Navalny ishte pranë shkëmbimit me një të burgosur rus përpara se të vdiste, thotë një bashkëpunëtore

Bota

Navalny ishte pranë shkëmbimit me një të burgosur rus përpara se të vdiste, thotë një bashkëpunëtore

Më: 26 shkurt 2024 Në ora: 21:53
Alexei Navalny, foto ilustrim

Bashkëpunëtorët e opozitarit Alexei Navalny thanë të hënën se pak para vdekjes së udhëheqësit të opozitës ruse po zhvilloheshin bisedime për shkëmbimin e tij me një rus të burgosur në Gjermani.

“Alexei Navalny mund të ishte tani këtu, sot. Nuk po flas në mënyrë figurative”, tha në një deklaratë me video Maria Pevchikh, e cila jeton jashtë Rusisë. Ajo tha se mori konfirmimin se bisedimet ishin në "fazat përfundimtare" më 15 shkurt, një ditë përpara njoftimit për vdekjen e zotit Navalny.

Pretendimet e saj nuk mund të konfirmoheshin në mënyrë të pavarur dhe ajo nuk ofroi asnjë provë lidhur me pohimet e saj.

Sipas zonjës Pevchikh, Navalny dhe dy shtetas amerikanë të burgosur në Rusi do të shkëmbeheshin me rusin Vadim Krasikov, i dënuar me burg të përjetshëm në Gjermani për vrasjen në vitin 2019 në Berlin të Zelimkhan "Tornike" Khangoshvilit, një shtetas gjeorgjian 40-vjeçar me origjinë çeçene.

Gjykatësit gjermanë thanë se zoti Krasikov veproi nën urdhrat e autoriteteve ruse, të cilat e pajisën atë me dokumente dhe pasaportë të rremë për të kryer vrasjen.

Maria Pevchikh nuk i identifikoi qytetarët amerikanë që supozohej të ishin pjesë e marrëveshjes. Në qelitë ruse gjenden disa amerikanë, përfshirë gazetarin Evan Gershkovic të gazetës Wall Street Journal, i arrestuar nën akuzat për spiunazh dhe Paul Whelan, drejtues i lartë i një korporate në Miçigan, i dënuar për spiunazh, i cili po vuan një dënim të gjatë me burg. Të dy amerikanët dhe qeveria e Shteteve të Bashkuara i hedhin poshtë akuzat ruse.

Zyrtarët gjermanë kanë refuzuar të komentojnë nëse ka patur ndonjë përpjekje nga Rusia për të siguruar një shkëmbim të të burgosurit Krasikov.

Në fillim të këtij muaji, gazetari amerikan Tucker Carlson e pyeti Presidentin Vladimir Putin gjatë një interviste lidhur me perspektivat e shkëmbimit të gazetarit Gershkovich. Presidenti Putin tha se Kremlini ishte i hapur për negociata.

Presidenti rus foli për një burrë të burgosur në një vend aleat të Shteteve të Bashkuara për “likuidimin e një banditi” i cili dyshohet se kishte vrarë ushtarë rusë gjatë luftimeve në Çeçeni. Presidenti Putin nuk e përmendi emrin e tij por duket se e kishte fjalën për zotin Krasikov.

Zonja Pevchikh pretendoi në videon e saj, pa ofruar prova, se Putini "nuk do të toleronte" lirimin e Navalny-t dhe vendosi "ta hiqte qafe atë".

E pyetur gjatë një konference për shtypin në Berlin në lidhje me pretendimin e ekipit të zotit Navalny, zëdhënësja e qeverisë gjermane, Christiane Hoffmann tha se nuk mund të komentonte.

47-vjeçari Navalny, politikani më i njohur i opozitës ruse, vdiq papritur më 16 shkurt në një burg në Rrethin Arktik ndërsa vuante dënimin me 19 vjet burg.

Familja e opozitarit të ndjerë zhvilloi një betejë të ashpër për të marrë trupin e tij dhe për të organizuar një ceremoni mortore sipas traditave ruse. Perëndimi ka vënë sanksione shtesë ndaj Rusisë lidhur me vdekjen e zotit Navalny dhe luftën në Ukrainë. Zëdhënësja e zotit Navalny, Kira Yarmysh tha të hënën se po kërkonin të gjenin një vend për organizimin e një shërbese përkujtimore më vonë këtë javë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat