Ja skenarët e Putinit pas vdekjes së Prigozhinit

Evropë

Ja skenarët e Putinit pas vdekjes së Prigozhinit

Më: 26 gusht 2023 Në ora: 11:17
Vladimir Putin nis planin për të ekzekutuar një nga një të gjithë armiqtë e tij

Takimi i Kremlinit ishte si një skenë nga “The Godfather”. Menjëherë pasi rebelimi i tyre u shua në qershor, 35 komandantë të Ëagner u thirrën për një takim me Vladimir Putin. Putin tha se ai u ofroi atyre mundësinë për të vazhduar luftën në Ukrainë. Por Yevgeny Prigozhin, udhëheqësi dhe financuesi i tyre, ishte sërish rebel. Dy muaj më vonë, Prigozhin është i vdekur, ndoshta i vrarë, vdekja e tij u konfirmua nga Putin të enjten pas gati një dite heshtjeje pas rrëzimit. Për shumë njerëz të brendshëm rusë, pyetja më e madhe është se si ai sfidoi Putinin dhe mbeti gjallë për kaq gjatë.

Pavarësisht kërdisë që Wagner ka shkaktuar për qeverinë e Putinit, ekspertët parashikojnë se grupi paraushtarak do të vazhdojë të luajë një rol thelbësor në politikën e jashtme ruse. Ndaj, kjo justifikon lëvizjen e mënjehershme dhe befasuese të liderit rus, menjëherë pasi Prigozhin mbylli sytë. Duket se Putin po kërkon kontrollin e plotë të Wagner, që nuk e pati kur ish-kuzhinieri i tij ishte gjallë. Prigozhin duket se është i fundit në listën e gjatë të “armiqve”, kundërshtarëve të padëshiruar që në fund i paguajnë postet e tyre me jetë ose me burg nën udhëheqjen e Putin. Një listë që përfshin aktivistë, gazetarë, ish-ministra por edhe oligarkë dhe menaxherë korporatash. Megjithatë, edhe tani duket se presidenti rus e ka të qartë se kush e ka radhën pas Prigozhin.

Lëvizja e papritur

Disa orë pas vdekjes së Yevgeny Prigozhin dhe Dmitry Utkin, themeluesit të Wagner Group dhe krahut të tij të djathtë që vdiqën në rrëzimin e një avioni privat në Rusi, Presidenti Vladimir Putin nënshkroi dekretin që dy muaj më parë kishte provokuar rebelimin e mercenarëve të Wagner. Tani të gjithë paraushtarakët do të duhet të betohen për besnikëri ndaj shtetit rus. Ishte pikërisht ky nënshtrim që kishte shkaktuar zemërimin e Prigozhinit, sundimtarin e atij sektori ushtarak fitimprurës që kishte lëkundur pushtetin dhe autonominë e regjimit brenda natës. Dekreti, siç nënvizohet nga agjencia ruse RIA Novosti, tregon se "personat që i përkasin njësive vullnetare që kontribuojnë në përmbushjen e detyrave që u janë caktuar forcave të armatosura, formacioneve ushtarake dhe organeve të tjera të krijuara me ligj federal, duhet të bëjnë betimin përballë flamurit rus në mbrojtje dhe të gjithë personave të tjerë të përfshirë në zbatimin e masave të mbrojtjes territoriale”.

Gjeneral “Armagedoni”

Kjo vdekje, nëse del se është trillim, është funksionale për një qëllim, që i shërben presidentit të pamëshirshëm rus: për të konfirmuar fuqinë e jetës dhe vdekjes së Kremlinit mbi njerëzit e tij. Nëse kjo vdekje është e vërtetë, atëherë ajo jep një mesazh për të gjithë armiqtë e betuar dhe të mundshëm të Kremlinit: Nëse del kundër Vladimir Putin, vdes. Së fundmi, thashetheme të frikshme qarkulluan edhe për fatin e gjeneralit Surovikin. Ndaj, tjetri në listë mund të jetë pikërisht gjenerali “Armagedoni”, i cili tanimë është shkarkuar nga komanda e Forcave Ajrore, duke u zëvendësuar nga Viktor Afzalov. Nuk do të ishte për t'u habitur nëse një aksident do t’i ndodhte papritur. Ose nëse askush nuk do të merrte vesh asgjë për vdekjen e tij.

Lideri çeçen

Në universin Rusocentrik, është edhe Ramzan Kadyrov. Për një kohë të gjatë, ai ishte njeriu që i duhet Putinit për të mbajtur larg makthin çeçen. Ishte ai dhe Akhmati i tij që i kishin ardhur në ndihmë rendit të Kremlinit në orët e grushtit të shtetit të Wagner it. Udhëheqësi çeçen shprehu ngushëllimet për Yevgeny Prigozhin, duke e quajtur vdekjen e tij një "humbje të madhe për të gjithë shtetin". Megjithatë, sigurisht nuk e la rastin t’i ikte pa lavdëruar, ndonëse tërthorazi, veten. “I kërkova që të linte prapa ambiciet e tij personale në favor të çështjeve me rëndësi të madhe kombëtare,” tha Kadyrov. Ndoshta më mendjemprehtë se Prigozhin, udhëheqësi i ri çeçen tani e di se ai është i dobishëm, por jo i paprekshëm. Dhe kjo vlen për të, si dhe për të gjithë peshqit, të mëdhenj apo të vegjël në Kremlin, një kryeqytet i rrethuar nga dronët ukrainas, ku këmbanat e Putinit po bien, për ata që duan të kenë veshë për të dëgjuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat