Pentagoni: Grupet e mbështetura nga Irani, përgjegjëse për sulmin ndaj trupave amerikane

Bota

Pentagoni: Grupet e mbështetura nga Irani, përgjegjëse për sulmin ndaj trupave amerikane

Më: 29 janar 2024 Në ora: 15:47
Foto ilustrim

Presidenti Joe Biden tha se Uashingtoni do t’i përgjigjet vrasjes së tre ushtarëve amerikanë në një bazë në Jordani pa dhënë detaje mbi këtë çështje. Ngjarja ndodhi në fundjavë në një bazë amerikane pranë kufirit Jordani Siri dhe krahas ushtarëve të vrarë u plagosën dhe mbi 30 ushtarë të tjerë Teherani ka hedhur poshtë akuzat se ka nxitur sulmin. Republikanët në Kongresin amerikan, kanë kërkuar reagim të ashpër ndaj republikës islamike.

Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane tha se 3 ushtarë u vranë dhe të paktën 34 persona u plagosën, një numër që mund të ndryshojë ndërsa më shumë të plagosur kërkojnë ndihmë mjekësore.

Kjo bazë në Jordaninë verilindore gjendet pranë kufirit me Sirinë.

Ky është sulmi i parë vdekjeprurës kundër forcave amerikane që nga nisja e luftës Izrael-Hamas, që shpërtheu në tetor dhe rrezikon të përfshijë gjithë rajonin.

Zyrtarët amerikanë thonë se sulmet janë kryer nga grupe të armatosura të mbështetura nga Irani.

Gjatë një tubimi zgjedhor të dielën pasdite në Karolinën e Jugut, Presidenti Joe Biden kërkoi një minutë heshtje për ushtarët e vrarë dhe më pas shtoi: 

“Ne do t’i përgjigjemi sulmit”.

Në reagimin e Sekretarit të Mbrojtjes Lloyd Austin thuhet se “Grupet e mbështetura nga Irani janë përgjegjëse për sulmin ndaj trupave amerikane.

“Presidenti dhe unë nuk do të tolerojmë sulme ndaj forcave amerikane dhe ne do të ndërmarrim veprimet e duhura që të mbrojmë Shtetet e Bashkuara, trupat dhe interesat tanë”, thotë Sekretari Austin.

Rezistenca Islamike në Irak, një organizatë ombrellë e grupeve militante të linjës së ashpër, të mbështetur nga Irani, mori përsipër sulmet në tre baza, duke përfshirë një në kufirin Jordan-Siri.

Por Teherani ka hedhur poshtë akuzat se ka nxitur sulmin.

“Ne nuk po kërkojmë tensione as me Amerikën, brenda apo jashtë rajonit. Republika Islamike e Iranit beson seriozisht në zgjidhjet politike për mosmarrëveshjet ndërkombëtare dhe rajonale”, tha zoti Nasser Kanaan, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Iranit.

Forcat amerikane janë sulmuar më shumë se 150 herë nga grupet e mbështetura nga Irani, në Irak dhe Siri, që nga tetori kur militantët palestinezë kryen sulmin terrorist në pjesën jugore të Izraelit.

Republikanët akuzuan Presidentin Biden se nuk bëri sa duhet për t’i mbrojtur forcat amerikane, duke pritur ditën kur një dron ose raketë do t'i shmangej mbrojtjes ajrore të bazës. Ata thonë se ajo ditë erdhi të dielën, kur një dron i vetëm goditi afër kazermave të bazës herët në mëngjes. Ata thonë se ajo ditë erdhi të dielën, kur një dron i vetëm goditi afër kazermave të bazës herët në mëngjes.

Ata kërkuan që Presidenti Biden të sulmojë Iranin.

“Përgjigja e vetme ndaj këtyre sulmeve duhet të jetë hakmarrja shkatërruese ushtarake kundër forcave terroriste të Iranit, si në Iran ashtu edhe në Lindjen e Mesme”, tha Senatori republikan Tom Cotton përmes një deklarate të publikuar në rrjetin social X. 

Senatori tjetër republikan, Lindsey Graham, shkroi poashtu në X duke thënë: “Goditeni Iranin tani. Goditeni fuqishëm”.

Ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë pohuar se Uashingtoni nuk është në luftë në rajon, forcat amerikane kanë kryer sulme ndaj grupeve të mbështetura nga Irani në Irak dhe Siri dhe ka kryer sulme kundër aftësive ushtarake të grupit Houthi, në Jemen./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat