Ukraina më në vështirësi se kurrë, “qeni” besnik i Putinit sfidon haptazi Amerikën

Evropë

Ukraina më në vështirësi se kurrë, “qeni” besnik i Putinit sfidon haptazi Amerikën

Më: 9 gusht 2023 Në ora: 13:52
Vladimir Putin dhe Dmitry Medvedev

"Armiqtë tanë do të shtypen!”. Ky ishte mesazhi ose më saktë kërcënimi i “qenit besnik” të presidentit rus Vladimir Putin, Dmitry Medvedev, mesa duket drejtuar Perëndimit. Ish-presidenti i Rusisë dhe krahu i djathtë i Putinit tha se Moska tashmë po "luftonte hapur" NATO-n dhe paralajmëroi se Rusia ishte mjaft e fortë për të përballuar aleancën mbrojtëse. "I gjithë sistemi i NATO-s po lufton pothuajse hapur kundër nesh. Ne jemi mjaft të fortë për të arritur të gjitha qëllimet e operacionit special ushtarak," shkroi Medvedev në Telegram. "Shtetet e Bashkuara dhe vasalët e tyre atëherë nuk kishin përvojë të mjaftueshme", vazhdoi Medvedev, duke kujtuar pushtimin e Gjeorgjisë 15 vjet më parë. "Sot ata përsëri po bëjnë një luftë kriminale me duart e të tjerëve, duke u përpjekur të fshijnë Rusinë nga faqja e dheut”, tha ish-presidenti, mesa duket referuar ndihmave që ka dërguar SHBA në Ukrainë. "Ashtu si në gusht 2008, armiqtë tanë do të mposhten dhe Rusia do të sigurojë paqen sipas kushteve të saj. Fitorja do të jetë e jona!”, përmbylli Medvedev, duke ngritur sërish alarmin për një luftë botërore, që do të fuste NATO-n në lojë dhe nuk do të kursente askënd dhe asgjë.

Kërcënimet e Medvedev

Medvedev, i parë dikur në Perëndim si një modernizues liberal, është shfaqur si një nga “skifterët” më të hapur të Rusisë që kur Moska nisi atë që e quajti një "operacion special ushtarak" në Ukrainë vitin e kaluar. Tani si nënkryetari i Këshillit të Sigurimit, me pikëpamjet e tij ai duket se pasqyron dhe artikulon mendimet e Kremlinit, sipas zyrtarëve rusë. Në gusht 2008, ndërsa Medvedev ishte President i Rusisë, Moska sulmoi Gjeorgjinë fqinje në mbështetje të rajoneve separatiste të Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë. Moska e quajti luftën e shkurtër një operacion "paqeruajtës", ndërsa së fundmi Medvedev e quajti atë një "luftë ndërmjetëse" me NATO-n. Ai tha se lufta në Ukrainë ishte gjithashtu një luftë ndërmjetëse midis Rusisë dhe NATO-s, në të cilën aleanca "po përpiqej të fshinte Rusinë nga faqja e dheut". Ish-presidenti rus dhe aleati prej kohësh i Putinit është i njohur për retorikën e tij të zjarrtë, madje ka bërë thirrje që të përdoren armë bërthamore.

Sfidat e Ukrainës

Disa javë pas kundërsulmimit të shumëpritur të Ukrainës, zyrtarët perëndimorë duket se nuk janë edhe aq optimist, bazuar në rezultatet e deritanishme. Megjithatë, ata bien dakord, se kjo është periudha më e vështirë për Ukrainën. “Ata ende do të shohin, për dy javët e ardhshme, nëse ka një shans për të bërë ndonjë përparim. Por mendoj se është jashtëzakonisht, shumë e pamundur,” tha një diplomat i lartë perëndimor për CNN. Një demokrat nga Illinois i cili kohët e fundit u kthye nga takimet në Evropë me komandantët amerikanë që trajnojnë forcat e blinduara ukrainase tha se “Kjo është koha më e vështirë e luftës”. “Edhe nëse do të vazhdonin të luftonin për disa javët e ardhshme, nëse nuk kanë qenë në gjendje të bëjnë më shumë përparime gjatë këtyre shtatë, tetë javëve të fundit, sa janë gjasat që ata të bëjnë papritur, me më shumë forca të varfëruara? Sepse kushtet janë shumë të vështira.” Zyrtarë të shumtë thanë se afrimi i vjeshtës, kur moti dhe kushtet e luftimit pritet të përkeqësohen, u jep forcave ukrainase një “dritare për të përparuar”.

Dërgesa e tankeve vdekjeprurës

Rastësi apo jo, deklaratat e Medvedev erdhën në të njëjtën ditë kur Shtetet e Bashkuara njoftuan se kanë miratuar dërgesën e parë të tankeve kryesore të betejës Abrams për Ukrainën, që pritet të mbërrijnë në fillim të vjeshtës dhe të angazhohen menjëherë në fushë-betejë. Administrata Biden po i jep përparësi dërgesave të shpejta të armëve për Kievin dhe me tanket e fundit po i shton arsenalit të Ukrainës, një dimension të fuqishëm dhe vdekjeprurës në inventarin e saj ushtarak. Veç tankeve amerikane, Ukraina ka përdorur tashmë Challenger dhe tanke Leopard 2, së bashku me Bradley Fighting Vehicles. Kështu, pas mbërritjes së tankeve amerikane në Ukrainë ato do t’i shtohen një koleksioni të gjerë të armaturës së rëndë të frikshme, të cilin Kievi e ka marrë nga Perëndimi në muajt e fundit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat