Frika nga ekzekutimi dhe grushtet e shtetit, zbulohet urdhri i prerë i Vladimir Putin dhe mbrojtja e hekurt e tij

Evropë

Frika nga ekzekutimi dhe grushtet e shtetit, zbulohet urdhri i prerë i Vladimir Putin dhe mbrojtja e hekurt e tij

Më: 5 gusht 2023 Në ora: 18:15
Vladimir Putin

Wagner duket se është zhdukur, për momentin, por jo frika e presidentit rus se ai mund të bjerë sërish “pre” e një rebelimi si ai i organizuar nga kreu i grupit mercenar, Yevgeny Prigozhin.

Ndaj, Vladimir Putin është duke krijuar një rrjet të kompanive misterioze private ushtarake në të gjithë Rusinë për të mbrojtur veten nga një kryengritje tjetër, siç shkruan “Business Insider”. Planet për kompanitë private ushtarake, ose "ndërmarrjet speciale", përshkruhen në një projekt-ligj të ri që rrit kufirin e moshës për ushtrinë ruse.

Ky veprim synon të shtypë sabotazhin dhe kërcënimet e brendshme, sipas deklaratës së kryetarit të komitetit të mbrojtjes të Dumës, Andrej Kartapolov.

Kjo vjen disa javë pas kryengritjes së grupit mercenar rus Wagner, i cili ekspozoi problemet e mësha në mbrojtjen e Putinit. Luftëtarët e grupit hasën pak rezistencë kur morën kontrollin e qytetit të Rostov-on-Don më 23 qershor dhe më pas përparuan në Moskë, përpara se udhëheqësit rebelë të arrinin një marrëveshje me Kremlinin për t'i dhënë fund rebelimit.

Megjithëse Putini nuk e ka ndëshkuar Yevgeny Prigozhin, udhëheqësin e rebelimit, ai ka nisur një “gjueti” për tradhtarët në ushtrinë ruse dhe duket se ka frikë nga kërcënimet e ardhshme të brendshme ndaj pushtetit të tij.

Grupet misterioze

Sipas raportit, grupet ushtarake të Putinit do të jenë nën komandën e guvernatorëve rajonalë, do të veprojnë sipas urdhrave të Putinit dhe do të armatosen nga Ministria ruse e Mbrojtjes.

Gazeta norvegjeze “Barents Observer” raportoi se detyra e njësive është "të mbrojnë kufirin shtetëror, të luftojnë kundër grupeve të armatosura të paligjshme dhe të luftojnë kundër sabotazhit të huaj dhe formacioneve të inteligjencës", si dhe të shtypin kërcënimet e brendshme. Mënyra se si grupet e armatosura do të komunikojnë me degët e tjera të ushtrisë dhe aparatit të inteligjencës nuk është plotësisht e qartë. Rusia tashmë ka një gardë kombëtare.

Nikolai Sokov, një ish-zyrtar i Kremlinit, i tha Daily Beast se qëllimi i ligjit është të forcojë mbrojtjen e Putinit. “Ato janë një mjet për forcimin e sigurisë, që është e rëndësishme duke marrë parasysh veprimet e fshehta shumë aktive të shërbimit të inteligjencës ushtarake ukrainase, dhe mund të ndihmojnë, nëse është e nevojshme, kundër çdo rebelimi të ri”, tha Sokov.

Një tjetër funksion kyç i këtyre milicive do të jetë mbrojtja kundër sulmeve të brendshme pas një serie sulmesh me dron ukrainas në qytetet ruse.

Frika e Putinit

Pushtimi i dështuar i Rusisë në Ukrainë zbuloi se kontrolli i Putinit në pushtet mund të mos jetë aq sa besohet dhe ish-zyrtarët e inteligjencës i thanë “Business Insider” se dështime të mëtejshme serioze në Ukrainë mund të rezultojnë në largimin e Putinit nga pushteti.

Pavarësisht, asnjë nga këto nuk ka gjasa të shkaktojë një revolucion popullor ose një përpjekje të vërtetë grusht shteti në Rusi. Putini ka qenë gjithmonë i rrethuar nga një regjiment presidencial i armatosur dhe tani qindra mijëra personel në gardën kombëtare të Rusisë, të cilët i raportojnë Putinit dhe janë përgjegjës për sigurinë e brendshme, po marrin armë të rënda. Kremlini gjithashtu ka goditur edhe më tej disidencën, duke arrestuar dy nacionalistë të shquar pro-luftës, të cilët kanë kritikuar pushtimin rus.

Po ashtu, pasuritë e elitës mbeten të lidhura me Putinin dhe rrjetet e tij. Nuk ka asnjë pretendent të dukshëm për ta zëvendësuar atë dhe shërbimet e brendshme të inteligjencës ruse janë gjithëpërfshirëse. Megjithatë, presidenti është më i prekshëm tani se sa ka qenë ndonjëherë, veçanërisht në mes të perspektivës së zymtë për luftën e kushtueshme dhe të rëndë të Rusisë në Ukrainë.

Si presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ashtu edhe shefi i CIA-s, William Burns, sugjerojnë që Prigozhin duhet të ruhet, pasi hakmarrja e Putinit shpesh e çon atë të hakmerret shumë kohë pas një tradhtie të perceptuar. Tani Putini mund të jetë duke u ruajtur edhe vetë, pasi s ituata është shumë  e paqartë dhe shumë raporte dhe imazhe që dalin nga Rusia nuk mund të verifikohen.

Prandaj është e pamundur të bëhen parashikime të sigurta për shumë gjëra.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat