Francë, “jelekverdhët” në rrugë edhe natën e ndërrimit të viteve

Evropë

Francë, “jelekverdhët” në rrugë edhe natën e ndërrimit të viteve

Më: 29 dhjetor 2018 Në ora: 20:32
Francë

Protestat anti qeveritare të “jelekëverdhëve” që kanë mbështjellë Francën, nuk do të ndalen as këtë fundjavë, në vigjilje të vitit të ri, e do të vazhdojnë edhe në 2019-ën.

“Jelekëverdhët” janë ende të mobilizuar, thotë Leticia Devalle, një zëdhënëse e lëvizjes së protestës që nuk ka një strukturë tradicionale lidershipi. Disa përfaqësues të lëvizjes thanë se një protestë e shtatë radhazi do të mbahet në vend këtë fundjavë.

Përfaqësuesi i “jelekëverdhëve”, Benjamin Cauchy, tha se protestuesit do të ishin në rrugë edhe natën e vitit të ri, po ashtu për të treguar se mobilizimi nuk do të mbarojë me 2018. Ai po ashtu paralajmëroi se nëse lëshimet e bëra deri më tani nga Emanuel Macron nuk thellohen, mobilizimi do të përshkallëzohet në fund të janarit.

Më herët të enjten, zyrtarët lokalë në Paris thanë se festimet e natës së vitit të ri në Champs Elysee do të mbahen pavarësisht planeve për protesta në shëtitoren e famshme. Dhjetëra e mijëra turistë dhe banorë vendas zakonisht e presin vitin e ri në bulevardin e gjerë që përfundon tek Harku i Triumfit.

Champs Elysees sidoqoftë ka qenë muajin e fundit epiqendra e protestave të dhunshme, të përsëritura kundër qeverisë Macron, me Harkun e Triumfit që u dhunua më 1 dhjetor.

Ndërsa numrat që kanë dalë nëpër protesta kohët e fundit ka rënë në mënyrë dramatike, disa mijëra vetë kanë njoftuar në facebook se do të marrin pjesë në atë që e quajnë event festiv dhe jo të dhunshëm, mbrëmjen e vitit të ri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat