​Mali i Zi heq dorë nga marrëveshja që e shpëtoi nga borxhi kinez

Evropë

​Mali i Zi heq dorë nga marrëveshja që e shpëtoi nga borxhi kinez

Më: 22 qershor 2023 Në ora: 08:26
Foto ilustrim

Në një shfaqje të besimit në financat e tij, Mali i Zi ka vendosur t’i japë fund një marrëveshjeje me bankat perëndimore, që e mbronin shtetin nga rritja e borxhit për një kredi kundërthënëse kineze prej gati 1 miliard dollarësh për ndërtimin e një autostrade.

Ky është vendimi i fundit në sagën e autostradës kontroverse Bar-Bolare në Mal të Zi – që është ndërtuar nga Korporata Rruga dhe Ura e Kinës [CRBC] dhe është financuar nga Banka Eksport-Import e Kinës me një kredi të madhe – që ka krijuar një rrezik afatgjatë ekonomik, duke e ngarkuar shtetin me borxhe ndaj Pekinin, që dikur arritën vlerën e më shumë se një të tretës së buxhetit të këtij shteti.

Ministria e Financave e Malit të Zi tha përmes një deklarate se po largohej nga marrëveshja “për shkak të kushteve favorizuese të tregut”.

Me largimin nga kjo marrëveshje, që e konvertoi borxhin e saj në bankën kineze nga dollari në euro, ministria tha më 14 qershor se ajo fitoi “afërsisht 64 milionë dollarë”, për shkak të rritjes së vlerës së dollarit kohëve të fundit. Ky institucion tha se do të përdorë këto para për të ndihmuar në pagesën e ardhshme të borxhit ndaj Kinës, që duhet të bëhet në janar.

Ministri i Financave, Aleksandar Damjanoviq, pas këtij njoftimi tha për Radio Mali i Zi se për shkak të pasigurisë në rritje në tregjet botërore, ishte shumë e rrezikshme që shteti të vazhdonte të qëndronte në këtë marrëveshje.

“Gjatë marrëveshjes mbrojtëse, ne morëm pasigurinë e jashtme të tregjeve të huaja dhe luftën në Ukrainë, që ishte pasojë për Evropën, si një raport i paqëndrueshëm i valutës me botën”, tha ai.

Ndërtimi i autostradës është përballur me vonesa, me kosto në rritje, shqetësime mjedisore, me kritika mbi praktikat e dyshimta të huadhënies kineze dhe me korrupsionin lokal.

Sipas planit origjinal të nënshkruar më 2014, 41 kilometra – që u hapën për qarkullim në korrik të vitit 2022 – do të ishin pjesë e autostradës prej 163 kilometrash që do të lidhë bregdetin në Adriatik të Malit të Zi me Serbinë fqinje. Projekti synonte të transformonte shtetin në një qendër transporti për rajonin më të gjerë dhe të forconte aktivitetin ekonomik. Por, ende ka pyetje nëse 122 kilometrat e mbetura të autostradës do të përfundojnë.

Çështja e autostradës u bë lajm botëror në prill të vitit 2021, kur zyrtarët në Mal të Zi i kërkuan Bashkimit Evropian ndihmë që të paguajnë një kredi të madhe pasi kësti i parë duhej të paguhej atë verë. Përderisa Brukseli po shqyrtonte vendimin për këtë çështje, avokuesit evropianë për ndihmë financiare brenda BE-së paralajmëruan se Mali i Zi – shtet me 620.000 banorë – ishte në rrezik që të merrej nën kontroll financiar nga Kina.

Në korrik të vitit 2021 u arrit marrëveshja – me ndihmën e BE-së – midis Malit të Zi dhe katër institucioneve financiare perëndimore: Goldman Sachs, Merrill Lynch, Societe Generale dhe Deutsche Bank.

Marrëveshja 14-vjeçare, e cila përfshinte edhe një klauzolë të ndërprerjes së akordit pas dy vjetësh, u dizajnua për të mbrojtur shtetin nga luhatja e kursit të këmbimit euro-dollar, që ndikoi drejtpërdrejt në shumën e borxhit.

Për shkak se Mali i Zi, që përdor euro, nuk u mbrojt nga luhatjet e monedhës dhe nuk arriti të përfshinte masa mbrojtëse në planet e saj fillestare, çmimi i projektit vazhdoi të rritej. Përderisa vlera e dollarit u rrit kundrejt euros, kostoja e autostradës u rrit dhe një herë arriti në më shumë se 100 milionë dollarë.

Pse Mali i Zi po heq dorë nga marrëveshja?

Marrëveshja me institucionet financiare perëndimore u arrit para se Mali i Zi të paguante këstin e parë, prandaj Podgorica i pagoi katër këstet e saj të para, në vlerë prej 158 milionë dollarësh, me euro, me një normë më të ulët interesi, tha Ministria e Financave.

Marrëveshja nënkuptonte që Mali i Zi do të paguante me euro me një normë interesi prej 0.88 për qind, në vend se me dollarë me një normë interesi prej 2 për qind, ashtu siç ishte paraparë më 2014, kur për herë të parë u bë publik projekti. Kjo nënkupton që Podgorica i ka paguar Bankës Eksport-Import të Kinës 25 milionë dollarë (23 milionë euro) më pak, nëse borxhi do të vazhdonte të ishte i lidhur me kursin e këmbimit të dollarit.

Derisa Qeveria e Malit të Zi e ka justifikuar vendimin e saj si të nevojshëm duke pasur parasysh parashikimet e zymta për tregun e eurozonës, që hyri në recesion në tremujorin e parë të këtij viti, jo të gjithë brenda këtij shteti e kanë pranuar këtë shpjegim zyrtar.

Millojko Spanjiq, që ishte ministër i Financave në kohën kur u arrit marrëveshja me institucionet perëndimore, tha se beson se Qeveria u largua nga marrëveshja sepse po i mbarojnë financat shtetërore dhe asaj i duheshin 64 milionë dollarë, që i fitoi nga largimi nga marrëveshja, që të mund të bëjë pagesën e këstit të ardhshëm të borxhit.

“Arsyeja e vërtetë për largimin e kësaj qeverie nga marrëveshja mbrojtëse është se nuk ka para në Thesarin e saj”, tha ai gjatë një paraqitjeje më 16 qershor në Radio Televizionin e Malit të Zi.

Ky pretendim i Spajiqit është vështirë të verifikohet. Por, një analizë e kryer nga Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë e buxhetit të Ministrisë së Financave në katër muajt e fundit shfaqi të ardhura më të larta sesa ishin planifikuar, teksa shpenzimet ishin të vogla. Sezoni i verës, ku pritet të ketë numër të lartë të turistëve në Mal të Zi, mund të rrisë edhe më shumë të ardhurat e shtetit.

Mirza Mulleskoviq, analist i ekonomisë dhe themelues i firmës konsulente me seli në Podgoricë, Inteligencija MNE, tha se është e vështirë të thuhet se si do të ndikojë për shtetin heqja dorë nga marrëveshja. Ai shtoi se është e vështirë të parashikohen ndryshimet në treg për shkak të ngjarjeve botërore.

“Askush nuk mund të parashikojë se çfarë do të ndodhë në nivel botëror, veçmas sa i përket rreziqeve që paraqesin valutat”, tha ai për Radion Evropa e Lirë. “Çdo ngjarje mund të çrregullojë gjithçka”.

Çfarë do të ndodhë me autostradën?

E ardhmja e dy seksioneve të mbetura të autostradës është e paqartë, por pasojat nga projekti ende nuk janë ndierë në mbarë vendin.

Ministria e Investimeve Kapitale e Malit të Zi në prill i tha REL-it se ka nisur procedurat, siç parashikohen në kontratën e saj me CRBC-në për ndëshkimet, pasi ka pasur vonesa për vite të tëra, për ndërtimin e 41 kilometrave të parë të autostradës. Ministria megjithatë nuk tregoi se sa para dëmshpërblim dëshiron të marrë nga kompania kineze. Po ashtu, ky institucion nuk dha më shumë detaje për këtë çështje.

Projekti është përballur edhe me kritika të vazhdueshme nga Rrjeti për Afirmimin Sektorit Joqeveritar (MANS), organizatë ballkanike. Ky rrjet ka ngritur shqetësime lidhur me korrupsionin dhe transparencën mbi mënyrën se si janë shpërndarë kontratat e ndërtimit te kompanitë kineze dhe ato vendase. Organizata ka ngritur kallëzim penal ndaj CRBC-së për dëmtim mjedisor në shtratin e lumit Tara. Megjithatë, ky kallëzim është hedhur poshtë.

Pavarësisht trazirave politike që ka sjellë kjo autostradë, kompanitë kineze dhe huadhënësit kinezë ende kanë hapësirë për bashkëpunim në Mal të Zi.

Në mars, Podgorica sërish ktheu sytë kah një konsorcium kinez dhe i dha kontrata për ndërtimin e një autostrade në vlerë prej 59 milionë dollarësh. Kjo autostradë synon të përmirësojë lidhjet mes qyteteve bregdetare të Budvës dhe Tivatit./REL/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat