Pas ofertës që u bëri mercenarëve të Wagner, Putin takohet me krerët e shërbimeve ruse të sigurisë

Evropë

Pas ofertës që u bëri mercenarëve të Wagner, Putin takohet me krerët e shërbimeve ruse të sigurisë

Më: 26 qershor 2023 Në ora: 23:28
Foto nga takimi

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka zhvilluar një takim me zyrtarë të lartë të sigurisë, menjëherë pasi ka mbajtur një fjalim ku ka folur rreth “kryengritjes” së fundit të mercenarëve Wagner, të udhëhequr nga Yevgeny Prigozhin.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, ka qenë Kremlini që ka publikuar fotografi të Vladimir Putin duke mbajtur një takim me zyrtarë të lartë të sigurisë, të zbatimit të ligjit dhe ushtarakë të hënën mbrëma.

Dhe një nga të pranishmit ishte ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu, largimin e të cilit Prigozhin e kishte kërkuar.

Ndryshe, gjatë fjalimit të tij të fundit, Putin kishte bërë “një ofertë me tri opsione” për pjesëtarët e Wagner që morën pjesë në kryengritjen gjatë fundjavës së fundit në Rusi.

Në këtë drejtim, ai kishte thënë se ata mund t’i bashkohen ushtrisë ruse, të kthehen në shtëpitë e tyre ose të shkojnë në Bjellorusi.

Ai iu drejtua forcave Wagner duke thënë: “Sot ju keni mundësinë të vazhdoni t’i shërbeni Rusisë duke nënshkruar një kontratë me ministrinë e mbrojtjes ose agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit, ose të ktheheni te familja dhe miqtë tuaj”.

Ai shtoi: “Kushdo që dëshiron mund të shkojë në Bjellorusi. Premtimi që kam bërë do të realizohet. E përsëris, zgjedhja është e juaja, por jam i sigurt se do të jetë zgjedhja e ushtarëve rusë që e kanë kuptuar gabimin e tyre tragjik”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat