Ish-kancelari gjerman mbetet pa zyrë falas

Evropë

Ish-kancelari gjerman mbetet pa zyrë falas

Më: 6 maj 2023 Në ora: 08:41
Gerhard Schröder dhe Vladimir PutinFotografi: Alexei Druzhinin/dpa/picture alliance

Ish-kancelari gjerman Gerhard Schröder pretendon se i takon një zyrë dhe staf i financuar nga shteti. Por Gjykata e refuzoi këtë kërkesë.

Lidhjet e ish-kancelarit gjerman Gerhard Schröder me Kremlinin dhe Vladimir Putinin janë të thella. Politikani dhe ish-kancelari socialdemokrat gjerman në periudhën 1998-2005 e ka mbrojtur në të kaluarën në shumë raste mikun e tij rus Vladimir Putin, duke pretenduar se ai është "100% demokrat". E kjo nuk është në përputhje me politikën gjermane dhe perëndimore, në veçanti pas agresionit të Rusisë në Ukrainë.

Miqësia me Putinin dhe mllefi i opinionit

Ish kancelari dhe avokati nga Hanoveri e pagoi besnikërinë e tij ndaj Putinit me një sërë pozicionesh shumë fitimprurëse në kompanitë shtetërore ruse të energjisë si Gazprom apo Rosneft. Për vite me radhë, publiku gjerman ndoqi aktivitetet e turpshme të Schröderit, por gjithçka mbeti vetëm tek kritikat individuale.

Publiku herë pas here ka kritikuar aktivitetet e politikanëve pas largimit nga detyra, e në këtë kuptim as Schröder nuk bën përjashtim. Por alarmi i madh u ngrit pas sulmit rus ndaj Ukrainës më 24 shkurt 2022, kur ish-kancelari socialdemokrat, për indinjatën e publikut dhe partisë së tij, refuzoi të dënojë këtë sulm dhe mbrojti vazhdimisht mikun e tij nga Kremlini, e këtë vazhdon ta bëjë edhe sot e kësaj dite.

Image
Gerhard SchröderFotografi: Christoph Soeder/dpa/picture alliance/dpa

I hiqet e drejta për zyrë dhe staf

Kjo është arsyeja pse Komisioni i Buxhetit i Bundestagut mori një vendim në maj të vitit të kaluar për t'i hequr të drejtën ish-kancelarit për të financuar zyrën e tij dhe pesë punonjës nga paratë e shtetit. Vendimi nuk u shpjegua me aktivitetet e turpshme të Shröderit për Kremlinin, por u mbështet në një vendim të miratuar më parë, sipas të cilit ish-kancelarët (dhe kancelari) kanë të drejtë për një zyrë të financuar vetëm nëse aktivitetet kanë të bëjnë me përdorimin e zyrës në lidhje me funksionin e mëparshëm. Le të themi kur bëhet fjalë për marrjen përsipër të patronazhit të një ngjarjeje ose shoqate, ose kur një ish-kancelar apo ish-kancelarja mban fjalime në atë cilësi.

Në rastin e Gerhard Schröder, kjo nuk mund të dallohej. Duhet shtuar se, pas mbështetjes së Putinit dhe mosdënimit të sulmit në Ukrainë, nga zyra e tij u larguan vullnetarisht të gjithë punonjësit dhe u kthyen në punët e tyre të vjetra.

Vendimi i Bundestagut

Politikani 79-vjeçar e ankua ndaj këtij vendimi. Por Gjykata Administrative në Berlin e ka hedhur poshtë ankesën. "Bundestagu mund të vendosë vetë se për çfarë do të shpenzojë paratë”, thuhet në shpjegimin e vendimit të Gjykatës. Në shpjegim thuhet gjithashtu se megjithëse ekziston një praktikë 50-vjeçare e vënies në dispozicion të zyrave dhe stafit për ish-kancelarët, kjo nuk rezulton në një të drejtë që mund të fitohet përmes gjykatave.

Ish-kancelari tani mund ta apelojë këtë vendim. Avokatët e tij sqaruan se klienti i tyre nuk dëshironte të dilte para gjykatës, por i është pamundësuar që këtë problem ta zgjidhë përmes bisedave.

Kostot e ish-kancelarëve

Gerhard Schröder ka pas vetes edhe një procedurë për përjashtimin nga partia e nisur nga dega e tij lokale e SPD-së. Krerët e partisë, megjithatë, vendosën që ish-kancelari dhe ish-kryetari i socialdemokratëve mund të qëndrojë në parti me shpjegimin se "ai nuk e ka dëmtuar partinë".

Kjo çështje ka rindezur debatin edhe rreth rregullave aktuale. Zyra e Gerhard Schröder, pavarësisht se ai ka të ardhura prej miliona euro nga aktivitetet për koncernet shtetërore ruse, është paguar nga paratë e taksapaguesve në vlerë prej 419.000 euro në vitin 2021. Por edhe më e shtrenjtë se Schröder është pasardhëjsa e tij, Angela Merkel. Zyra e saj me nëntë punonjës kushton 648.000 euro në vit./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat