Koha për t’u kujtuar: Si u helmua Jushçenko

Evropë

Koha për t’u kujtuar: Si u helmua Jushçenko

Më: 13 mars 2022 Në ora: 20:07
Jushçenko

Fati i zi politik i ish-presidentit pro-perëndimor ukrainas: Shpërfytyrimi i pamjes e (vetë)largoi nga politika

Se sa e rrezikshme është të jesh president i Ukrainës nëse nuk e ndjek politikën sipas vullnetit të Kremlinit, tregohet brutalisht nga shembulli i liderit aktual ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili aktualisht është objektivi numër një i Rusisë për t’u hequr qafe.

Edhe përpara Zelensky-t, shumë zyrtarë ukrainas pro-evropianë janë goditur rëndë, veçanërisht ish-presidenti Viktor Jushçenko, i cili u helmua në një darkë 18 vjet më parë gjatë fushatës presidenciale. Një sërë rrethanash nuk janë sqaruar edhe sot. Dëshmitë, pra epruvetat e gjakut të Jushçenkos u zhdukën dhe më vonë rasti u shfrytëzua për konfrontime të ndërsjella politike, madje edhe brenda Koalicionit Portokalli.

Ndërsa ishte bankier dhe kur hyri për herë të parë në politikë, Jushçenko dukej kështu:

Skandali ndodhi gjatë fushatës presidenciale të vitit 2004, në të cilën Jushçenko u perceptua si një kandidat pro-perëndimor dhe ku politikani pro-rus Viktor Janukoviç konkurroi kundër tij.

Pas humbjes së Jushçenkos, pati protesta masive nga qytetarët e quajtur më vonë Revolucioni Portokalli. Për shkak të parregullsive, Gjykata e Lartë anuloi rezultatet e zgjedhjeve presidenciale dhe pas raundit të dytë, Jushçenko u bë president i Ukrainës. Është interesante se si ministri aktual i Mbrojtjes, Oleksei Jurkieviç Reznikov, i cili ishte një avokat i njohur, e përfaqësoi Jushçenkon në atë kohë para Gjykatës së Lartë.

Në disa raste, Jushçenko tha se likuidimi i tij ishte urdhëruar nga Moska, sepse ai po përpiqej ta afronte Ukrainën me Evropën. Ai i tha Sky News katër vjet më parë në një zyrë në Kiev:

“Nuk kam asnjë dyshim se Rusia është përgjegjëse për këtë sulm”.

Kur spiuni i dyfishtë Sergei Skripal u helmua në Salisbury në vitin 2018, për të cilin britanikët fajësuan rusët dhe liderin e tyre Vladimir Putin, në një intervistë të gjerë me BBC, Jushçenko kujtoi gjithashtu kalvarin e tij dhe më pas i bëri thirrje Evropës që të zgjohet dhe të kuptojë se kërcënimi vjen nga Rusia.

“‘Buzët dhe fytyra jote kanë shije si metal’, më tha gruaja ime atë natë kur u ktheva në shtëpi”, tha Jushçenko në atë kohë.

Gruaja ndjeu një erë kimike dhe duke qenë se ai nuk merrte asnjë mjekim, ajo e pyeti se çfarë ishte dhe ai tundi dorën duke iu përgjigjur se kishte ngrënë ushqime shumë të yndyrshme. Ai u sëmurë atë natë, por mendoi se ishte thjesht një reagim ndaj ushqimit të prishur.

“Isha duke darkuar me shefin e shërbimit sekret ukrainas dhe me krahun e tij të djathtë. Siduket më hodhën helm në oriz dhe simptomat më të këqija u shfaqën gjatë një udhëtimi në Austri,” kujton ai. Dy ditë pas darkës, koka e tij u fry dhe u shtrembërua plotësisht. Dhimbje të tmerrshme filluan të përhapen në të gjithë trupin dhe simptomat purulente të proceseve inflamatore u shfaqën në lëkurë.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat