godet përsëri rebelët e lëvizjes Houthi në Jemen

Shtetet e Bashkuara ndërmorën një tjetër sulm kundër rebelëve Houthi në Jemen të shtunën herët, pasi zyrtarët thanë se nuk ishin të kënaqur me dëmet e shkaktuara gjatë goditjeve paraprake nga ai i së enjtes.

Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara tha se sulmi i së shtunës u krye nga luftanija USS Carney, nga e cila u lëshuan raketa të telekomanduara të tipit Tomahawk me objektiv shkatërrimin e një qendre radarësh, për të cilën tha se përbënte kërcënim të vazhdueshëm për transportin detar.

Ditë më parë, ushtritë e Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe ndërmorën disa sulme ajrore kundër pozicioneve të lëvizjes Houthi në Jemen, pas sulmeve të vazhdueshme të rebelëve që kanë ndërprerë transportin detar dhe kanë dëmtuar anijet që kalojnë transit në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit.

Militantët Houthi lëshuan një raketë balistike kundër anijeve herët të premten, konfirmuan zyrtarët ushtarakë amerikanë, megjithëse ajo nuk goditi asnjë mjet transporti detar.

Zyrtarët amerikanë dhe britanikë shprehën optimizëm të premten se sulmet fillestare të enjten vonë, të cilat tani po cilësohen si dy valë sulmesh, ishin të suksesshme.

Një zyrtar amerikan i mbrojtjes i tha Zërit të Amerikës të premten se vlerësimi fillestar tregon se vala e parë e sulmeve të enjten vonë degradoi aftësinë e lëvizjes Houthi për të ndërmarrë sulme të mëtejshme.

Zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se ende vazhdonte një vlerësim më gjithëpërfshirës për sulmet. Më herët, zyrtarë të lartë amerikanë thanë se sulmet kishin dëmtuar ndjeshëm aftësitë e rebelëve.

“Ndihemi shumë të sigurtë për objektivat ku goditën municionet tona”, tha për median të premten Gjenerali Douglas Sims. “Aktualisht ende nuk e dimë vlerësimin përfundimtar të dëmeve të shkaktuara”.

Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara tha të enjten vonë se avionët luftarakë, anijet detare dhe nëndetëset amerikane goditën më shumë se 60 objektiva në 16 zona në të kontrolluara nga lëvizja Houthi, përfshirë nyje të komandës dhe kontrollit, depot e municioneve, sistemet e lëshimit të mjeteve ajrore dhe objektet e prodhimit.

Gjenerali Sims tha të premten se SHBA dhe Britania ndërmorën një valë të dytë sulmesh kundër 12 zonave të tjera rreth 30 deri një orë pas sulmeve fillestare.

Në nëntor Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se po shqyrtonte mundësinë për ripërcaktimin e grupit të rebelëve Houthi si një organizatë terroriste, ndërsa ata filluan të godasin anijet civile. Administrata Biden e hoqi zyrtarisht këtë grup nga lista e "organizatave terroriste të huaja" apo "terroristë të përcaktuar globalisht" në vitin 2021, duke zhbërë një masë të Presidentit Donald Trump.

Gjeneral lejtnant Douglas Sims, tha se sulmet e reja amerikane ishin kryer përgjithësisht në zona me popullsi të vogël dhe se numri i të vrarëve sipas tij nuk do të ishte i lartë. Ai tha se sulmet goditën armatimet, radarët dhe vendndodhjet e grupit, përfshirë zonat e thella malore./voa

Priten më shumë sulme Houthi, thotë një zyrtar i lartë ushtarak amerikan

Një zyrtar i lartë ushtarak amerikan ka thënë se priten të tjera sulme nga Huthi. Drejtori i shtabit të përbashkët të SHBA-së, gjenerallejtënant Douglas Sims, u tha gazetarëve në një takim virtual se Houthi-t kishin lëshuar të paktën një raketë tashmë në përgjigje të sulmeve SHBA-MB.

Siç raportohet nga rrjeti mediatik me bazë në Katar, Al Jazeera, Sims tha: “Retorika e tyre ka qenë mjaft e fortë dhe mjaft e lartë dhe ne presim që ata të bëjnë një lloj hakmarrjeje. Unë do të shpresoja që ata të mos hakmerren, por ne jemi të përgatitur në rast se ata do të hakmerren.”

Irani mbështet sulmet e Houthive në Detin e Kuq ​

Irani mbështet Houthit në Jemen ndërsa SHBA-ja beson se iranianët janë “thellësisht të përfshirë” në planifikimin e sulmeve të Houthive kundër anijeve të mallrave në Detin e Kuq.

Me këtë në mendje, ndoshta nuk është befasuese që ministri i jashtëm i Iranit ka lavdëruar veprimet Houthi “kundër Izraelit” në Detin e Kuq.

Madje, ai shtuar se Jemeni është “i përkushtuar ndaj sigurisë detare dhe anijeve”.

Në një mesazh në platformën X të premten në mbrëmje, Hossein Amir-Abdollahian tha se “veprimi i Jemenit në mbështetjen e grave dhe fëmijëve të Gazës dhe kundërshtimi ndaj gjenocidit të regjimit izraelit është i lavdërueshëm”.

Ai gjithashtu i kërkoi SHBA-së të “ndërpresë menjëherë” mbështetjen e Izraelit – në vend që të nisë sulmet në Jemen – “në mënyrë që siguria të kthehet në të gjithë rajonin”.

Ndryshe, SHBA-ja dhe Britania e Madhe kanë nisur një ofensivë ndaj grupit Houthi pas sulmeve të njëpasnjëshme ndaj anijeve të mallrave dhe karburanteve në Detin e Kuq.

Houthit reagojnë pas sulmeve të reja amerikane: Ato ishin joefektive

Rebelët Houthi të Jemenit i janë përgjigjur sulmeve të ditës së sotme të amerikanëve, duke thënë se ato ishin joefektive.

Siç kemi raportuar, SHBA-ja ndërmori një sulm të ri ndaj caqeve të Houthive, gjegjësisht ka goditur vendndodhjet e radarëve, raporton skynews.

Zëdhënësi i Houthive, Mohammed Abdulsalam tha se sulmet nuk kishte ndikim të rëndësishëm në aftësitë e tyre për të vazhduar parandalimin e anijeve të lidhura me Izraelin që të kalonin nëpër Detin e Kuq dhe Detin Arabik.

Houthi u zotuan gjithashtu se do t’iu “përgjigjen me forcë dhe në mënyrë efektive” sulmeve amerikane-britanike.

Nuk raportohet për të lënduar, shtoi zyrtari i rebelëve jemenas.

Ndryshe, SHBA-ja dhe Britania e Madhe kanë nisur një ofensivë ndaj grupit Houthi pas sulmeve të njëpasnjëshme ndaj anijeve të mallrave dhe karburanteve në Detin e Kuq. 

Udhëheqësi i Houthit i kërkon SHBA-së dhe Britanisë së Madhe të tërhiqen nga Deti i Kuq, thotë se “nuk sulmuan brigjet amerikane”

Mohammed Ali al-Houthi, kreu i Komitetit Suprem Revolucionar Houthi, u bëri thirrje amerikanëve dhe britanikëve që të “kthehen në vendin e tyre dhe të përqëndrohen në trajtimin e racizmit në vend të mbrojtjes së anijeve izraelite”.

Ai kritikoi SHBA-në dhe Britaninë e Madhe për “agresionin” e tyre në nisjen e sulmeve ajrore të së enjtes gjatë një fjalimi drejtuar një proteste të madhe në kryeqytetin e Jemenit Sanaa kundër sulmeve.

Ai gjithashtu këshilloi vendet që të marrin parasysh një paralajmërim të fundit nga udhëheqësi i lëvizjes Houthi, Abdul-Malik al-Houthi, kur ai tha se çdo sulm ndaj Jemenit do të përballej me një përgjigje të fortë.

Duke hedhur poshtë pretendimin amerikan se sulmet ishin nisur në Jemen për “vetëmbrojtje”, Al-Houthi u përgjigj se “ne nuk sulmuam brigjet amerikane, nuk arritëm në brigjet e Floridës, ne nuk sulmuam ishujt amerikanë”.

“Ju jeni nazistët dhe sulmet tuaja ndaj vendit tonë janë akte terrorizmi”, tha Al-Houthi.

Ai akuzoi SHBA-në dhe Britaninë e Madhe si devijante dhe mbështetës të devijimit, duke pohuar se nuk janë aleatë të njerëzimit.

Al-Houthi kritikoi më tej amerikanët për kërcënimin e sigurisë së lundrimit dhe duke punuar në mënyrë aktive për të rritur çmimet e sigurimeve detare.

Ai e cilësoi Amerikën si një armik të popullit, duke e përshkruar atë si një “burim terrorizmi”, raporton CNN, transmeton Klankosova.tv.

Turma masive njerëzish u mblodhën në kryeqytetin e Jemenit të premten, duke mbajtur flamuj palestinezë dhe duke protestuar pasi SHBA dhe Britania e Madhe nisën sulmet ajrore ndaj objektivave Houthi në Jemen.

Protestuesit u dëgjuan duke brohoritur “Zoti është më i madhi, vdekje Amerikës, vdekje Izraelit, mallkoni hebrenjtë, fitore Islamit”.

Biden i konsideron “të suksesshme” sulmet ajrore në Jemen

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, i ka konsideruar të suksesshme sulmet ajrore ndaj Jemenit të enjten në mbrëmje, në komentet e tij të para publike për këtë rast, shkruan The Guardian.

SHBA-ja dhe Britania e Madhe nisën bombardimet të enjten në mbrëmje ndaj caqeve të grupit rebel të Jemenit, Houthi. Sipas grupit, pesë anëtarë të tyre vdiqën nga sulmet, ndërsa kanë paralajmëruar se do të përgjigjen ashpër. Por SHBA-ja e kishte njoftuar Houthin para se ta bombardonte, duke vënë në pah synimin që nuk do konflikt të zgjeruar. Fuqitë perëndimore bombarduan Houthin pasi grupi rebel sulmonte anijet në Detin e Kuq që nga nëntori.

Bideni foli shumë shkurt përpara një ngjarjeje të premten pasdite në Pensilvani, për të promovuar politikat e tij ekonomike.

“Ne do të sigurohemi që do t’i përgjigjemi Houthit nëse ata vazhdojnë këtë sjellje të egër, së bashku me aleatët tanë”, ka thënë Biden.

I pyetur nga një gazetar nëse ai mendonte se sulmet kishin qenë të suksesshme, Biden u shpreh: “Po. Shumë. Nuk mendoj se ka viktima civile. Kjo është një arsye tjetër pse është e suksesshme”.

Bideni më pas u ofroi gazetarëve kafe dhe u tha atyre se do të fliste për aksionin ushtarak pasi ta përfundonte fushatën

Anijet devijojnë nga Deti i Kuq

Nga: A.Sh

Siç kemi raportuar më parë, firmat e mëdha të transportit detar kanë devijuar ngarkesën e tyre larg Detit të Kuq që kur Huthi nisën sulmet e tyre për herë të parë.

Këto pamje krahasojnë lëvizjet e anijeve me kontejnerë në nëntor, menjëherë pas sulmit të parë në një anije tregtare, me situatën e sotme.

Ju mund të shihni se sa anije po marrin tani rrugën më të gjatë rreth Kepit të Shpresës së Mirë të Afrikës Jugore.

Image

 

Harta e Trafikut Detar që tregon lëvizjet globale të anijeve me kontejnerë, duke shmangur Detin e Kuq

LEXONI EDHE KETE

Sipas të dhënave nga faqja e internetit Marine Traffic, ka pasur më pak një reduktim në cisternat e naftës dhe gazit që përdorin rrugën e Detit të Kuq, por Shoqata Ndërkombëtare e Pronarëve të Pavarur të Cisternëve (Intertanko) ka këshilluar transportin detar që të shmangë kalimin nëpër zonë nëse është e mundur. dhe të fikin transmetuesit e tyre nëse e bëjnë këtë.

Është gjithashtu interesante të theksohet se disa anije që kalojnë në brigjet e Jemenit nuk listojnë asnjë destinacion ose "asnjë kontakt me Izraelin". Të tjerë po deklarojnë "roje të armatosura në bord".

Cilat janë raketat Tomahawk?

Nga: A.Sh

Tomahawks janë raketa lundrimi të sulmit tokësor, të cilat udhëhiqen nga GPS dhe mund të programohen të fluturojnë në mënyrë evazive, thotë ushtria amerikane.

Ato janë me rreze të gjatë dhe përdoren kryesisht nga Marina e SHBA dhe Marina Mbretërore në operacionet e sulmeve tokësore të bazuara në anije dhe nëndetëse.

Ato janë projektuar për të fluturuar në lartësi jashtëzakonisht të ulëta me shpejtësi të lartë nënsonike, sipas Komandës së Sistemeve Ajrore Detare të SHBA.

Përdorimi i parë operacional nga SHBA ishte gjatë Operacionit Desert Storm në Luftën e Gjirit në 1991.

Ushtria amerikane konfirmon sulmin me raketa Tomahawk

Nga: A.Sh

Sapo kemi dëgjuar nga ushtria amerikane, e cila ka konfirmuar se ka kryer një sulm kundër një zone radari Houthi në Jemen.

Sulmi u zhvillua në orën 03:45 me orën lokale të shtunën dhe u krye nga USS Carney - një anije luftarake e marinës me bazë në Detin e Kuq e cila më parë ka rrëzuar dronët e gjuajtur nga Jemeni i kontrolluar nga Houthi.

Vendi i radarit u godit nga raketat Tomahawk, tha ushtria në një deklaratë.

Ishte një "veprim vijues" ndaj një objektivi ushtarak specifik të lidhur me sulmet e ndërmarra më 12 janar dhe i projektuar për të "degraduar aftësinë e Houthi-ve për të sulmuar anijet detare, përfshirë anijet tregtare", shtoi deklarata.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat