Macron sërish refuzon të përjashtojë operacionet tokësore perëndimore në Ukrainë ‘në një moment’

Bota

Macron sërish refuzon të përjashtojë operacionet tokësore perëndimore në Ukrainë ‘në një moment’

Më: 17 mars 2024 Në ora: 10:59
Emmanuel Macron

Disa ditë pas takimit me udhëheqësit gjermane dhe polakë, presidenti francez Emmanuel Macron gjatë një interviste të dhënë të shtunën mbrëmje, ka deklaruar se operacionet tokësore perëndimore në Ukrainë mund të jenë të nevojshme “në një moment”.

Muajin e kaluar Macron refuzoi të përjashtonte vendosjen e trupave perëndimore në terren në Ukrainë, gjë që shkaktoi një përgjigje të ashpër nga Berlini dhe partnerët e tjerë evropianë.

Por presidenti francez nuk ka hequr dorë nga qëndrimi i tij, duke theksuar se aleatët perëndimorë nuk do të merrnin iniciativën.

“Ndoshta në një moment – nuk e dua, nuk do të marr iniciativën – do të duhet të kemi operacione në terren, çfarëdo qofshin ato, për t’iu kundërvënë forcave ruse”, i tha Macron gazetës Le Parisien në një intervistë të zhvilluar të premten.

“Forca e Francës është se ne mund ta bëjmë atë”, shtoi presidenti francez.

Mosmarrëveshjet mbi mundësinë e operacioneve tokësore dhe dërgimin e raketave me rreze të gjatë veprimi në Kiev, kishin kërcënuar të minonin bashkëpunimin midis aleatëve.

Kancelari gjerman Olaf Scholz reagoi me zemërim ndaj refuzimit të mëparshëm të Macron për të përjashtuar dërgimin e trupave në Ukrainë, dhe komenteve të tij që u kërkonin aleatëve të mos ishin “frikacakë”.

Macron u takua me homologët e tij gjermanë dhe polakë në Berlin të premten, në një shfaqje solidariteti për Kievin.

Pas takimit, Macron tha se tre vendet e të ashtuquajturit Trekëndëshi i Weimarit ishin “të bashkuar”, në qëllimin e tyre “të mos e lënë kurrë Rusinë të fitojë dhe të mbështesin popullin ukrainas deri në fund”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat