Vladimir Putin gjen “shpëtim” tek Turqia dhe Katari

Evropë

Vladimir Putin gjen “shpëtim” tek Turqia dhe Katari

Më: 21 gusht 2023 Në ora: 12:16
Vladimir Putin dhe Erdogan

Pasi u tërhoq nga një marrëveshje historike e Ukrainës për drithë, Rusia po diskuton me Turqinë dhe Katarin vendosjen e një marrëveshjeje të re të eksportit të grurit të drejtuar kryesisht në vendet afrikane. Kështu kanë raportuar “të tmerruara” mediat ukrainase, duke cituar një raport ekskluziv nga edicioni në gjuhën ruse të së përditshmes gjermane “Bild”.

Duket se Vladimir Putin, i izoluar nga ndërkombëtarët, po “kthen sytë” nga aleatët e tij, dhe çuditësisht shumë të pasur, me të cilët ndan antagonizmin e përbashkët ndaj Perëndimit.

Autoritetet ruse nuk kanë bërë asnjë deklaratë zyrtare për këtë çështje, megjithëse sipas “Bild”, marrëveshja duhet të përfshijë "eksportin e grurit dhe plehut artificial rus" kryesisht në Afrikë dhe ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan dëshiron që të rinovohet Marrëveshja e Grurit të Detit të Zi, nga e cila Rusia u tërhoq me iniciativën e saj në korrik, dhe një marrëveshje e re përfshin eksportin e pandërprerë të grurit ukrainas.

Siç shkruan “Bild”, Turqia do të ishte organizatore e shpërndarjes së grurit, dhe Katari sponsor.

“Thika pas shpine” e Turqisë

Turqia dëshiron që OKB të përfshihet në marrëveshjen e re. Megjithatë, gazetat turke, duke cituar burime në Ministrinë turke të Mbrojtjes, theksojn ë se Turqia "nuk po punon për alternativa ndaj marrëveshjes së grurit".

Por në të njëjtën kohë, Ankaraja konfirmon se do të lejojë kalimin e sigurt përmes Bosforit dhe Dardaneleve për anijet tregtare dhe ato që transportojnë grurë.

Sipas “Bild”, Moska e kishte paralajmëruar paraprakisht Ankaranë për tërheqjen nga marrëveshja e grurit dhe tani Rusia, Turqia dhe Katari po punojnë për një marrëveshje të re trepalëshe, e cila duhet të zëvendësojë atë që nuk u përshtatet rusëve dhe po përdoret për shantazh politik. Rusia doli nga të ashtuquajturat Marrëveshja e Grurit të Detit të Zi, e cila mundëson zhbllokimin rus të porteve të Ukrainës dhe eksportin e grurit ukrainas.

Marrëveshja u ndërmjetësua midis Ukrainës dhe Rusisë nga Turqia dhe OKB më 22 korrik 2022. Ajo lejoi rifillimin e eksporteve të grurit ukrainas përmes porteve të Detit të Zi që u bllokuan që kur Rusia nisi atë që e quajti një "operacion ushtarak special”, më 24 shkurt 2022.

Sakaq, dalja e fundit ruse çoi në një "krizë të re ushqimore" globale, e cila kërcënoi pasoja politike, veçanërisht në vendet e Afrikës dhe Lindjes së Mesme, dhe çoi në një rritje të çmimit të drithit në tregun botëror.

Vladimir Putin luajti kartën "Lojërat e urisë" për të detyruar vendet afrikane që t'i bëjnë presion Perëndimit për të lehtësuar ose hequr sanksionet ndaj produkteve bujqësore ruse, kryesisht drithërat, farat vajore dhe plehrat artificiale, por edhe për t'i dhënë Bankës së saj Bujqësore sërish akses në sistemin Swift.

Marrëveshja e grurit

Që atëherë, rusët kanë bombarduar masivisht portet ukrainase të Detit të Zi të Odesa, Yuzhny dhe Chernomorsk, si dhe portet ukrainase në Danub. Kjo situatë është edhe më e rrezikshme sepse portet e Danubit të Izmailit dhe Renit janë pikërisht në kufirin me Rumaninë, e cila është vendi më i rëndësishëm në krahun jugor të NATO-s.

Analistët ushtarakë besojnë se kjo është më "e ndërlikuar" se goditja me raketa e Odesës, por tregon gjithashtu paskrupulltizmin e Kremlinit, i cili në çdo mënyrë dëshiron të pengojë Ukrainën të marrë ndonjë "të ardhur" nga eksporti i grurit, duke shkaktuar kështu një mungesë ushqimi dhe të shfaqë veten e vet si "shpëtimtare".

Pasojat e një marrëveshjeje të tillë mund të jenë të thella për Kievin, sipas mediave ukrainase. Nëse realizohet, mund t'i lejojë Rusisë të legjitimojë eksportet e grurit nga territoret ukrainase të pushtuara përkohësisht duke kufizuar aftësinë e Ukrainës për të synuar anijet ruse në Detin e Zi.

Po ashtu, në gjithë këtë histori nuk duhet të anashkalojmë faktin se, sipas informacioneve të portalit rus pro Kremlinit Lenta. ru, Vladimir Putin mund të vizitojë Turqinë më 31 gusht. Ndonëse nuk ka patur detaje se çfarë do të diskutohet, tani duket se është e qartë se çfarë po i bën bashkë dy liderët pas shumë kohësh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat