Kreu i opozitës në Serbi bën kallëzim penal për autostradën që lidh Serbinë dhe Shqipërinë përmes Kosovës

Evropë

Kreu i opozitës në Serbi bën kallëzim penal për autostradën që lidh Serbinë dhe Shqipërinë përmes Kosovës

Më: 28 korrik 2023 Në ora: 15:10
Dragan Gjilas, Aleksandar Vuçiq

Kryetari i Partisë për Liri dhe Drejtësi (PSS) në Serbi, Dragan Gjilas, ka ngritur kallëzim penal kundër një personi të panjohur për, siç thuhet, “vjedhje të 5.5 kilometrave të autostradës”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë dje se në kuadër të Procesit të Berlinit, në vitin 2014 ka biseduar me kancelaren e atëhershme gjermane, Angela Merkel për lidhjen e Nishit me Durrësin përmes një autostrade që kalon nga Kosova.

“Aleksandar Vuçiq dy ditë më parë hapi autostradën deri në Merdar prej 5.5 km. Ai e quajti “Autostrada e Paqes”. Sot, dy ditë më vonë, gjysma e autostradës është zhdukur. Pra, ose Aleksandar Vuçiq ka gënjyer dhe nuk po ndërtohet autostrada ose dikush e ka vjedhur gjysmën e autostradës për 24 orë. Meqenëse është e pamundur që presidenti të gënjejë, e vetmja mundësi që mbetet është të vjedhë. Prandaj kemi bërë kallëzim penal dhe presim që prokuroria dhe policia t’i gjejë hajnat sa më shpejt, sepse 5.5 kilometra autostradë kushtojnë disa milionë euro dhe është një vjedhje e madhe”, tha ai.

Gjilas shtoi se e vërteta është se nuk ka autostradë, madje aty po ndërtohet me trefishin e çmimit aktual, raporton N1.

Kreu i opozitës tha se askush nuk ka hapur kurrë një autostradë prej pesë kilometrave, “ato pesë kilometra nuk janë aspak autostradë, por vetëm një korsi nëpër të cilën lëvizin veturat në dy drejtime”.

Ndryshe, Vuçiq kishte deklaruar se “mendoj se është shumë e rëndësishme, të lidhemi me Graçanicën tonë, por edhe me Prishtinën, Tiranën, Durrësin. Na lehtëson punën dhe progresin, importin dhe eksportin e mallrave dhe shërbimeve”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat