Spiunazh në Britaninë e Madhe, ngrihet akuzë ndaj 5 shtetasve bullgarë

Evropë

Spiunazh në Britaninë e Madhe, ngrihet akuzë ndaj 5 shtetasve bullgarë

Më: 22 shtator 2023 Në ora: 15:23
Flamuri britanik në Londër

Autoritetet në Mbretërinë e Bashkuar kanë inkriminuar formalisht me akuzën e spiunazhit 5 shtetas bullgarë të arrestuar në Londër dhe Norfolk në muajin shkurt, nën dyshimin se ishin agjentë në shërbim të Moskës.

Kështu thuhet në një komunikatë të Prokurorisë Mbretërore, sipas të cilës akuzat kanë të bëjnë me krime të kryera në periudhën 30 gusht 2020 – 8 shkurt 2023.

Sipas akuzës, 5 personat, 3 burra dhe 2 gra, kanë komplotuar për të mbledhur në Britaninë e Madhe dhe vende të tjera të Evropës informacione të dobishme për armikun, që në këtë rast është Rusia.

Çështja u publikua në mediat britanike muajin e kaluar, me shumë detaje që kishin të bënin me sekuestrimin nga Scotland Yard të disa dokumenteve identifikimi të falsifikuara, të përdorura nga celula e spiunazhit, prej kohësh e infiltruar në vend.

Për këtë aktivitet falsifikimi ishin inkriminuar më herët tre shtetas të tjerë bullgarë.

Në komunikatën e saj, Prokuroria Mbretërore bën me dije se të dyshuarit do të paraqiten përpara trupës gjykuese për seancën paraprake më 26 shtator.

Muajin e kaluar mediat britanike publikuan lajmin se spiunët e kishin përdorur aktivitetin e tyre në kryeqytetin britanik dhe jashtë tij edhe për të ofruar një seri lejesh të rreme për gazetarë, me markat e kanaleve televizive “Discovery Channel” dhe “National Geographic”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat