Uashingtoni i kërkon Izraelit të mos e pushtojë qytetin e Rafahut

Bota

Uashingtoni i kërkon Izraelit të mos e pushtojë qytetin e Rafahut

Më: 23 mars 2024 Në ora: 14:18
Blinken

Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, ka paralajmëruar se një pushtim tokësor i qytetit kufitar jugor të Gazës mund të izolojë Izraelin.

Kryediplomati amerikan tha se një sulm tokësor në qytetin jugor të Gazës, Rafah, do të ishte “gabim” dhe “i panevojshëm” shkaku i miliona njerëzve të strehuar atje.

Vërejtjet e tij duket se theksojnë përkeqësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis Izraelit dhe aleatit kryesor të tij, SHBA-së, shkruan euronews.

Këto deklarata të sekretarit amerikan vijnë pas misionit të tij të gjashtë në Lindjen e Mesme ku ka diskutuar për një armëpushim të mundshëm dhe për të ardhmen e Gazës.

Blinken tha se një “armëpushim i menjëhershëm i qëndrueshëm” dhe lirimi i pengjeve nga Hamasi është urgjentisht i nevojshëm.

Gjithashtu, sekretari amerikan bëri me dije se do të takohet me zyrtarët izraelit në Uashington për të diskutuar metodat alternative ndaj një pushtimi tokësor në Rafah.

Pushtimi i Rafahut duket të jetë aq i rëndësishëm për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, sipas të cilit nëse ky pushtim nuk ndodh, Izraeli nuk mund të arrijë qëllimin e tij për të shkatërruar Hamasin.

Madje, Netanyahu është zotuar të shpërfillë edhe paralajmërimet e amerikanëve për të përmbushur dëshirat e veta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat