LIVE: Ukraina skenë krimi, dalin dëshmi të masakrave ruse – vjen lajmi i ‘keq’ për Putinin!

Evropë

LIVE: Ukraina skenë krimi, dalin dëshmi të masakrave ruse – vjen lajmi i ‘keq’ për Putinin!

Nga: Bota sot Më: 30 dhjetor 2022 Në ora: 08:27 Përditësuar në ora: 21:27 më 30.12.2022
Pamje nga lufta në Ukrainë

​Biden nënshkruan projektligjin e buxhetit që parashikon ndihmën për Ukrainën

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden ka nënshkruar legjislacionin e ri të buxhetit të administratës së tij, i cili përfshin ndihmën për Ukrainën.

Buxheti i miratuar nga të dyja dhomat e Kongresit arrin një total prej 1.7 trilion dollarë.

Rreth gjysma e buxhetit të nënshkruar dje nga Biden, pothuajse 858 miliardë dollarë, do të vihet në dispozicion për shpenzimet e mbrojtjes. Rreth 45 miliardë dollarë nga këto janë caktuar për ndihmën në Ukrainë.

Miratimi i projektligjit të buxhetit është një sukses për demokratët e Biden. Buxheti ofron më shumë mbështetje për Ukrainën sesa presidenti kishte kërkuar fillimisht nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati.

Të mërkurën e kaluar, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky mbajti një fjalim në Kongres, në Uashington duke bërë thirrje për më shumë mbështetje për Ukrainën.

Fondi për Ukrainën përfshin rreth nëntë miliardë dollarë të destinuara për ndihmë ushtarake dhe gati 16 miliardë dollarë për ndihmë ekonomike dhe humanitare.

Përveç kësaj, 12 miliardë dollarë janë planifikuar për të rimbushur rezervat dhe magazinat e municioneve të ushtrisë amerikane pas dërgesave të saj në Ukrainë.

Gjithashtu, shtatë miliardë dollarë të tjerë janë caktuar për shpenzime shtesë nga trupat amerikane në Evropë.

Situata energjetike stabilizohet në Kiev

Situata e energjisë elektrike është “stabilizuar” në kryeqytetin ukrainas pas breshërisë së djeshme të sulmeve ruse, ka deklaruar kompania energjitike e qytetit DTEK.

“Punonjësit e energjisë kanë arritur të kryejnë punë teknike, duke lejuar stabilizimin e situatës (energjetike) në Kiev,” tha DTEK të premten.

Kompania shtoi se ndërprerjet e planifikuara janë të mundshme, për sa kohë që nuk ka “sulme shtesë” në objektet energjetike.

Më parë, operatori shtetëror i rrjetit ukrainas Ukrenergo tha se deficiti i energjisë në qytet ishte kthyer në nivelet përpara grevave të 29 dhjetorit.

Dje 40% e kryeqytetit ka mbetur pa energji elektrike.

Ukrenergo tha se pasojat e dëmit patën një ndikim shumë më të vogël në funksionimin e sistemit energjetik sesa priste armiku. Ai tha se situata në Ukrainën jugore dhe lindore mbetet e vështirë.

Analistët: Aktiviteti i grupit Wagner tregon dobësinë e ushtrisë ruse

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për Çështjet e Sigurisë Kombëtare, John Kirby njoftoi në fund të dhjetorit se grupi mercenar rus Wagner po zgjeron ndikimin e tij. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Garri Knyagnitsky thotë se kompania private ushtarake ruse po rekruton të dënuar dhe ka marrë armë nga Koreja e Veriut.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, thotë se grupi mercenar rus Wagner, ashtu si ushtria ruse, po përjeton mungesa në radhët e tij dhe po rekruton të dënuar.

Zoti Kirby thotë se kreu i kompanisë private Wagner, Yevgeny Prigozhin ka shkuar personalisht në burgjet ruse për të rekrutuar të dënuar për të luftuar në vijën e parë të frontit.

"Duket se zoti Prigozhin është i gatshëm të sakrikojë jetë rusësh në Bakhmut. Në fakt, rreth një mijë luftëtarë të Grupit Wagner janë vrarë atje në luftime javët e fundit, dhe ne besojmë se 90% nga ata një mijë luftëtarë ishin ish-të burgosur”.

Olga Romanova është themeluesja e grupit të të drejtave civile Rusia prapa Hekurave.

"Ata nuk janë të interesuar për ideologjinë; atyre u interesonte të liroheshin. Ata donin të ishin të lirë të bënën atë që bënin kur ishin në banda, për të qenë jashtë qelisë, për të mos pasur rregulla”, thotë ajo.

Zoti Kirby thotë se ndikimi i Grupit Wagner po rritet. Zoti Prigozhin ka kritikuar disa herë publikisht gjeneralët e ushtrisë ruse për strategjinë e tyre të dështuar në Ukrainë.

Analistët thonë se Ministria e Mbrojtjes e Rusisë është përgjigjur negativisht ndaj fushatës së rekrutimit të Grupit Wagner.

"Në fakt Grupi Wagner po konkurron me njësitë ushtarake të ushtrisë ruse dhe po rekruton nga burgjet. Përshtypja është se të burgosurit janë të egër, por kjo nuk do të thotë se ata kanë trajnim të mirë ushtarak. Kjo tregon se sa e dobët është ushtria ruse."

Gjenerali në pension i ushtrisë amerikane, Peter Zwack, është dakord.

"Kur përdor forca alternative ndaj trupave të ushtrisë dhe nuk arrin asgjë, kjo reflekton negativisht për ushtrinë ruse."

Shumë të dënuar e shohin rekrutimin nga Grupi Wagner si mënyrë shpëtimi nga burgu. Zonja Romanova thotë se ata nuk janë të motivuar për të luftuar, por përkundrazi e shikojnë rekrutimin si një biletë drejt lirisë. Megjithatë, shumë prej tyre, pasi rekrutohen, përpiqen të largohen ose ndryshojnë palë dhe u bashkohen Forcave të Armatosura të Ukrainës. Grupi Wagner nuk ngurron të kundërpërgjigjet. Në mes të nëntorit, qarkulloi një video që tregonte mercenarët e Grupit Wagner duke ekzekutuar një anëtar të grupit që dezertoi në Ukrainë.

"Shumë ranë dakord të bashkoheshin me Grupin Wagner duke shpresuar të iknin menjëherë. Kjo është arsyeja pse mijëra prej tyre dorëzohen, dezertojnë. Kjo është arsyeja që shohim ekzekutime pa gjyq. Dhe Prigozhin bëri një gabim të madh sepse mendoi se këto ekzekutime do t’i bënin të dënuarit që të kishin frikë të iknin, por ata thjesht nuk po bashkohen më me Grupin Wagner", thotë zonja Romanova.

Informacionet e zbulimit kanë treguar gjithashtu se Grupi Wagner po merr furnizime me armë nga Koreja e Veriut, thotë zoti Kirby. Sipas të dhënave të Pentagonit, dërgesa e parë nga Koreja e Veriut u bë në nëntor dhe kjo, shton zëdhënësi Kirby, është një shkelje e rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
/VOA

Shtohen dëshmitë e krimeve ruse në Ukrainë, qytetarët: Duhen dënuar komandantët e lartë, jo vetëm ushtarët

Dhjetë muaj pas sulmit të Rusisë në Ukrainë, pjesa më e madhe e fakteve dëshmon se trupat e Kremlinit kanë zhvilluar atje një luftë totale, në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare për trajtimin e civilëve dhe rregullave në fushën e betejës.

Ukraina po heton më shumë se 58 mijë krime të mundshme lufte nga Rusia, përfshirë vrasje, rrëmbime, bombardime pa dallim mes civilëve dhe ushtarakëve dhe sulme seksuale.

Raportimet e agjencisë së lajmeve “Associated Press” dhe rrjetit investigativ “Fronltine” të mbledhura në një bazë të dhënash publike, kanë konfirmuar në mënyrë të pavarur më shumë se 600 incidente, që duket se janë në shkelje me ligjet e luftës.

Disa prej këtyre masakrave kanë lënë të vrarë dhjetra ose qindra civilë, ndërsa numri i përgjithshëm i krimeve të luftës mund të arrijë në mijëra

Sikurse i tha agjencisë “Associated Press”, Karim Khan, kryeprokuror në Gjykatën Ndërkombëtare Penale në Hagë, “Ukraina është një skenë krimi”.

Megjithatë, përballë dokumentimit të asaj që ka ndodhur ka një realitet të hidhur.

Edhe pse autoritetet kanë mbledhur një sasi tronditëse provash, pasi sulmi është nga më të dokumentuarit në historinë njerëzore, janë të pakta gjasat që të arrestojnë së shpejti ata që kanë hapur zjarr dhe kanë ushtruar dhunë e aq më pak komandantët që dhanë urdhrat dhe udhëheqësit politikë që miratuan sulmet.

Për këtë ka një seri arsyesh, thonë ekspertët. Autoritetet ukrainase përballen me sfida serioze në mbledhjen e provave të pakundërshtueshme në një zonë lufte. Shumica dërrmuese e krimeve të luftës janë kryer në anën ruse të frontit.

Edhe në rastet kur ka patur ndjekje penale, kufizimet me të cilat përballet drejtësia janë të dukshme.

Një rast është ai i Vadim Shishimarinit, një komandant tanku 21-vjeçar, i pari rus që u gjykua për krime lufte. Ai u dorëzua në mars dhe u vetëdeklarua fajtor në një gjykatë të Kievit në maj, duke pranuar se kishte qëlluar në kokë një civil ukrainas 62 vjeçar.

Në sallën e gjyqit ndihej dëshira për të ndërthurur drejtësinë me hakmarrjen.

“A e ndjen veten vrasës”, i thirri një grua rusit i cili qëndronte në këmbë në kafazin e qelqtë të të pandehurve.

“Po për burrin që është në varr”?, u dëgjua një zë më i mprehtë. Ndërsa një zë i tretë e pyeti avokatin se si mund të luftonte për lirinë e një rusi.

Ushtari i ri u dënua fillimisht me burgim të përjetshëm, por pas apelimit ndaj tij u vendos 15 vjet heqje lirie. Kritikët thanë se dënimi fillestar ishte tepër i ashpër, duke mbajtur parasysh faktin se ai pranoi krimin, tha se po zbatonte urdhërat dhe shfaqi pendesë.

Megjithatë, hetuesit ukrainas deri më tani nuk kanë qenë në gjendje të ngrenë akuza ndaj komandatëve të Vadim Shishimarinit. Që prej muajit mars, Ukraina ka ngritur dyshime ndaj 600 rusëve, shumë prej tyre zyrtarë të nivelit të lartë dhe zyrtarë ushtarakë, përfshirë Ministrin e Mbrojtjes Sergei Shoifu. Por deri më tani, asnjë prej zyrtarëve të fuqishëm nuk është vënë para drejtësisë ukrainase.

“Do të ishte e tmerrshme nëse në fund do të dënoheshin për krime lufte apo për krime ndaj njerëzimit, ushtarakë të gradave të ulëta dhe komandatët më të lartë të liheshin të lirë”, thotë avokati britanik Philippe Sands.

Gjatë gjithë luftës udhëheqësit rusë kanë mohuar akuzat për sjellje mizore dhe të dhunshme.

Ambasadori i Moskës, në Kombet e Bashkuara, Vasili Nebenzia, tha se asnjë civil nuk është torturuar apo vrarë në qytetin e Buças, pavarësisht dokumentimit të hollësishëm dhe të kujdesshëm nga Associated Press, gazetarë të tjerë dhe hetues të krimeve të luftës, të mizorive që u kryen atje.

“Nuk ka patur asnjë sulm të dhunshëm ndaj asnjë individi atje”, tha ambasadori, duke i cilësuar fotot dhe videot e viktimave në rrugë si inskenime të ukrainasve.

Bazuar në fakte, këto deklarata janë provuar si të pavërteta, nga autoritetet ukrainase dhe ato ndërkombëtare, grupet e të drejtave të njeriut dhe gazetarët që kanë dokumentuar me saktësi barbarinë ruse qëkurse Kremlini urdhëroi sulmin e paprovokuar në shkurt.

Si pjesë e kësaj përpjekjeje për të dokumentuar atë që ka ndodhur,baza e të dhënave të Associated Press dhe Frontline e quajtur “War Crimes Watch Ukraine”, dëshmon një pjesë të krimeve të luftës. Associated Press dhe Frontline kanë përfshirë vetëm incidentet që mund të verifikohen përmes fotografive, videove dhe dëshmitarëve që kanë parë me sy ngjarjet.

Është raportuar edhe për qindra incidente të tjera që mund të përbëjnë krime lufte, por nuk ka patur prova të mjaftueshme publike që të konfirmonin në mënyrë të pavaruar atë që ka ndodhur.

Megjithatë baza e të dhënave jep detaje të fushatës 10 mujore që duket se ka shkelur ligjet e luftës, përfshirë 93 sulme në shkolla, që kanë lënë pas 36 fëmijë të vrarë, sikurse edhe më shumë se 200 sulme të drejtpërdrejta ndaj civilëve, përfshirë torturimin, rrëmbimin, vrasjen e civilëve dhe përdhosjen e trupave të pajetë.

Objektiv i Rusisë kanë qenë kishat, qendrat kulturore, spitalet dhe infrastruktura energjitike.

Baza e të dhënave tregon se Rusia lëshuar bomba në lagjet rezidenciale dhe ndërtesat që strehonin civilë.

Sipas një investigimi të Associated Press, Rusia ka lëshuar një bombë mbi teatrin e Mariupolit, që po përdorej si strehë për civilet, duke lënë pas, së paku 600 viktima. Një tjetër investigim tregon se 30 ditë pas nisjes së sulmit forcat ruse goditën dhe dëmtuan 34 qendra mjekësore.

“Ky është një krim që bie ndesh me ligjet e luftës”, tha Stephen Rapp, ish-ambasador amerikan për krime lufte. “Nëse dikush plagoset duhet të marrë kujdes mjekësor. Nuk mund të sulmosh spitalin. Është rregulli më i vjetër në ligjet ndërkombëtare”.

Ekspertët thonë se nën drejtimin e Presidentit Vladimir Putin, Rusia ka shkelur rregullat e vendosura nga Konventa e Gjenevës dhe një seri traktatesh që përcaktojnë se si duhet t’i trajtojnë vendet që janë në luftë qytetarët e kundërshtarit, si edhe Statutin e Romës në bazë të të cilit u ngrit Gjykata Ndërkombëtare Penale dhe që përcakton aktet që përbëjnë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit./VOA

Anija luftarake e pajisur me armë bërthamore e Putinit planifikon lundrimin pranë brigjeve të Britanisë

Një anije luftarake ruse e forcave detare të Vladimir Putin, e cila është e pajisur me armë bërthamore do të lundrojë shumë pranë Britanisë së Madhe. Udhëheqësi rus thuhet se po përgatitet të dërgojë anijen me raketa hipersonike Zircon me kapacitet bërthamor 9 Mach pranë brigjeve të Britanisë, sipas mediave të huaja.

Admiral Gorshkov do të drejtojë një task forcë detare ruse në fillim të vitit 2023 në një demostrim tjetër fuqie ndaj Perëndimit. Një burim i afërt me ministrinë ruse të Mbrojtjes tha pwr agjencinë shtetërore të lajmeve TASS se Gorshkov është planifikuar të fillojë detyrën luftarake në det në janar të vitit 2023.

“Ai do të kryejë detyrat e tij luftarake në Detin Mesdhe, me raketa hipersonike Tsirkon në bord”, sipas burimeve.

Misioni i ri pritet të dërgojë Gorshkov nga Severomorsk përtej brigjeve të Britanisë ndërsa shkon për veprime luftarake provokuese në Mesdhe në mes të konfliktit midis Rusisë dhe Ukrainës, por megjithatë rusët nuk kanë bërë të ditur itinerarin apo oraret e sakta.

Putin takim online me Xi Jinping, flasin për rend të ri botëror

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, zhvilloi një takim online me homologun nga Kina, Xi Jinping, të cilin e ftoi për vizitë zyrtare në Moskë pranverën e vitit 2023.

Shefi i Kremlinit foli për synimet që ka Moska në përforcimin e bashkëpunimit ushtarak dhe teknik me Pekinin.

“Koordinimi mes Rusisë dhe Kinës në arenën ndërkombëtare shërben për të krijuar një rend të ri botëror të drejtë”, u shpreh shefi i Kremlinit në fjalën hapëse në takimin me homologun nga Pekini.

Putin shtoi se të dyja vendet kanë të njëjtat opinione për çështje të ndryshme dhe panoramën e gjeopolitikës globale. Dy liderët e superfuqive diskutuan edhe për thellimin e bashkëpunimit ekonomik.

“Përkundër të gjitha provave, raportet bilaterale janë më të mirat në histori”, tha ndër të tjera Putin.

Sipas mediave ruse, Xi Jinping konfirmoi gatishmërinë e Kinës për t’u afruar dhe më tej politikisht me Rusinë si partner globalë. Deri më tani, Pekini zyrtar nuk ka dënuar ende luftën e nisur nga Putini kundër Ukrainës, por për të ka fajësuar NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara

Aleat me Rusinë, Bjellorusia rrëzon raketën e mbrojtjes ajrore të Ukrainës

Bjellorusia ka njoftuar ambasadorin ukrainas për t’i thënë se ka rrëzuar një raketë të mbrojtjes ajrore ukrainase në territorin bjellorus.

Kjo ndodhi të enjten, gjatë një prej sulmeve më të rënda ajrore të Rusisë kundër Ukrainës deri më tash.

Pamjet nga televizioni shtetëror bjellorus tregojnë mbetje raketash në një fushë.

Një zëdhënës i ushtrisë ukrainase tha se incidenti ishte “rezultat i mbrojtjes ajrore”.

Bjellorusia, aleate kryesore e Rusisë, i ka bërë thirrje Kievit që të kryejë një hetim të plotë pasi raketa S-300 ra afër kufirit.

Kirill Kazantsev, oficer i forcave bjelloruse të mbrojtjes raketore, ka thënë se po shqyrtojnë dy skenarë.

“E para është një lëshim aksidental [nga Ukraina] i raketës së mbrojtjes ajrore, për shkak të nivelit të ulët të trajnimit të ekuipazhit ushtarak ose mosfunksionimit të raketës. E dyta është një provokim i qëllimshëm nga forcat ushtarake ukrainase.”

Është hera e parë që Bjellorusia rrëzon një raketë të Ukrainës që nga agresioni rus në shkurt.

Ambasadori ukrainas u thirr në ministrinë e jashtme në Minsk.

“Pala bjelloruse e sheh këtë incident si jashtëzakonisht të rëndë”, tha zëdhënësi i qeverisë, Anatoly Glaz për Reuters.

Ai i bëri thirrje Ukrainës që “të marrë masa gjithëpërfshirëse për të parandaluar përsëritjen e incidenteve të tilla në të ardhmen”.

Kremlini, ndërkohë, ka thënë se është shumë i shqetësuar nga ky incident, shkruan BBC.

Ministria ukrainase e mbrojtjes tha se ishte e gatshme të ftonte ekspertë nga vendet që nuk mbështesin “shtetin terrorist të Rusisë” për të ndihmuar në hetimin e incidentit, duke shtuar se rezervon “të drejtën e pakushtëzuar për mbrojtjen dhe mbrojtjen e qiellit të vet”.

Ai tha se nuk përjashtonte një “provokim të qëllimshëm”, në të cilin Moska lëshoi raketat e saj të lundrimit në një rrugë ku ato do të kapeshin mbi territorin bjellorus.

Bjellorusia tha se raketa ra pranë fshatit Harbacha në rajonin e Brest, rreth 15 kilometra nga kufiri me Ukrainën.

Komisari ushtarak i rajonit të Brestit, Oleg Konovalov, u përpoq të minimizonte incidentin.

Fatkeqësisht, këto gjëra ndodhin”, tha ai në një video të postuar në rrjetet sociale.

Ai e krahasoi atë me një incident muajin e kaluar kur një raketë ra në Poloni, duke vrarë dy persona. Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se mbrojtja ajrore e Kievit ishte “me shumë gjasa” për ta fajësuar, por Ukraina e mohoi këtë.

Bjellorusia ka lidhje shumë të ngushta me Rusinë dhe lejoi Moskën të përdorte territorin e saj në shkurt për të filluar agresionin në Ukrainë.

Zyrtarët ukrainas pretenduan kohët e fundit se Rusia mund të planifikonte një ofensivë të re nga Bjellorusia në fillim të vitit 2023. Shtytja, thanë ata, mund të përfshijë një përpjekje të dytë për të kapur kryeqytetin, Kiev, dhe të përfshijë dhjetëra mijëra rezervistë që trajnohen në Rusi.

Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, tha se shtatë nga dronët ishin nisur drejt kryeqytetit, por forcat e mbrojtjes ajrore i rrëzuan të gjithë, megjithëse mbeturinat dëmtuan disa ndërtesa.

Zbardhen 5 skenarët e bujshëm të luftës në Ukrainë për vitin 2023

BBC britanike, bazuar në vlerësimet e pesë ekspertëve të respektuar ushtarakë dhe të sigurisë, sjell një analizë të madhe të situatës aktuale dhe një përpjekje për të parashikuar se si mund të zhvillohen konfliktet në Ukrainë gjatë vitit të ardhshëm.

Ofensiva e pranverës ruse do të jetë vendimtare

Michael Clarke, një ekspert i shquar ushtarak dhe ndihmës drejtor i Institutit për Studime Strategjike, thotë se të gjithë ata që duan të sulmojnë një vend tjetër kudo nëpër stepat e mëdha euroaziatike, përfundimisht janë të dënuar të kalojnë dimrin atje. Napoleoni, Hitleri dhe Stalini duhej të mbanin ushtritë e tyre në lëvizje përballë një dimri të stepës dhe tani, ndërsa pushtimi i tij në terren ka rezultuar i kundërt. Presidenti rus Vladimir Putin po gërmon në forcat e tij për të pritur mundësinë për një ofensivë të re ruse në Pranvera. Të dyja palët, thekson ai, kanë nevojë për një pushim, por ukrainasit janë më të pajisur dhe të motivuar për të vazhduar luftën dhe mund të pritet të mbajnë presionin ndaj rusëve, të paktën në Donbass.

Ukraina do të kthejë tokën e saj

Andrej Piontkovski, një shkencëtar dhe analist nga Uashingtoni, beson, nga ana tjetër, se Ukraina do të fitojë duke rivendosur integritetin e plotë territorial më së voni deri në pranverën e vitit të ardhshëm. Sipas tij, dy faktorë e formojnë këtë përfundim. Njëra është motivimi, vendosmëria dhe guximi i ushtrisë ukrainase dhe kombit ukrainas në tërësi, e cila, thotë ai, është e paprecedentë në historinë moderne të luftës. Një tjetër është fakti se, pas vitesh që iu nënshtrua diktatorit rus, Perëndimi më në fund është rritur për të kuptuar përmasat e sfidës historike me të cilën përballet. Këtë, thekson ai, më së miri e ilustron deklarata e fundit e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg. Koha e saktë e fitores së pashmangshme të Ukrainës, thotë ai, do të përcaktohet nga shpejtësia me të cilën NATO mund të dorëzojë një paketë të re të armëve sulmuese ushtarake, tanke, avionë, raketa me rreze të gjatë veprimi.

Lufta e gjatë

Barbara Zanchetta nga Departamenti i Studimeve të Luftës në King's College në Londër, thotë se Putini priste që Ukraina të pranonte në mënyrë pasive veprimet e fqinjit të saj më të fuqishëm rus pa ndërhyrje të konsiderueshme nga vendet e tjera. Ky llogaritje e gabuar serioze, thekson ai, ka çuar në një konflikt të stërzgjatur pa fund në shikim të parë. Dimri, thotë ai, do të jetë i vështirë sepse Moska do të përpiqet të thyejë moralin dhe qëndrueshmërinë e një pjese të madhe të popullsisë tashmë të thyer me sulme ndaj infrastrukturës ukrainase. Megjithatë, qëndrueshmëria e Ukrainës është dëshmuar të jetë e jashtëzakonshme, ndaj vlerëson se ukrainasit do të qëndrojnë të patundur dhe lufta do të zvarritet.

Nuk ka asnjë rezultat tjetër përveç humbjes ruse

Ben Hodges, ish-komandanti i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara në Evropë, thekson se është shumë herët për të planifikuar një paradë fitoreje në Kiev, por për momentin i gjithë momenti i luftimeve është në anën e forcave ukrainase dhe ai beson se nuk ka dyshim se ukrainasit do ta fitojnë luftën dhe ndoshta pikërisht në 2023. Gjërat, thotë ai, do të ecin më ngadalë gjatë dimrit, por nuk ka dyshim se forcat ukrainase do ta përballojnë më mirë se rusët për shkak të pajisjeve dimërore që po vijnë edhe nga Britania e Madhe, Kanadaja dhe Gjermania. Deri në janar, thotë ai, Ukraina mund të jetë në gjendje të fillojë fazën përfundimtare të fushatës, që është çlirimi i Krimesë.

Çfarë dëshirojnë palët

David Gendelman, një ekspert ushtarak nga Tel Avivi, thotë se në vend që të flasim se si do të përfundojë gjithçka, do të ishte më mirë të flitet për atë që secila palë do të dëshironte të arrinte në fazën tjetër. Megjithatë, pyetja e madhe është se sa forca ukrainase janë aktualisht të lira dhe të disponueshme për ofensivën, dhe çfarë plani ka gjenerali ukrainas Valery Zaluzhny në tryezën e tij, ndërsa rendit sa brigada dhe trupa të reja rezervë që po ndërtohen do të jenë gati në një. dy ose tre muaj nga tani, duke përfshirë fuqinë punëtore, mjetet e blinduara dhe armët e rënda. Pasi balta të ngrijë, thotë ai, do të ketë një përgjigje për këtë pyetje dhe kjo përgjigje do të hedhë pak dritë mbi "si do të përfundojë", përfundon Gendelman në fund të analizës së tij për BBC.

Kush është ish-spiuni i KGB-së, personazhi më i rrezikshëm në Rusi po përgatitet të zëvendësojë Putinin

Ndërsa luftimi midis forcave ruse dhe ukrainase vazhdon dhe në kohë festash mundësia për një armëpushim apo për negociata nuk duket në horizont. Por kjo nuk e ka penguar aspak opinionin mbarë publik të pyesë se nëse do të ketë negociata midis dy vendeve të lart përmendura, kush do të jetë përfaqësuesi nga pala ruse.

Media prestigjioze Telegrafi pyeti  disa ekspert dhe analistë në lidhje me këtë. Pothuajse të gjithë ekspertët treguan gishtin nga presidenti i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, Nikolai Patrushev. Këshilli është vendi ku formulohet politika e sigurisë së Rusisë dhe është qendra ku merren informacione nga burime ruse dhe rrjete nga jashtë. Ky i fundit njihet ndryshe me pseudonimin “djalli mbi supin e Vladimir Putinit”.

Ishte pikërisht Patrushev ai që me 21 shkurt  të vitit të kaluar, vetëm pak ditë para pushtimit të forcave ruse në territorin e Ukrainës, këshilloi Putinin të negocionte drejtpërsëdrejti me presidentin amerikan, Joe Biden. Tashmë janë shtuar shumë zërat  që Putini mund ta humbasë pushtetin për shkak të pushtimit të dështuar të Ukrainës, dhe postin e tij mund ta zërë një gjeneral 71-vjeçar.  

Ish kreu i shërbimit britanik të kundërzbulimit Sir Richard Dearlove  tha se Putini do të internohet në një sanatorium deri në fund të vitit. Ndryshe nga anëtarët e tjerë të rrethit të ngushtë të Putinit, Patrushev nuk është mik i ngushtë dhe as nuk luan hokej me presidentin rus.

Lidhja e Putinit me Patrushev

Të dy burrat e njohin njëri tjetrin që nga koha e shërbimit të inteligjencës FSB  e cila ishte nën drejtimin e  Patrushevit  nga viti 1999 deri në vitin 2008. Patrushev mban 5 poste që i mbante  presidenti aktual rus Putin para tij. Britanikët vunë në pah dhe një fakt tjetër mjaft interesant, ata zbuluan se operacioni i agjentëve rus në të cilin u helmua dezertori Alexander Litvinenko në vitin 2006  ishte urdhëruar dhe miratuar nga Putin dhe Patrushev. Patrushev ishte në të njëjtën kohë dhe koka e grushteve të shtetit që ndodhen në vitin 2014 në Krime s dhe në 2016 në Mal të Zi të cilët rezultuan të pasuksesshëm.

Megjithatë, analistët perëndimorë janë të shqetësuar për fanatizmin e Patrushit.Eksperti rus i politikës MarkGaleotti e përshkroi atë si njeriun më të rrezikshëm në Rusi, "djallin mbi supin e Putinit". Patrushev prej vitesh ka shtyrë narrativën se Rusia është në një konflikt ekzistencial me Amerikën. Një ndër teoritë e konspiracionit që ai promovon janë ato që Shtetet e Bashkuara po kryejnë një politikë kontrolli të popullsisë, të njohur si "miliardi i artë", që po vjedhin organe nga jetimët ukrainas. Sipas tij SHBA po mundohet të marre Siberinë. Kur flitej për negociata me Amerikën para fillimit të pushtimit, Patrushev arriti në përfundimin se "negociatat do të dështojnë". 

Që nga fillimi i luftës, Patrushev ka qenë me RamzanKadyrov, liderin çeçen besnik të Putinit, dhe YevgenyPrigozhin, kreun e mercenarëve, të ashtuquajturit i 'vagnerianëve', u dëshmua si "skifteri" më i madh në luftën kundër Ukrainës.

Mundësia për të pasuar Putinin bazohet në dy elementë 

Së pari për momentin duket se Putini mund të rrëzohet fillimisht nga nacionalistët e fortë për shkak të rezultateve të tij të dobëta në luftë. Së dyti, duke qenë se ai është pjesë e klanit të KBG-së në krye të Rusisë, Patrushev di si t'i kthejë ujërat politike të Kremlinit në mullirin e tij, ndryshe nga dy të tjerët që janë të huaj në këtë temë dhe thjesht bëjnë  zhurmën e rrugës.

Të dy dënojnë fundin e Bashkimit Sovjetik dhe të dy ndajnë një mosbesim të thellë ndaj Perëndimit, i cili ushqehet nga teoritë e pakuptimta të konspiracionit. Sipas analistëve britanik  nëse ai fiton në një luftë të tillë të brendshme për epërsi, lufta vetëm do të përkeqësohej dhe do të kishte pasoja të mëdha.

Sipas Telegrafit Patrushev, ka bërë thirrje për përdorimin e armëve dhe ai gjithmonë ka qenë pas kësaj nisme. Përveç kësaj ai kërkon zgjerimin e fushës së mobilizimit dhe thotë se lufta nuk duhet të përfundojë derisa nazizmi ukrainas "të çrrënjoset njëqind për qind". Ndërsa djali i tij Dmitry, 44 vjeç, ministër i Bujqësisë i Rusisë, është cilësuar gjithashtu nga disa ekspertë si pasardhësi i mundshëm i Putin.

​15 000 të zhdukur në Ukrainë që nga fillimi i luftës

Mijëra ushtarë dhe civilë janë raportuar të zhdukur që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në fund të shkurtit, sipas këshilltares presidenciale Aliona Verbytska.

“Rusia aktualisht ka konfirmuar 3 392 të burgosur ukrainas, por në Ukrainë rreth 15 000 njerëz konsiderohen të zhdukur, duke përfshirë shumë civilë”, theksoi Verbytska për grupin gjerman të medias ”Redaktionsnetzwerk Deutschland” (RND) në komentet.

“Nuk e dimë se çfarë ka ndodhur me ta. A janë edhe ata robër rusë, a janë marrë nga territoret e pushtuara nga Rusia apo ndoshta janë vrarë shumë kohë më parë?”, theksoi ajo.

”Kjo pasiguri ka qenë veçanërisht e vështirë për të përballuar të afërmit”, tha Verbytska, e cila është gjithashtu këshilltare e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe ndihmon në kërkimin e personave të zhdukur.

Autoritetet ukrainase kanë theksuar vazhdimisht se familje të tëra, duke përfshirë fëmijë, po dërgohen nga territoret e pushtuara në Rusi. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat