Franca akuzon Rusinë për fushatë dezinformimi në një vit të ndjeshëm zgjedhor

Bota

Franca akuzon Rusinë për fushatë dezinformimi në një vit të ndjeshëm zgjedhor

Më: 12 shkurt 2024 Në ora: 23:02
Ilustrim

Zyrtarët e qeverisë franceze akuzuan sot Rusinë për udhëheqjen e një fushate shumëvjeçare dezinformimi në internet kundër aleatëve perëndimorë të Ukrainës, dhe treguan se ajo është intensifikuar në një vit zgjedhjesh të ndjeshme që priten në Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe.

Siç raporton Washington Post, akuza erdhi në prag të dyvjetorit të pushtimit rus të Ukrainës, që çoi në luftë midis dy ish-republikave sovjetike.

Zyrtarët e ministrisë së Jashtme franceze thanë në një konferencë për shtyp se Rusia ka intensifikuar një fushatë të manipulimit të informacionit dhe mashtrimit, që synon aleatët e Kievit në Perëndim, duke përfshirë Poloninë, Gjermaninë dhe Francën.

Mesazhe të tilla, të cilat mund të shihen në rrjetet sociale si X (ish Twitter) dhe në faqe si Sputnik, ata thanë se ishin “masive në shkallën e tyre” dhe “të ndërlikuara në strukturën e tyre”.

Sipas tyre, qëllimi i fushatës së dezinformimit të Kremlinit mbeti i njëjtë: të ekzagjerojë sukseset e Rusisë në fushëbetejë në Ukrainë, të justifikojë pushtimin e saj, të diskreditojë ose zhvlerësojë rezistencën ushtarake ukrainase, të minojë rezistencën e popullsisë ukrainase ndaj sulmeve të përditshme ruse në qytete, dhe për të thyer mbështetjen ushtarake perëndimore për Ukrainën, dhe nëse furnizimi me armë në Kiev nuk mund të parandalohet, atëherë të ngadalësohet.

Zyrtarët francezë thonë se fushata e dezinformimit të Rusisë shkon përtej luftës në Ukrainë.

Siç theksojnë ata, në një vit zgjedhjesh me rrezikshmëri të lartë në Britaninë e Madhe, Bashkimin Evropian dhe SHBA, Rusia po përpiqet të ngatërrojë dhe frikësojë votuesit, të diskreditojë kandidatë të caktuar duke mbështetur të tjerët dhe të minojë mbajtjen e ngjarjeve të mëdha sportive si Lojërat Olimpike në Paris dhe kampionati evropian i futbollit në Gjermani.

Muajin e kaluar, zyrtarët e sigurisë në Francë, një aleat i vendosur i Ukrainës, thanë se vendi i tyre ishte objektivi i një fushate dezinformimi ruse pasi presidenti francez Emmanuel Macron përsëriti mbështetjen e tij për Kievin.

Vitin e kaluar, agjencia franceze kundër ndërhyrjeve digjitale të huaja VIGNUM, tha se Franca ishte në shënjestër të fushatës dhe se gjurmët çuan në “individë, kompani, entitete shtetërore ose entitete ruse të lidhura me shtetin rus”.

Agjencia zbuloi një faqe interneti mashtruese që fjalë për fjalë imiton faqen e internetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës, dhe reagoi me “masa mbrojtëse dhe parandaluese”, thuhet në raportin e vitit të kaluar VIGNUM.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat