Greqia teston shpërndarjen e medikamenteve me dron në zonat e izoluara

Evropë

Greqia teston shpërndarjen e medikamenteve me dron në zonat e izoluara

Më: 21 shtator 2021 Në ora: 22:42
Foto ilustrim

Autoritetet në qytetin veri-perëndimor të Trikalës, në Greqi, kryen me sukses të martën testin e parë të fluturimit të një droni që do të përdoret për të shpërndarë medikamente në zonat e izoluara.

Testi u krye në kuadër të një projekti të financuar nga BE, që synon krijimin e mënyrave të reja të transportit, miqësore me mjedisin.

“Teknologjia mund t’u japë zgjidhje problemeve me të cilat përballemi. Sot ne transportuam medikamente në një farmaci të afërt, por nesër mund të kemi të bëjmë me një situatë të jashtëzakonshme. E ardhmja është teknologjia”, tha Dimitris Papastergiou, kryetar i Bashkisë së Trikalës.

Avioni i telekomanduar u ul jashtë një farmacie dhe më pas në një fermë në një fshat rreth 3 kilometra larg Trikalës dhe me një popullsi prej 200 banorësh.

Programi i financuar nga BE, i quajtur “Harmonia”, synon zbulimin e metodave të transportit që emetojnë karbon të ulët.

Me një angazhim aktiv të farmacive, dronët do të përdoren për të transportuar ilaçe tek njerëzit që kanë vështirësi të lëvizin, nëpër fshatra apo shtëpi të izoluara.

Për autoritetet, projekti ka një rëndësi jetike gjatë kohës së pandemisë. Gjithashtu, Greqia është e mbushur me fshatra malorë që në dimër izolohen si pasojë e dëborës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat