BE, frikë se konflikti në Gazë mund përhapet në të gjithë rajonin

Bota

BE, frikë se konflikti në Gazë mund përhapet në të gjithë rajonin

Më: 3 shkurt 2024 Në ora: 16:41
Josep Borrell

Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësimin rreth njoftimeve se ushtria izraelite po synon të vijojë betejën kundër militantëve të Hamasit në qytetin Rafah, që ndodhet në kufirin mes Rripit të Gazës me Egjiptin. Mbi 1 milion palestinezë janë zhvendosur në këtë qytet për t’u shpëtuar luftimeve. Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell tha të shtunën se konflikti ka të ngjarë të përhapet në të gjithë rajonin nëse nuk arrihet një armëpushim.

Në qytetin Rafah, që ndodhen në kufirin mes Gazës dhe Egjiptit, janë zhvendosur mbi 1 milion vetë, në një përpjekje për t’i shpëtuar luftimeve mes ushtrisë izraelite dhe militantëve të Hamasit.

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian shprehën shqetësimin mbi mundësinë e përhapjes së konfliktit mes një situate të tensionuar në rajon edhe nga sulmet e fundit ajrore amerikane ndaj dhjetëra objektivave në Irak dhe Siri, si kundërpërgjigje ndaj vrasjes së tre ushtarëve amerikanë.

“Izraeli po vijon aktivitetin e tij ushtarak në jug, duke i shtyrë njerëzit drejt kufirit egjiptian. Ka 1 milion njerëz që janë zhvendosur në mënyrë progresive drejt kufirit egjiptian. Ata thanë se kjo do ishte një zonë e sigurt. Por në fakt, çfarë po shohim është se bombardimet po prekin popullatën civile dhe kjo po krijon një situatë shumë të rëndë”, tha Josep Borrell, Shefi i politikës së jashtme të BE-së.

Deklaratat e shefit të politikës së jashtme të BE-së pasuan paralajmërimin që bëri të enjten ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant. Ai tha se pasi trupat izraelite të “pastrojnë qytetin jugor të Khan Younis, nga ku janë larguar dhjetëra mijëra njerëz, ata do të shkojnë në Rafah”. Por zoti Gallant nuk dha një afat kohor se kur do të nisë operacioni atje.

Një ofensivë e tillë mund t’i shtyjë refugjatët drejt Egjiptit, duke minuar marrëveshjen e paqes të Izraelit me këtë vend dhe duke zemëruar akoma më shumë Uashingtonin. Kjo ofensivë gjithashtu mund të dëmtojë bisedimet e ngadalta për paqe me Hamasin dhe të ndërlikojë përpjekjet për lirimin e shumë izraelitëve të marrë peng nga grupi militant, pas sulmit terrorist më 7 tetor.

Perspektiva e një lufte tokësore në Rafah ka rritur frikën për të ardhmen e popullsisë civile që është zhvendosur aty.

Ministrja e Jashtme belge, Hadja Lahbib, vendi i së cilës aktualisht mban presidencën e rradhës të BE-së, paralajmëroi për “një rrezik real të përhapjes së konfliktit”.

"Ne po bëjmë thirrje për përmbajtje. Dhuna nuk është kurrë një përgjigje. Dëgjuam këtë mëngjes dhe dje në mbrëmje, për kundërpërgjigje, me sulme ajrore nga Shtetet e Bashkuara ndaj objektive iraniane në Irak dhe Siri. Kjo përbën një shqetësim të madh. Ne po kërkojmë përmbajtje, dialog dhe zgjedhje diplomatike është e vetmja mënyrë se si ne mund të qetësojmë situatën në Lindjen e Mesme", deklaroi ajo.

Duke iu referuar sulmeve të fundit amerikane në rajon, Ministri i Jashtëm i Polonisë, një aleat i vendosur Uashingtonit, tha se përgjigjia amerikane ishte mëse e justifikuar.

“Ajo që mund t’ju them është se grupet që mbështeten nga Irani kanë luajtur me zjarrin për muaj dhe vite të tëra dhe tashmë ky zjarr po djeg vetë ata”, deklaroi zoti Radek Sikorski./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat