Gjysma e BeH-së feston Ditën e shtetësisë, edhe Trumpi ua uroi, por Dodiku injoron të gjitha

Evropë

Gjysma e BeH-së feston Ditën e shtetësisë, edhe Trumpi ua uroi, por Dodiku injoron të gjitha

Nga: B.S. Më: 25 nëntor 2020 Në ora: 12:49
Milorad Dodiku

Të mërkurën, Bosnjë-Hercegovina feston 25-nëntorin si ditën e shtetësisë së saj, por kjo festë edhe këtë vit shënohet vetëm në Federatën e BeH-së, ndërsa në Republikën Sërpska është ditë e zakonshme pune, sepse ata nuk e njohin vazhdimësinë historike të shtetit boshnjak.

Edhe presidenti i SHBA-ve Donald Trump ka uruar udhëheqjen e shtetit dhe qytetarët e këtij vendi në ditën e shtetësisë.

- Ndërsa shënoni Ditën e shtetësisë së Bosnjë-Hercegovinën dhe 25-vjetorin e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit, është e qartë se paqja ka mundur testin e kohës. BeH-ja ka dalë më e fortë nga ditët e errëta të së kaluarës dhe mbetet e fuqishëm dhe e palëkundur në përkushtimin e saj për të ardhmen Euro-Atlantike të qytetarëve të saj - thuhet në mesazhin urues të Trumpit, në të cilin theksohet se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin fuqimisht BeH-në.

Dita e shtetësisë së BeH-së përkujton vendimet e marra nga Këshilli Kombëtar Antifashist i Çlirimit Popullor të BeH-së (ZAVNOBIH) në 25 nëntor 1943 dhe rezolutës që konfirmon se BeH-ja do të bëhet njësi-shtet federal i barabartë brenda Jugosllavisë së re.

Rezoluta, e cila u miratua në atë kohë, përmban fjalinë e famshme që popujt që jetojnë në BeH "duan që vendi i tyre, i cili nuk është as serb, as kroat as mysliman, por gjithashtu serb, mysliman dhe kroat, të jetë një Bosnjë dhe Hercegovinë e lirë dhe vëllazërore, në të cilën do të sigurohet barazia e plotë e të gjithë serbëve, myslimanëve dhe kroatëve ”.

BeH-ja nuk nxori ligj mbi festat publike pas nënshkrimit të Marrëveshjeve të Dejtonit, kështu që të dy njësitë vazhdojnë të shënojnë datat që shënonin deri në 1995. Në Republika Sërpska, këmbëngulin në pretendimin se BeH-ja aktuale nuk ka vazhdimësi me atë të para-luftës dhe 25 nëntori nuk mund të jetë ditë e shtetësisë së saj.

Duke vepruar kështu, ata injorojnë faktin se Marrëveshja e Dejtonit përcaktoi shtetin e sotëm të BeH-së si pasardhës ligjor të Republikës së BeH-së, dmth që ligjet e saj, përfshirë atë për festat, janë të vlefshme derisa të zëvendësohen me të reja.

Të mërkurën, anëtarët e Presidencës së BeH-së Shefik Xhaferoviq dhe Zhelko Komshiq vendosën një kurorë në memorialin e Flakës së përjetshme në Sarajevën qendrore, të ngritur në shenjë falënderimi për çliruesit partizanë në Luftën e Dytë Botërore.

Me këtë rast, Xhaferoviq tha se është i bindur se përkundër mosmarrëveshjeve aktuale nga RS, do të vijë dita kur e gjithë udhëheqja e shtetit do të shënojë 25 nëntorin si ditën e shtetësisë.

- 25 nëntori dhe 1 marsi (Dita e Pavarësisë) janë festa zyrtare dhe kjo u konfirmua nga Gjykata Kushtetuese e BeH-së - tha Xhaferoviq, duke shtuar se faktet nuk mund të ndryshohen dhe se ky është një realitet që herët a vonë të gjithë do të duhet ta pranojnë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat