Turqi, agjencia rregullatore detyron Zërin e Amerikës dhe të tjerë të pajisen me liçenca

Evropë

Turqi, agjencia rregullatore detyron Zërin e Amerikës dhe të tjerë të pajisen me liçenca

Më: 10 shkurt 2022 Në ora: 23:22
Godina në Uashington e Zërit të Amerikës

Agjencia rregullatore për mediat në Turqi paralajmëroi tre transmetues ndërkombëtarë, ndër ta edhe shërbimin në gjuhën turke të Zërit të Amerikës, se brenda një afati të shkurtër duhet të pajisen me liçenca transmetimi ose përndryshe rrezikojnë t’u ndalohet transmetimi.

Urdhëri i Këshillit të Lartë për Radion dhe Televizionin, i njohur si RTUK, gjithashtu ndikon edhe tek transmetuesi gjerman Deutsche Welle dhe tek Euronews, tha një anëtar i bordit i emëruar nga opozita.

"Një vendim u mor me votat e shumicës që t'u jepen 72 orë afat faqeve në internet amerikansesi.com, dw.com/tr, dhe tr.euronews.com të marrin liçenca", shkruajti në Twitter anëtari i bordit të RTUK-së, Ilhan Tasci.

Zoti Tasci, i emëruar në bord nga Partia opozitare Republikane e Popullit, e kritikoi vendimin, duke e quajtur atë një sulm të mëtejshëm ndaj lirisë së mediave në Turqi.

Rregullorja

Vendimi bazohet në një rregullore që ka hyrë në fuqi në gusht 2019. Në atë kohë, disa aktivistë për lirinë e medias ngritën shqetësime për një çensurë të mundshme, pasi rregullorja i jepte RTUK-së autoritetin të kontrollonte të gjitha materialet në internet.

Gjithashtu, sipas kësaj rregulloreje, RTUK-ja është autorizuar të kërkojë liçenca transmetimi nga "ofruesit e shërbimeve mediatike", në mënyrë që shërbimet e tyre të radios, transmetimit televiziv dhe materialeve të tjera audiovizuale të vazhdonin të ishin të pranishme në internet.

Termi "ofrues të shërbimeve mediatike" është përkufizuar në terma të gjera në rregullore, duke përfshirë agjencitë e lajmeve dhe platformat dixhitale, si p.sh. Netflix.

Liçenca e transmetimit, që zgjat për 10 vjet, kushton rreth 7382 dollarë për platformat dixhitale dhe transmetimet televizive në internet.

Rregullorja i lejon RTUK-së të vendosë gjoba, të pezullojë transmetimet për tre muaj, apo të anullojë liçencat e transmetimeve nëse të liçensuarit nuk ndjekin parimet e RTUK-së.

RTUK-ja e ka zbatuar këtë rregullore me plaformat dixhitale. Në nëntor 2020, Netflix dhe Amazon Prime Video morën liçencat nga agjensia rregullatore, njoftoi në Twitter drejtuesi i RTUK-së, Ebubekir Sahin.

Në dhjetor 2021, RTUK-ja urdhëroi kompaninë Netflix të heqë filmin "More the Merrier", duke thënë se filmi "bazohej në një skenar ku homoseksualiteti, marrëdhëniet e inçestit dhe shkëmbimi i partnerëve përjetohen në mënyrë intensive", dhe se përfshinte skena imorale që shkelnin "vlerat shpirtërore të publikut".

Shqetësimet për çensurën

Njoftimi i së mërkurës shënon herën e parë që RTUK-ja ushtron fuqinë e saj rregullatore ndaj media të lajmeve në internet.

Zëvendës drejtori i RTUK-së, Ibrahim Uslu, e konfirmoi vendimin gjatë një telefonate me agjensinë gjermane të lajmeve "DPA".

Zoti Uslu i tha DPA-së se RTUK-ja do të publikonte një njoftim të detajuar të vendimit të saj në faqen në internet "brenda një periudhe nga një javë deri në dhjetë ditë", dhe pas kësaj transmetuesit do të kenë 72 orë kohë për ta zbatuar.

Zoti Uslu hodhi poshtë kritikat për çensurë, duke thënë se vendimi "nuk ka të bëjë aspak me çensurën, por është pjesë e masave teknike".

Disa aktivistë të lirisë së medias vënë në dukje se vendimi më i fundit i RTUK-së mund të shtrëngojë transmetues të tjerë publikë ndërkombëtarë që të kërkojnë liçenca nga kjo agjensi rregullatore, nëse dëshirojnë të vazhdojnë veprimtarinë në Turqi, pikërisht siç po i ndodh Zërit të Amerikës.

"Këtyre (transmetuesve ndërkombëtarë publikë) do t'u duhet të sigurojnë liçenca nga Turqia, dhe në këtë kontekst do të duhet të zbatojnë vendimet e RTUK-së dhe gjykatave. Në të kundërt, qasja tek faqet në internet të këtyre organizatave mund të bllokohet nga Turqia, bazuar tek një kërkesë e RTUK-së", i tha Zërit të Amerikës Yaman Akdeniz, profesor për legjislacionin kibernetik në Universitetin Bilgi të Stambollit.

"Pra, organizata nga jashtë Turqisë, të cilat transmetojnë dhe ende ofrojnë lajme më lirisht në Turqi, do të vendosen gjithashtu në shënjestër të RTUK-së përpara zgjedhjeve të vitit 2023", tha zoti Akdeniz.

Koordinatorja e programit për Evropën dhe Azinë Qendrore në Komitetin për Mbrojtjen e Gazetarëve, Gulnoza Said, mbështet komentet e zotit Akdeniz.

"Detyrimi para të cilit janë vendosur Zëri i Amerikës, Deutsche Welle dhe Euronews është një tjetër përpjekje për të kontrolluar raportimin e pavarur, në veçanti ndërsa priten zgjedhjet e vitit 2023", i tha Zërit të Amerikës zonja Said.

Zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe parlamentare janë caktuar për në qershor 2023, por partitë opozitare kanë bërë thirrje për zhvillimin e zgjedhjeve në një datë më të afërt.

Zonja Said thekson rëndësinë e pranisë së transmetuesve ndërkombëtarë publikë në panoramën mediatike të Turqisë, duke vënë në dukje rënien e lirisë së mediave në Turqi.

"Shumë gazetarë kritikë tani punojnë për mediat ndërkombëtare, pasi u shkarkuan apo u larguan nga mediat kryesore gjatë viteve të fundit, për shkak se u bë e vështirë, në mos e pamundur, të punonin për shkak të çensurës", i tha Zërit të Amerikës zonja Said.

Nëse Zëri i Amerikës, Deutsche Welle dhe Euronews "nuk do të jenë në gjendje të vazhdojnë punën e tyre në Turqi, këta profesionistë të mirëkualifikuar do të bëhen viktima të rregulloreve të reja", tha zonja Said.

Pavarësia e RTUK-së

Disa aktivistë të lirisë së medias e kanë kritikuar prej kohësh RTUK-në. Human Rights Watch thotë se kjo agjenci rregullatore nuk arrin të përmbushë standardet e paanshmërisë dhe pavarësisë për shkak të anësisë së saj politike me Partinë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) të Presidentit Rexhep Tajip Erdogan.

"Kur shikojmë historikun e RTUK-së, shohim se bordi i saj nuk është i gatshëm të paralajmërojë ose gjobisë organet pro-qeveritare, ndërsa sillet mjaft ashpër ndaj mediave kritike", tha zonja Said për Zërin e Amerikës.

Nëntë anëtarët e RTUK-së emërohen nga partitë politike në raport me përfaqësimin e tyre në parlament. Aktualisht, AKP-ja dhe Partia aleate e Lëvizjes Nacionaliste mbajnë shumicën.

RTUK nuk iu përgjigj kërkesave të Zërit të Amerikës për koment.

Në një email drejtuar Shërbimit Turk të Zërit të Amerikës në përgjigje të një kërkese për koment, një zëdhënëse e Zërit të Amerikës tha se Zëri i Amerikës ishte në dijeni të kërkesës së RTUK-së për një liçencë ushtrimi të veprimtarisë.

"Zëri i Amerikës beson se çdo përpjekje e qeverisë për të heshtur mediat është një shkelje e lirisë së shtypit, një vlerë thelbësore e të gjitha shoqërive demokratike", tha Bridget Serchak, zëdhënësja e Zërit të Amerikës.

"Nëse qeveria turke bllokon zyrtarisht faqet tona të internetit, Zëri i Amerikës do të bëjë çdo përpjekje për t'u siguruar që audienca e saj turqisht-folëse të ruajë qasjen në një internet të lirë dhe të hapur duke përdorur të gjitha metodat e disponueshme", shtoi zëdhënësja e Zërit të Amerikës.

Deutsche Welle nuk iu përgjigj kërkesës së Zërit të Amerikës për koment, por publikoi një artikull në faqen e saj të internetit.

“Ne kemi mësuar nga mediat për një vendim të mundshëm të RTUK-së që mund të ketë pasoja edhe për DW”, tha një zëdhënës i Deutsche Welle-s. "Megjithatë, ne do të jemi në gjendje të bëjmë një analizë përfundimtare dhe të vendosim se si të veprojmë vetëm pasi të kemi marrë njoftimin zyrtar nga autoritetet".

Euronews tha se nuk mund të komentojë për këtë çështje për momentin.

Shërbimi turk i Zërit të Amerikës transmeton në Turqi që nga viti 1948. Ky shërbim ka ofruar lajme thelbësore për audiencën turqishtfolëse përmes faqes së tij të internetit dhe programeve televizive.

Në vitin 2019, Fondacioni për Kërkime Politike, Ekonomike dhe Sociale (SETA), një institut proqeveritar në Turqi, publikoi një raport prej 202 faqesh të titulluar "Degët e Organizatave Ndërkombëtare të Medias në Turqi" dhe profilizoi gazetarët që punojnë për shërbimet në gjuhën turke të transmetuesve publikë ndërkombëtarë, përfshirë Zërin e Amerikës. Raporti pretendonte se mbulimi i Turqisë nga transmetuesit ishte i njëanshëm dhe i padrejtë ndaj qeverisë turke.

Në Twitter, një tjetër anëtar opozitar i bordit të RTUK-së, Okan Konuralp, e quajti vendimin e RTUK-së një zbatim të raportit të SETA-s.

"Megjithatë, kjo lëvizje për të shtypur mediat ndërkombëtare është gjithashtu e destinuar të dështojë", shtoi ai./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat