Gjykata ruse lë në paraburgim deri në 30 mars gazetarin amerikan Evan Gershkovich

Bota

Gjykata ruse lë në paraburgim deri në 30 mars gazetarin amerikan Evan Gershkovich

Më: 20 shkurt 2024 Në ora: 20:53
Evan Gershkovich

Një gjykatë ruse vendosi të martën që gazetari amerikan Evan Gershkovich të qëndrojë në paraburgim deri më 30 mars.

Gjykata hodhi poshtë apelimin ndaj vendimit të mëparshëm që kërkonte zgjatjen e paraburgimit të gazetarit të gazetës “The Wall Street Journal”, që përballet me akuzat për spiunazh.

Vetë Evan Gershkovich dhe gazeta “The Wall Street Journal” i kanë hedhur poshtë akuzat. Rusia nuk ka dhënë prova për të mbështetur akuzat.

Departamenti Amerikan i Shtetit ka deklaruar se arrestimi i zotit Gershkovich është i paligjshëm.

32-vjeçari Gershkovich u arrestua në mars të vitit 2023 në qytetin e Yekaterinburgut gjatë një udhëtimi në Rusi për përgatitjen e një reportazhi.

Po ashtu, këtë të martë, mediat ruse njoftuan se autoritetet në Yekaterinburg arrestuan një shtetase amerikano-ruse nën dyshimet se ka dhënë mbështetje financiare për Ukrainën.

“Shërbimi Federal i Sigurisë në Yekaterinburg ndërpreu aktivitetet e paligjshme të një 33-vjeçareje, banore e Los Anxhelosit, e cila ka shtetësi të dyfishtë, ruse dhe amerikane”, sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve TASS, që citon Shërbimin Federal të Sigurisë (FSB).

Një zëdhënës i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Moskë i tha Zërit të Amerikës se është në dijeni të njoftimeve, por nuk pranoi të komentonte më tej situatën./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat