Ushtarët ukrainas në Donjetsk, të gatshëm për t’u përballur me ofensivën e Rusisë

Evropë

Ushtarët ukrainas në Donjetsk, të gatshëm për t’u përballur me ofensivën e Rusisë

Më: 19 prill 2022 Në ora: 15:58
Pamje nga lufta në Ukrainë

Forcat ukrainase në vijën e frontit në lindje të vendit thonë se janë të përgatitura për t’u përballur me sulmin e ri të forcave ruse. Pasi deklaroi se marrja e rajonit Donbas është objektiv kryesor i luftës, Moska ka rifilluar ofensivën e plotë ushtarake përgjatë një fronti me gjatësi prej 480 kilometrash.

Forcat ukrainase në vijën e frontin në rajonin Donbas në lindje të vendit, thonë se janë të gatshme të përballen me ofensivën e forcave ruse.

Ministria ukrainase e Mbrojtjes publikoi pamje të ushtarëve që mbrojnë pozicionet në zonat e rajonit Donjetsk që kontrollohen nga qeveria.

“Siç thashë edhe në 2016, nëse shkelin në territorin tonë, atëherë le të vinë. Do të qëndrojnë këtu përgjithmonë. Ka tokë të mjaftueshme këtu për (t’i varrosur) të gjithë. Qoftë edhe një gjysëm metri të hyjnë, nuk do të ketë pikëpyetje. Do të marrin atë çfarë meritojnë”, thotë një ushtar ukrainas.

Rusia rifilloi të hënën sulmin për të marrë kontrollin e pjesës lindore të Ukrainës, duke sulmuar përgjatë një fronti prej 480 kilometrash. Sipas zyrtarëve, kjo do të shënojë një fazë të re dhe ndoshta një pikë kulmore të luftës.

Rajoni Donbas i Ukrainës është përgjithësisht industrial dhe shumica e popullsisë flasin rusisht. Separatistët e mbështetur nga Moska i kanë luftuar forcat ukrainase gjatë tetë viteve të fundit dhe kanë shpallur dy republika të pavarura që janë njohur nga Rusia. Ushtarët ukrainas janë përgatitur tashmë për sulme më komplekse.

“Nuk menduam për aviacionin. Menduam më shumë për artilerinë, se do të përdornin vetëm artileri. Por, na u desh të mësojmë edhe se si janë sulmet ajrore”, thotë një ushtar ukrainas.

Gjatë javëve të fundit, Kremlini deklaroi se kapja e rajonit Donbas ishte objektivi kryesor i luftës, pasi dështuan përpjekjet për të marrë kryeqytetin Kiev.

Pasi u tërhoqën nga kryeqyteti, Rusia filloi të riorganizojë dhe të përforcojë formacionet luftarake në lindje të Ukrainës për një ofensivë të plotë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat