Vdesin dy fëmijë nga infeksioni me Strep A në Skoci

Evropë

Vdesin dy fëmijë nga infeksioni me Strep A në Skoci

Më: 28 dhjetor 2022 Në ora: 22:14
Foto ilustrim

Dy fëmijë kanë vdekur nga infeksioni me Strep A, njoftojnë autoritetet skoceze.

Instituti i Shëndetit Publik në Skoci (PHS) thotë se dy fëmijë nën moshën 10 vjeçare kanë vdekur mes muajve tetor dhe dhjetor.

Rastet e infektimit me Strep A janë zakonisht të lehta, të cilat kanë simptoma virale si dhembje fyti, ethe, mirëpo në raste të rralla mund të zhvillohet në infeksion invaziv të grupit Strep (iGAS).

Në raportin e tij të fundit, PHS raporton shtatë vdekje nga rastet me iGAS, përfshirë dy fëmijë.

Por, sekretari skocez për Shëndetësi, Humza Yousaf iu përgjigj raportit të PHS-së në mediat sociale.

“Çdo vdekje është tragjedi, veçanërisht ato të fëmijëve. Mendimet e mia janë me familjet dhe të dashurit e të prekurve. Fatmirësisht, shumica e rasteve me Strep A paraqiten si sëmundje e butë dhe mund të trajtohet me antibiotikë”, shkroi Yousaf në Twitter.

Po ashtu, ai tha se po punon me qeverinë britanike për të siguruar mjetet e nevojshme për trajtimin e kësaj sëmundje, raporton BBC.

Agjencia Britanike e Sigurisë Shëndetësore (UKHSA) deri tash ka raportuar për 94 raste të vdekjeve në Angli ndërmjet shtatë ditëve nga diagnoza me iGAS, 16 prej tyre fëmijë nën 10 vjeç. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat