​Shtimi i 9 shteteve në BE do t'i kushtojë vendeve anëtare më shumë se 250 miliardë euro

Evropë

​Shtimi i 9 shteteve në BE do t'i kushtojë vendeve anëtare më shumë se 250 miliardë euro

Më: 4 tetor 2023 Në ora: 21:09
Foto ilustrim

Zgjerimi i Bashkimit Evropian për të përfshirë nëntë shtete të reja, përfshirë Ukrainën, do t'u kushtonte shteteve anëtare ekzistuese më shumë se 256 miliardë euro, bazuar në llogaritjet e brendshme.

Kostoja e madhe e zgjerimit është zbuluar ndërsa 51 liderë evropianë shkojnë në Granada në Spanjë për një mbledhje të Komunitetit Politik Evropian dhe për të diskutuar hapat e ardhshëm për nëntë shtetet fqinje që janë në radhë për t'u bashkuar me BE.

“Të gjitha shtetet anëtare do të duhet të paguajnë më shumë dhe të marrin më pak nga buxheti i BE-së; shumë shtete anëtare që aktualisht janë marrës neto do të bëhen kontribues neto,” thuhet në dokumentin e sekretariatit të këshillit të BE-së, për Financial Times.

Ukraina, deri tani vendi më i madh nga nëntë vendet që janë pranuar si kandidatë të mundshëm, do të kishte të drejtën për 186 miliardë euro gjatë shtatë viteve, sipas gazetës.

Zgjerimi është bërë një nga temat më urgjente për BE-në, me liderët që takohen të premten për të diskutuar se si të drejtohet debati për çështjet kyçe, duke përfshirë buxhetin, numrin e vendeve në parlamentin evropian, dhe të ardhmen e politikës së përbashkët bujqësore.

Gjithashtu po debatohet nëse BE duhet të vazhdojë me një proces të përshpejtuar, duke i lejuar vendet anëtare hyrjen me faza në bllok, apo përnjëherë, shkruan The Guardian.

Në fillim të kësaj jave, kryediplomati i BE-së tha se ai kundërshtoi ata që favorizonin një proces gradual anëtarësimi, duke thënë se do të ishte e pamundur të zbatohej. “Anëtarësimi është anëtarësim. Pikë”, tha ai në një takim në Ukrainë.

Një diplomat i lartë tha për The Guardian se buxheti pritej të ishte tema e vetme e diskutueshme dhe duhej të zgjidhej deri në vitin 2027, kur do të fillonte cikli i ardhshëm financiar. Në këtë mënyrë BE-ja mund të tregonte se ishte gati, duke hequr çdo justifikim për të vonuar diskutimet e mëtejshme nëse dhe sa shpejt mund të bashkoheshin Ukraina, Moldavia dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Në fillim të këtij viti, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha se afati përfundimtar duhet të jetë 2030, por burimi diplomatik tha se një datë e tillë ishte "e rastësishme" dhe nuk kishte kuptim.

Ka shqetësime se ndërsa BE-ja ka përcaktuar objektivat e reformës për Ukrainën, Moldavinë dhe shtatë vendet e tjera në radhë për t'u bashkuar me bllokun, ajo ende nuk ka dhënë propozime të detajuara për ndryshimet e nevojshme në shtetet anëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat