LIVE: Putin ‘kërcënoi’ sërish Ukrainën, vjen kundërpërgjigja e ashpër nga Amerika: Tërhiqu!

Evropë

LIVE: Putin ‘kërcënoi’ sërish Ukrainën, vjen kundërpërgjigja e ashpër nga Amerika: Tërhiqu!

Nga: Bota sot Më: 23 dhjetor 2022 Në ora: 07:15 Përditësuar në ora: 22:45 më 23.12.2022
Pamje nga lufta në Ukrainë

Pasi përdori për herë të parë termin luftë, SHBA-të thirrje Putinit të pranojë realitetin: Tërhiq trupat nga Ukraina

Shtetet e Bashkuara i bën thirrje presidentit rus Vladimir Putin që të pranojë realitetin dhe të tërheqë trupat nga Ukraina pasi më në fund ai e quajti konfliktin një “luftë”.

Që kur Putin urdhëroi pushtimin në shkurt, Rusia ka folur zyrtarisht për një “operacion special ushtarak” dhe ka vendosur një ligj që kriminalizon atë që autoritetet e quajnë terminologji mashtruese.

Por në një konferencë shtypi të enjten, vetë Putin përdori fjalën “luftë” pasi tha se shpresonte t’i jepte fund asaj sa më shpejt që të ishte e mundur.

“Që nga 24 shkurti, Shtetet e Bashkuara dhe pjesa tjetër e botës e dinin se ‘operacioni ushtarak special’ i Putinit ishte një luftë e paprovokuar dhe e pajustifikuar kundër Ukrainës. Më në fund, pas 300 ditësh, Putin e quajti luftën ashtu siç është,” tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit. .

“Si një hap tjetër në njohjen e realitetit, ne i bëjmë thirrje atij që t’i japë fund kësaj lufte duke tërhequr forcat e tij nga Ukraina.”

Departamenti i Shtetit tha se, pavarësisht nga terminologjia e Putinit, “agresioni i Rusisë kundër fqinjit të saj sovran ka shkaktuar vdekje dhe shkatërrim.

Lufta në Ukrainë/ “Varreza” e raketave luftarake do të përdoret si provë për të dënuar agresionin rus

Teksa lufta në Ukrainë vazhdon ende, në qytetin e Kharkiv-it është krijuar një “varrezë” raketash, ku numërohen mijëra të tilla, të cilat janë të lëshuara nga Rusia.

Kjo “varrezë” raketash është një dëshmi e bombardimeve nga Rusia përgjatë 10 muajve.

Autoritetet lokale shpresojnë se mund të ndihmojnë në dhënien e informacionit për çdo rast të ndjekjes penale kundër autoriteteve dhe ushtarëve rusë dhe se një ditë mund të bëhen pjesë e muzeut të mizorisë.

Zëdhënës i Prokurorisë së rajonit të Kharkiv, Dmytro Çubenko, është shprehur se raketat janë mbledhur që prej fillimit të luftës dhe janë të organizuara sipas llojit.

“Këto janë prova që një gjykatë penale ndërkombëtare do t’i përdorte,” tha Çubenko, teksa përmendi se materialet janë duke u analizuar nga disa specialist.

Zyra e prokurorit të Kharkiv tha se do t’i mbajë raketat për aq kohë sa të jetë e nevojshme, në mënyrë që çdo ekspert ose prokuror të mund të marrë informacionin që i nevojitet për të përdorur si provë kundër rusëve.

Zelensky kërkon mbështetje nga Afrika, pretendon të hapë 10 ambasada të reja në të gjithë kontinentin

Udhëheqësi ukrainas Volodymyr Zelensky mund të kërkojë të forcojë mbështetjen nga Afrika, ndërkohë që vendi i tij vazhdon të luftojë kundër pushtimit rus.

Duke folur me një grup diplomatësh në Kiev sot, Zelensky tha se do të hapte 10 ambasada të reja në të gjithë kontinentin, për të forcuar lidhjet tregtare dhe për të kërkuar mbështetje, duke e çuar totalin në 30.

Reuters sugjeron se ai mund të përpiqet të përdorë burimet e grurit të Ukrainës për të luftuar varfërinë dhe urinë në kontinent, në ato zona që kanë më shumë nevojë, për të fituar mbështetjen e tyre.

“Ne po rishikojmë marrëdhëniet me dhjetëra vende afrikane”, tha Zelenskyy më parë.

“Vitin e ardhshëm ne duhet ta forcojmë këtë, “shtoi ai, duke e quajtur Afrikën një vend “ku interesat tona përfaqësohen deri më tani më pak se sa kemi nevojë”.

Në fillim të kësaj jave, Maroku u bë shteti i parë afrikan që ofron ndihmë ushtarake për Ukrainën, sipas raporteve franceze, çeke dhe ukrainase.

Shumë vende afrikane kanë mbetur neutrale gjatë pushtimit dhe Rusia ka investuar shumë për ta mbajtur kontinentin në këtë mënyrë.

Në votimin e parë kyç të Kombeve të Bashkuara (OKB) pas pushtimit, 28 vende afrikane (nga 54) ose abstenuan ose nuk votuan për të dënuar agresionin e Rusisë, përfshirë Marokun.

I vendosur për të vijuar luftën, Putin kërkon nga industria e mbrojtjes të përmirësojë armët për ushtrinë

Presidenti rus, Vladimir Putin, kërkoi nga shefat e industrisë së mbrojtjes ruse që të përmirësojnë punën e tyre dhe të sigurohen që ushtria ruse të marrë të gjitha armët dhe pajisjet ushtarake që i duhen për të luftuar në Ukrainë.

Putin i bëri këto komente të premten gjatë vizitës në Tula, që është një qendër e prodhimit të armëve.

“Detyra kryesore për industrinë tonë ushtarake është që të ofrojë për njësitë dhe forcat që janë në vijën e frontit, gjithçka që ata kanë nevojë: armë, pajisje, municione, në sasi dhe cilësi të duhur në kohën më të shpejtë të mundshme”, tha Putin.

“Është e rëndësishme që të përmirësohen karakteristikat teknike të armëve dhe pajisjeve për luftëtarët tanë, bazuar në përvojën ushtarake që kemi fituar”, tha ai.

Gjatë kësaj jave, Putin tha se ushtria ruse u desh që të mësonte dhe tejkalonte problemet me të cilat është përballur në Ukrainë, dhe premtoi se ushtria do të ketë gjithçka që i duhet për të vazhduar luftën në Ukrainë.
Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt dhe deri më tani dhjetëra mijëra ushtarë janë dërguar në vijat e frontit.

Por, së fundi ushtria ruse është përballur me ngecje në fushëbetejë.

Gjatë takimit me shefat e industrisë së mbrojtjes, Putin tha se dëshiron të dëgjojë nga ta se si mund të përmirësohen disa probleme – të cilat nuk i specifikoi – dhe shtoi se dëshiron që specialistët e mbrojtjes të punojnë direkt me forcat në terren për të rregulluar armët dhe pajisjet në baza ditore./REL

Zelensky flet për vizitën në SHBA: Ishte një udhëtim i rrallë, nuk kam kohë për më shumë të tilla

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka qenë prezent në Konferencën e Ambasadorëve të Ukrainës në Kiev.

Duke u shfaqur në publik për herë të parë që prej rikthimit nga Shtetet e Bashkuara, përmes Polonisë, ai theksoi se vizita ishte e rrallë, raporton cnn.

“Kjo vizitë është një pikë referimi shumë e rëndësishme. Nuk kam mundësi të bëjë vizita jashtë vendit sepse nuk kam kohë”, tha ai.

Presidenti ukrainas vazhdoi t’u kërkoi partnerëve të huaj që nëse duan “të marrin drejtimin e bisedimeve për paqe”, atëherë “negociatat duhet të zhvillohen personalisht” me Zelenskyn.

Si pjesë e fjalimit, lideri ukrainas foli edhe për “paketën e fuqishme financiare” që amerikanët po përgatitën për Ukrainën, e cila kap shifrat prej 45 miliardë dollarësh.

Ndryshe, Rusia ka nisur pushtimin e pajustifikueshëm të shtetit ukrainas më 24 shkurt duke shkaktuar mijëra viktima.

Ukrainë, vazhdojnë ndërprerjet e energjisë elektrike për shkak të sulmeve ruse

Pas sulmeve të fundit ruse me dronë ndaj infrastrukturës energjetike, operatori ukrainas i energjisë Ukrenergo do të fillojë ndërprerjet emergjente të furnizimit me energji elektrike në zonën e Kievit. Dronët rusë kanë sulmuar vazhdimisht kryeqytetin e vendit dhe qytete të tjera të Ukrainës, shpesh duke vënë në shënjestër objektet kritike të energjisë dhe ujit. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Myroslava Gongadze vizitoi objektet kryesore që furnizojnë vendin me energji elektrike. 

Bombardimi nga Rusia i infrastrukturës energjetike të Ukrainës në muajt e fundit ka lënë më shumë se 10 milionë ukrainas pa energji elektrike. Shumë prej tyre kanë mbetur pa ngrohje, apo ujë ndërsa dimri tashmë ka filluar. 

Ky objekt energjetik në Ukrainën qendrore është goditur disa herë gjatë muajve të fundit. 

Drejtori i Përgjithshëm i operatorit elektrik të Ukrainës, Ukrenergo, Volodymyr Kudrytskyi, tregon për Zërin e Amerikës gjendjen e njërit nga nënstacionet kritike të rrjetit elektrik të Ukrainës. Transformatori i nënstacionit, thelbësor për furnizimin me energji elektrike të miliona ukrainasve, u shkatërrua gjatë një sulmi të fundit rus. 

“Rusia ka sulmuar tashmë me më shumë se 1000 raketa të rënda dhe dronë rrjetin elektrik të Ukrainës. Në shënjestër të sulmeve ishin kryesisht objektet e operatorit Ukrenergo, linjat e transmetimit, por edhe termocentralet. Kjo është një nga fushatat më të mëdha në histori kundër sistemit energjetik të një vendi. Askush nuk e ka përjetuar ndonjëherë atë që ne po përjetojmë tani”, tha ai për Zërin e Amerikës. 

Zoti Kudrytskyi thotë se Ukrenergo duhet fillojë ndërprerjet me orar të energjisë elektrike për të ruajtur ekuilibrin midis prodhimit dhe konsumit në sistem dhe kjo prek miliona ukrainas. 

Sistemet energjetike ruse dhe ukrainase kanë qenë të lidhura. Zoti Kudrytskyi thotë se ekspertët rusë të energjisë po këshillojnë ushtrinë ruse se cilat pjesë të sistemit të sulmojnë për të shkaktuar më shumë vuajtje. 

“Ata gjithashtu kanë zgjedhur kohën me temperatura të ulëta për t'u shkëputur nga rrjeti i furnizimit të ngrohjes me ujë, dhe për këtë arsye po shkatërrojnë këtë infrastrukturë kritike. Rrjeti elektrik është baza e infrastrukturës kritike, sepse pa të asgjë tjetër nuk funksionon”, thotë ai. 

Shumica e energjisë elektrike të Ukrainës prodhohet nga centralet bërthamore. Ukraina ka 15 reaktorë në katër centrale bërthamore. 

Një muaj më parë, pas një sulmi të madh rus, centrali bërthamor Rivne, që ndodhet 60 kilometra larg kufirit me Bjellorusinë, u detyrua të ndërpriste punën për shkak të dëmtimit të rëndë të sistemit energjetik të Ukrainës. 

Rivne është centrali më i madh në Ukrainën perëndimore dhe e furnizon vendin me më shumë se 15,000 gigavat-orë energji elektrike në vit. 

Drejtori i termocentralit bërthamor Rivne thotë se ata po punojnë me ushtrinë për të mbrojtur objektin. Megjithatë, ata kanë nevojë për më shumë ndihmë nga komuniteti ndërkombëtar. 

"Së pari, ne kemi nevojë për mbrojtjen e infrastrukturës kritike të energjisë", i tha Zërit të Amerikës Pavlo Kovtoniuk, drejtor i përgjithshëm i centralit bërthamor Rivne. 

Për shkak të sulmit me raketa, ne duhet t'i kushtojmë më shumë vëmendje sigurisë së stacionit tonë. Dhe komuniteti ndërkombëtar arriti të kuptojë se siguria bërthamore në Ukrainë është një problem për të gjithë botën, jo vetëm për Ukrainën”,shton kryeinxhinieri i stacionit, Vyacheslav Stoyanov. 

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenski, i kërkoi ndihmë Presidentit amerikan Joe Biden për mbrojtjen e rrjetit energjetik të vendit. Sulmet ruse me raketa dhe dronë kanë shkatërruar 50 për qind të rrjetit energjetik të Ukrainës. Infrastruktura energjetike e Ukrainës mbetet objektivi kryesor i sulmeve ruse./VOA

Paralajmërimi i Moskës: Nuk ka fund të luftës pa arritur qëllimet ushtarake ruse

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy u kthye sot në Kiev pas vizitës në Shtetet e Bashkuara. Në një postim në llogarinë e tij në Telegram ai shkruante se forcat ukrainase “po luftojnë me objektiv arritjen e fitores". Komentet vijnë ndërsa Rusia paralajmëroi sot se nuk do t’i japë fund luftës derisa të arrijë qëllimet e saj ushtarake.

Në postimin e tij zoti Zelenskyy përmendente paketën e re të ndihmës ushtarake prej 1.8 miliardë dollarësh, ofruar nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa shtonte se “Ukraina do të kapërcente gjithçka". 

Ai falenderonte Holandën gjithashtu për premtimin e një ndihme deri në 2.5 miliardë dollarë për vitin 2023, që do të shërbejë për blerjen e pajisjeve ushtarake dhe rindërtimin e infrastrukturës kritike.

Kthimi i zotit Zelenksyy në Kiev vjen ndërsa Rusia vazhdon sulmet me artileri, raketa e mortaja, në disa rajone të Ukrainës.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se lufta do të përfundojë në tryezën e bisedimeve vetëm pasi Rusia të arrijë qëllimet e vendosuara, nga ajo që Moska e quan “operacion i posaçëm ushtarak”. Ai shtoi se Moska ka shënuar përparim të rëndësishëm në çmilitarizimin e Ukrainës.

Zëdhënësi i Kremlinit tha se asnjë plan paqeje ukrainas, nuk mund të ketë sukses pa marrë parasysh realitetet e sotme që nuk mund të injorohen siç tha ai, duke iu referuar kërkesës së Moskës që Ukraina të njohë sovranitetin e Rusisë mbi gadishullin e Krimesë, të aneksuar prej saj në vitin 2014, si dhe mbi territoret e tjera që Moska ka tashmë nën kontroll. 

Ndërkohë Kievi njoftoi se në 24 orët e fundit të paktën pesë civilë janë vrarë dhe 18 të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve ruse në tetë rajone në jug dhe lindje të Ukrainës. 

Sipas Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës, qytetet e Bakhmutit, Lymanit, si dhe linja e frontit mes rajoneve të Luhanskut dhe Kharkivit po mbajnë peshën kryesore të sulmeve ruse./VOA

Izraeli rrit shitjet e armëve ndërsa vazhdon lufta në Ukrainë

Industria izraelite e armëve po rritet me shpejtësi, kryesisht për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë dhe rritjes së kërcënimeve ushtarake iraniane në Lindjen e Mesme dhe më gjerë. Kompania izraelite e mbrojtjes “Rafael” nënshkroi kohët e fundit një marrëveshje me kompaninë amerikane “Lockheed Martin” për të zhvilluar, testuar dhe prodhuar një sistem të ri mbrojtjeje ajrore me rreze lazer, të njohur si “Rrezja e Hekurt”. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Linda Gradstein njofton nga Jeruzalemi. 

Eksportet izraelite të armëve u rritën 30 për qind vitin e kaluar, duke arritur në 11.3 miliardë dollarë. Vitin e ardhshëm këto shifra pritet të rriten. Analistët izraelitë të sigurisë besojnë se kjo po ndodh për shkak të luftës në Ukrainë.

"Pushtimi rus i Ukrainës ishte dhe ende është, si një sinjal alarmi për NATO-n. Është lufta e parë në tokën evropiane, në të cilin NATO është pothuajse e përfshirë në luftë, ose afër një konflikti me Rusinë. Ky ndërgjegjësim ka bërë që NATO papritur të kuptojë se ka nevojë për të gjitha llojet e armëve, jo vetëm nga Shtetet e Bashkuara. Por, edhe për të rritur blerjet e tyre nga Izraeli”, vlerëson korrespondenti i gazetës “Haaretz” që merret me çështjet e inteligjencës, Yossi Melman.

Analistët thonë se një nga arsyet pse armët izraelite pëlqehën më shumë është se ato provohen në kushte beteje, ndryshe nga armët e eksportuesve të tjerë.

“Rusia, para luftës së Ukrainës, ishte eksportuesi më i madh ose eksportuesi i dytë më i madh i armëve në botë. Tregu i tyre po shembet sepse armatimi rus nuk funksionon mirë. Të gjithë po e shohin këtë në Ukrainë. Shumë vende shkojnë në Izrael për të blerë sisteme të reja, sepse janë të pakënaqur me sistemet ruse që kanë”, thotë Shlomo Shpiro, drejtori i “Institutit Europa” në Universitetin “Bar-Ilan” në Izrael.

Analistët gjithashtu thonë se teknologjia izraelite shihet si një mjet i rëndësishëm kundër kërcënimit në rritje të fuqisë ushtarake iraniane.

Nuk janë vetëm vendet evropiane ato që janë të shqetësuara nga Irani, por edhe vende si Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Maroku. Këto vende , para dy vjetësh, nënshkruan marrëveshje paqeje me Izraelin, të njohura si Marrëveshjet e Abrahamit.

“Irani, i cili ka qenë burim destabiliteti më parë vetëm në Lindjen e Mesme, tani po dërgon papritmas dronë në Rusi dhe po krijon një aleancë ushtarake me Rusinë për ta ndryshuar kursin e luftës kundër Ukrainës, ku Moska po shënon humbje. Pra, të gjithë këta faktorë po bashkohen dhe lufta po e ndihmon Izraelin në këtë kuptim, po ndihmon pozitën izraelite në botë dhe në Evropë. Për këtë arsye, Izraeli po rrit tregun e saj të armatimeve”, thotë gazetari dhe eksperti i çështjeve të sigurisë, Yossi Melman.

Industria izraelite e armëve do të marrë një shtysë tjetër nga marrëveshja e fundit midis kompanisë izraelite “Rafael” dhe asaj amerikane “Lockheed Martin”, për të bashkëpunuar në sistemin e ri antiajror me lazer të njohur si “Iron Beam”, “Rrezja e Hekurt”./VOA

​Zelensky: Të vendosur për të luftuar për fitore

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky u kthye sot në Kiev, pas një udhëtimi në SHBA, dhe më pas në Poloni, duke thënë se ai është i vendosur të luftojë për fitore. “Ne po punojmë për fitore”, tha Zelensky.

Zelensky udhëtoi në Uashington, në fillim të kësaj jave, ku u prit në një takim historik nga presidenti amerikan, Joe Biden në kuadër të vizitës së tij të parë jashtë vendit, që kur Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt.

SHBA-ja është mbështetësi më i madh financiar dhe ushtarak i Ukrainës. Gjatë takimit, Uashingtoni premtoi një ndihmë ushtarake shtesë prej 1.85 miliardë dollarësh, duke përfshirë transferimin e parë të sistemit të mbrojtjes ajrore “Patriot”.

Gjatë kthimit në Ukrainë, Zelensky bëri një ndalesë në Poloni ku u takua me presidentin polak, Andrzej Duda, një tjetër aleat i rëndësishëm.

Rusia, ndërkohë, është zotuar të shkatërrojë sistemin e mbrojtjes ajrore, duke pretenduar se “çmilitarizimi” i Ukrainës ishte ndër qëllimet e Moskës.

Bomba nga Uashingtoni dhe NATO, del në skenë skenari i paimagjinueshëm për fundin e luftës në Ukrainë, një tjetër shtet po përgatitet të ndihmojë Vladimir Putinin

Politologu amerikan Michael Walzer ka paraqitur një skenar të paimagjinueshëm për fundin e luftës në Ukrainë në orët kur Zelensky u prit si hero në Uashington, duke pranuar premtimin e presidentit amerikan Joe Biden për furnizimet me raketa Patriot. Sipas tij presidenti ukrainas duhet të jetë gati të fluturojë në Kremlin nëse ka një angazhim nga Vladimir Putin. Pas 300 ditësh lufte të pamëshirshme, sipas Walzer, mundësia e negociatave varet ende nga armët. "Shpresoj që fitoret e mëtejshme të Ukrainës do ta inkurajojnë Moskën të pranojë kufijtë e 24 shkurtit", u shpreh eksperti amerikan. Por sinjalet në këtë kuptim nuk duket se kanë ardhur ende nga Rusia. Në të vërtetë, takimi bashkëkohor mes “deputetit” Medvedev dhe presidentit kinez Xi Jinping ka shërbyer për të forcuar, të paktën në media, imazhin e dy fronteve kundërshtare: Perëndim-Kiev kundër Kremlinit-Pekinit.

Sinjalet e vizitës së presidentit ukrainas

Eksperti amerikan ka treguar prapaskenat e vizitës së presidentit ukrainas në SHBA. "Udhëheqësi i një vendi aleat nën rrethim po vjen për të folur me presidentin dhe parlamentarët në një kohë kur një Kongres i ri është gati të marrë detyrën dhe shumë janë kundër ndihmës për Ukrainën. Nëse ai vjen për t'u përballur drejtpërdrejt me ta, për të shpjeguar pozicionin e tij , është e një rëndësie të madhe. Dhe mendoj se është domethënëse që Biden e mirëpret atë si një aleat të madh dhe një figurë heroike në mbrojtjen e pavarësisë dhe sovranitetit kombëtar. Është një moment i madh. Disa thonë se Zelensky duhet të kishte vizituar Brukselin përpara Uashingtonit. Në rrugën e kthimit, ai duhet të ndalet në Bruksel. Dhe sigurisht ai duhet të jetë gati për të shkuar në Moskë, nëse do të kishte një angazhim nga Putin", nënvizon Walzer për Corriere della Sera.

A do të ketë armëpushim?

Megjithatë "një armëpushim tani do t'i jepte Putinit mundësinë për të krijuar një ushtri efektive. Dhe kjo nuk është ajo që ne duam të shohim. Është shumë e vështirë, duhet të përcaktohet një armëpushim që të përfshijë garanci kundër rifillimit të luftimeve". Për raketat Patriot "mbrojtja ajrore duhet të ishte dërguar në Ukrainë muaj më parë. Ne ishim aq të përqendruar në rrezikun e përshkallëzimit bërthamor, saqë injoruam rrezikun e bombardimeve ajrore në shkallë të gjerë të infrastrukturës ukrainase”, u shpreh eksperti.

Flet përfaqësuesi i NATO

Për takimin Biden-Zelensky, ka folur dhe përfaqësuesi italian në NATO, ambasadori Stefano Stefanini. “Putini nuk dëshiron të heqë dorë nga objektivat e tij, ushtarake dhe politike: aneksimi i territoreve dhe zvogëlimi i Ukrainës në një shtet vasal të Rusisë. Asnjë dritë paqeje nuk mund të shihet sot”, tha ai. Stefanini paralajmëron më pas për një mundësi, se "me vizitën e Putinit në Minsk, një front i tretë në veri, një bjelloruso-ukrainas, mund të hapet, siç ishte në fillim me avancimin në Kiev.

Ukraina do të vazhdojë të rezistojë

Nga ana tjetër, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në fjalën e tij të mbajtur në Kongresin amerikan tha se Ukraina vazhdon ende të qëndrojë pavarësisht të gjitha parashikimeve kundër. Lideri ukrainas u zotua se nuk do të bëjë kompromis në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës. Më pas ai vuri theksin në rrezikun e këtij sulmi duke vënë theksin se forcat ruse nuk janë kërcënim vetëm për Ukrainën por ky konflikt po ve në rrezik demokracinë në mbarë botën. “Paratë tuaja nuk janë bamirësi. Është një investim  në sigurinë globale dhe demokracinë që ne trajtojmë në mënyrën më të përgjegjshme,”u shpreh ai para Kongresit. Zelensky u bëri thirrje ligjvënësve amerikanë që të forcojnë sanksionet kundër Rusisë dhe që terroristet  të mbahen përgjegjës për agresionin. Presidenti ukrainas u përpoq edhe të bindë deputetët dhe senatorët që të vazhdojnë të financojnë Ukrainën për të vazhduar luftën kundër pushtuesve rusë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat