Arrihet marrëveshja për shkëmbimin e të burgosurve mes qeverisë e separatistëve në Ukrainë

Evropë

Arrihet marrëveshja për shkëmbimin e të burgosurve mes qeverisë e separatistëve në Ukrainë

Më: 17 korrik 2019 Në ora: 09:51
Foto ilustrim

Këshilltarët e udhëheqësve të Gjermanisë, Francës, Rusisë dhe Ukrainës, të cilët po zhvillojnë bisedime për t’i dhënë fund konfliktit të armatosur në pjesën lindore të Ukrainës, kanë njoftuar se është arritur një marrëveshje për shkëmbimin e të burgosurve mes qeverisë ukrainase dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia.

Vadym Prystayko, zëvendëskryetar i administratës presidenciale të Ukrainës, tha para gazetarëve të martën se sipas kësaj marrëveshjeje, shkëmbimi duhet të kryhet brenda një muaji, duke shtuar se ende nuk është caktuar numri i saktë i të burgosurve që do të shkëmbehen.

Ky njoftim erdhi pas takimit të avokates së popullit në Rusi, Tatyana Moskalkova, me homologen e saj ukrainase, Lyudmyla Denisova, i cili u mbajt të hënën. Ato diskutuan për shkëmbimin e të burgosurve, ku do të përfshiheshin edhe 24 marinarët ukrainas, të cilët u arrestuan nga forcat ruse vitin e kaluar në Ngushticën e Kerçit.

Shkëmbimi i mundshëm i të burgosurve është diskutuar edhe në bisedën telefonike mes presidentit rus, Vladimir Putin, dhe homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, më 11 korrik.

Ukraina ka kërkuar vazhdimisht nga Rusia që t’i lirojë marinarët ukrainas, të cilët ishin arrestuar nga forcat ruse në ngushticën që e lidh Detin e Zi me Detin Azov.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat