Rusia shënon Ditën e Fitores me paradë ushtarake

Evropë

Rusia shënon Ditën e Fitores me paradë ushtarake

Më: 9 maj 2021 Në ora: 15:07
Makina ushtarake parakalojnë në paradën në Moskë, në Ditën e Fitores. Rusi, 9 maj, 2021.

Rusia ka shfaqur fuqinë e saj ushtarake me parada të mbajtura në mbarë vendin më 9 maj, për të shënuar 76-vjetorin e fitores së sovjetikëve ndaj Gjermanisë Naziste në Luftën e Dytë Botërore.

Presidenti rus, Vladimir Putin vëzhgoi nga afër paradën e Ditës së Fitores në Sheshin e Kuq të Moskës, ku parakaluan rreth 12 mijë trupa, afro 200 makina ushtarake, ndërkaq, avionët dhe helikopterët kryen manovra në qiellin e kryeqytetit rus. Putin e shikoi këtë paradë me veteranët e luftës.

Që prej se ka ardhur në pushtet, dy dekada më parë, Putini edhe nga posti i presidentit, por edhe i kryeministrit, ka tentuar që të rikthejë simbolet e të kaluarës sovjetike dhe ruse, me qëllim që të rrisë patriotizmin.

Gjatë fjalimit të tij, Putin u zotua se Rusia do të mbrojë interesat e saja kombëtare dhe denoncoi rikthimin e “rusofobisë”.

“Me vendosmëri ne do të mbrojmë interesat tona kombëtare, që të sigurohemi se njerëzit tanë janë të sigurt”, tha Putin.

Image
Parakalimi i ushtarëve rusë në Sheshin e Kuq. Moskë, 9 maj, 2021.

Ky përvjetor i Ditës së Fitores e gjen partinë ruse, që gjendet në pushtet, Rusia e Bashkuar, para zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen në shtator. Sondazhet sugjerojnë se mbështetja për këtë parti ka rënë në 27 për qind.

Marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimin gjithashtu janë përkeqësuar për shkak të burgosjes së liderit opozitar rus, Aleksei Navalny, por edhe për shkak të konfliktit në Ukrainë.

Javët e fundit, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë dëbuar diplomatët e njëra-tjetrës, derisa Moska dhe shtetet anëtare të Bashkimit Evropian po ashtu janë përfshirë në mosmarrëveshje të ngjashme diplomatike.

Paradat ushtarake po mbahen pasi Rusia së fundmi vendosi mbi 100 mijë trupa në afërsi të kufirit me Ukrainën si dhe në Krimenë e aneksuar. Kjo vendosje e trupave ndezi alarmin në kryeqytetet perëndimore, të cilat shprehën shqetësimin se Rusia po tenton të nxisë luftime të reja në lindje të Ukrainës midis forcave qeveritare ukrainase dhe separatistëve që mbështeten nga Rusia.

Që atëherë, Rusia ka tërhequr shumicën e trupave që kishte vendosur përgjatë kufirit, por pranë kufirit ka lënë disa pajisje ushtarake si dhe po vazhdon të kryejë stërvitje detare në Detin e Zi./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat