Merkel u përmbahet sanksioneve ndaj Rusisë

Bota

Merkel u përmbahet sanksioneve ndaj Rusisë

Më: 2 nëntor 2018 Në ora: 09:14
Angela Merkel dhe Petro Poroshenko

Kancelarja Angela Merkel është shprehur për zgjatjen e afatit të sanksioneve, që ka vendosur BE ndaj Rusisë. Sfondi i tyre ka të bëjë me konfliktin e pazgjidhur në lindje të Ukrainës.

"Gjermania do të angazhohet për zgjatjen e sanksioneve", tha Angela Merkel gjatë një konference të përbashkët shtypi me presidentin e Ukrainës Petro Poroshenko në Kiev. Megjithatë sanksionet mund të zbuten, nëse ka përparime në zgjidhjen e konfliktit në lindje të Ukrainës.  "Për fat të keq nuk ka një armëpushim të qendrueshëm, ushtarët ende vriten", theksoi kancelarja gjermane

Poroshenko theksoi, se "gra dhe fëmijë"  janë vrarë gjatë luftimeve. "Situata në Donbas mbetet e tensionuar", tha 53 vjeëari. Ai njëkohësisht kritikoi zgjedhjet e caktuara për më 11 nëntor nga territoret separatiste.  Këto "zgjedhje të rreme" janë të "pavlefshme". E vetmja zgjidhje e konfliktit janë zgjedhjet korrekte, transparente dhe demokratike sipas ligjit ukrainas", theksoi kreu i shtetit.

Merkel: "Gjermania do të angazhohet për zgjatjen e sanksioneve"

Edhe kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel i kriitkoi këto zgjedhje: "Ne i shohim ato me sy shumë kritik", tha Merkel. Votimet e planifikuara nuk u përgjigjen kritereve të përcaktuara në marrëveshjen e paqes të arritur në Minsk, e cila duhet të hapë rrugën për marrëveshjen politike mes Ukrainës dhe forcave pro-ruse në territoret e kontrolluara prej tyre në Luhansk dhe Donjeck në lindje. Në këtë marrëveshje parashikohet edhe që zgjedhjet lokale duhet të zhvillohen sipas ligjit ukrainas.

Mbi 10.000  të vdekur

Në lindje të Ukrainës që nga viti 2014 trupat qeveritare luftojnë kundër rebelëve pro-rusë, që mbështeten nga Moska. Sipas OKB-së gjatë këtij konflikti deri tani janë vrarë mbi 10.000 vetë. Marrëveshja e paqes, e njohur si marrëveshja e Minskut, për hartimin e së cilës ka kontribuar qenësisht edhe kancelarja Merkel, ka mbetur pezull. Vazhdimisht ka shkelje të marrëveshjes.

BE më 2014 pas aneksimit të gadishullit të Krimesë nga Rusia vendosi sanksione kundër Moskës. Rusia nga ana e saj shpalli të enjten (01.11) sanksione ndaj Ukrainës. Nga këto sanksione janë të prekura në Ukrainë gati 70 firma dhe mbi 320 persona. Presidenti i Rusisë Vladimir Putin u deklarua për sanksionet në tetor duke i argumentuar ato shprehimisht  me "masat jo miqësore të Ukrainës"./DW/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat