​Cikloni në Madagaskar mori 18 jetë, zhvendosen rreth 47 mijë persona

Bota

​Cikloni në Madagaskar mori 18 jetë, zhvendosen rreth 47 mijë persona

Më: 29 mars 2024 Në ora: 21:56
​Cikloni në Madagaskar

Të paktën 18 persona humbën jetën dhe katër të tjerë u lënduan në Madagaskar kur një ciklon tropikal goditi pjesën veriore të ishullit në Oqeanin Indian, njoftuan autoritetet e këtij shteti afrikan.

Cikloni Gamane goditi Madagaskarin verior dhe tani është dobësuar ndjeshëm, por më parë ka lënë pas shkatërrime, duke shkaktuar përmbytje të rënda, zhytje të pjesshme të fshatrave të tëra, rrëshqitje dheu dhe zhvendosje të popullsisë, tha Qendra Kombëtare e Menaxhimit të Fatkeqësive.

Sipas Qendrës, rreth 47 mijë persona janë zhvendosur ose janë prekur ndryshe nga cikloni dhe tre persona janë lënduar si pasojë e aktivizimit të rrëshqitjes së dheut.

Shpërthimet e erës arritën një shpejtësi prej 210 kilometrash në orë dhe uji pothuajse arriti në çatitë e disa shtëpive.

Madagaskari është goditur nga të paktën 10 ciklone të fuqishëm tropikal që nga fillimi i vitit 2022 dhe tani po përballet me një krizë urie në disa zona për shkak të efekteve negative të motit ekstrem, tha Programi Botëror i Ushqimit, një agjenci e Kombeve të Bashkuara.

Sipas organizatës botërore, ky numër i cikloneve në Madagaskar në dy vjetët e fundit është i paprecedentë. Jugu i ishullit po vuan nga thatësira më e keqe në 40 vjetët e fundit.

Madagaskari është një nga vendet me rrezikun më të madh të ndryshimeve klimatike dhe ka një nga normat më të larta të varfërisë në botë, sipas të dhënave të Bankës Botërore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat