Nga presioni i Turqisë, Suedia dënon kurdin për lidhje me PKK-në

Evropë

Nga presioni i Turqisë, Suedia dënon kurdin për lidhje me PKK-në

Më: 6 korrik 2023 Në ora: 23:42
Foto ilustrim

Gjykata suedeze ka dënuar me katër vjet e gjysmë burgim një kurd për krime, përfshirë përpjekjet për financimin e terrorizmit. Kjo është hera e parë që ligjet e përditësuara kundër terrorit përdoren në një rast që përfshijnë militantët kurdë të PKK-së.

Mirëpo analistët kanë thënë se vendimi i gjykatës ishte mesazh për Ankaranë se Suedia po bëhej më e ashpër ndaj PKK-së, e cila që prej vitit 1984 ka nisur kryengritjen e armatosur kundër shtetit turk.

Turqia për një kohë të gjatë i kishte bërë thirrje Stokholmit që të dënonte separatistët kurdë. Kërkesa e Suedisë për anëtarësim në NATO është shtyrë për shkak të kushteve të Turqisë që të ekstradojë disa persona që ajo i cilëson si terroristë.

Anëtarët e NATO-s do të takohen të martën në Lituani me shpresën që Suedia të pranohet në aleancën perëndimore të mbrojtjes. Presidenti amerikan, Joe Biden, i ka thënë kryeministrit suedez, Ulf Kristersson se SHBA-ja mezi pret anëtarësimin e Suedisë në NATO. Të enjten, në vendimin e tij, gjykatësi Mans Wigen ka thënë se përpjekjet e Suedisë për anëtarësim në NATO nuk kanë ndikuar në vendimin për dënimin e kurdit për terrorizëm.

Gjatë muajit të kaluar, prokurori Hans Ihrman ka thënë se koha e rastit ishte “krejtësisht koincidencë”, ani pse Turqia i kishte kërkuar Suedisë që të përdorë ligjet kundër terrorizmit për të dënuar kurdët e dyshuar se kishin lidhje me militantët e PKK-së. 41-vjeçari kurd është burgosur të enjten. Ai ka origjinë turke. Gjykata suedeze ka njoftuar se ai do të deportohet sapo të kryejë dënimin e tij me burgim.

Ai është shpallur fajtor përpjekjet e tij që ta bindë një biznesmen kurd që të financojë PKK-në, e cila cilësohet si grup terrorist nga SHBA-ja dhe BE-ja.

Suedia ka ashpërsuar ligjet kundër terrorizmit dhe i bën të jashtëligjshme të gjitha takimet për të siguruar financa apo ndihma të tjera për grupet e ndaluara. Qeveria ka thënë se po mbyllte një zbrazëti në ligjin ekzistues, por kritikët kanë thënë se mund të ketë ndikim negativ në lirinë e fjalës.

Qeveria suedeze gjatë muajit qershor gjithashtu kishte njoftuar se do të ekstradonte një shtetas turk me prejardhje kurde. Turqia është arsyetuar se është trafikant droge, por ai ka insistuar se po ndiqet nga shteti turk për shkak të përkrahjes së tij për partinë kurde.

Vendimi i gjykatës u mor në të njëjtën ditë kur në Bruksel u mbajt takimi mes ministrave të Jashtëm të Suedisë, Turqisë dhe Finlandës, para samitit të NATO-s që mbahet në Vilnius.

Finlanda dhe Suedia vendosën që të kërkonin anëtarësimin në NATO si reagim ndaj pushtimit rus të Ukrainës. Finlanda zyrtarisht është anëtarësuar në muajin prill, ndërkaq Suedia është vonuar për shkak të kërkesave të Turqisë.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se Suedia ka bërë hapat në drejtimin e duhur duke ndryshuar ligjet kundër terrorizmit, por është ankuar se përkrahësit e PKK-së kanë organizuar protesta në Suedi me të cilat lavdëronin terrorizmin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat